Integrimi

“Të rinjtë shqiptarë në Zvicër e njohin vetëm dialektin e folur të gjuhës së tyre”

Sa gjatë mund ta ruajnë migrantët gjuhën e tyre amtare? Vendimtare për këtë është madhësia e komunitetit dhe kohezioni i tyre i brendshëm, thotë albanologu Basil Schader

Gjuha e huaj më e përhapur në Kantonin e St.Galllenit është shqipja, e cila flitet nga më së shumti nga migrantët e Maqedonisë dhe ata të Kosovës. Fakti se shqipja udhëheq në ranglistë, lidhet me madhësinë e komunitetit të këtushëm shqiptar, thotë Basil Schader, albanolog dhe docent Emeritus në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Cyrihut, shkreuan “St.Galler Tagblatt”.

Madhësia e bashkësisë si dhe kohezioni i tij i brendshëm (lidhja) kanë një ndikim vendimtar për atë se sa gjatë e ruan gjuhën e vet një komunitet i huaj, trasnmeton albinfo.ch gazetën zvicerane. Po ashtu edhe vizitat e rregullta në vendet e prejardhjes, gjatë pushimeve, janë të rëndësishme, thotë Schader.

Dr. Basil Schader

Si shembull për ruajtjen veçanërisht kohëhgjatë të gjuhës ai përmend amishët në SHBA dhe Kanada, të cilët kanë emigruar rreth vitit 1720 nga Zvicra dhe Gjermania e Jugut. “Ata e kanë ruajtur pjesërisht gjermanishten e lashtë”. Arsyeja: si bashkësi e mbyllur fort, amishët nuk kultivojnë pothuajse fare marrëdhënie me shoqërinë përreth. Një shoqëri paralele, të krahasuesehme me këtë,  formojnë sot turqit në lagjen e Berlinit, Kreuzberg.

Me kalimin e kohës, sigurisht që njohuritë gjuhësore të migrantëve mund të ndryshojnë, përcjell albinfo.ch. “Shqiptarët e moshës së re në Zvicër sot e zotërojnë gjuhën e tyre amtare vetëm në trajtën gojore”, thotë Schader.  Shumë syresh e flasin një shqipe me nuanca të forta dialektore. Ndonëse njohja e gjuhës ende është e mjaftueshme për t`u kuptuar në bashkësinë e tyre, “ata janë të shkëputur nga gjuha e shkruar shqipe”.

Ky ndryshim ka të bëjë veç tjerash me atë se sot, më pak fëmijë shqiptarë ndjekin mësimin plotësues në gjuhën shqipe në krahasim me përpara, transmeton albinfo.ch. Kthesa, sipas prof. Schader, ka ndodhur me luftën në Kosovë, në vitin 1999. Deri atëherë, shumë prindër i çonin fëmijët e tyre në mësimin plotësues pasi që dëshironin t`i përgatisnin ata për një kthim të mundshëm në atdhe. Pas luftës, ata e humbën këtë perspektivë – Zvicra u bë pika e re e referimit.

Në brezin e tretë, gjuha e prejardhjes është e kërcënuar

“Secondos” (brezi i dytë i migrantëve) janë në të shumtën të lidhur ende fuqimisht me gjuhën e prindërve të tyre. Në brezin e tretë mund të ndodhë që të ketë vetëm njohje pasive të gjuhës së prejardhjes, thotë Stephan Scmid, profesor titullar i gjuhësisë italiane në Universitetin e Cyrihut, përcjell albinfo.ch. “Ndërsa nëse të dy prindërit janë secondos, gjuha e prejardhjes jeton shpesh edhe në brezin e tretë”.

Bashkëjetesa në mes të gjuhës së prejardhjes dhe gjuhës së vendit, sipas profesort Schmid, në shkencë shpjegohet me modelin e 3 gjeneratave, që është zhvilluar në Melting Pot SHBA. Ndërkohë qe brezi i parë njeh vetëm pjesërisht gjuhën e vendit të arritjes, brezi i dytë bëhet pakahumë dygjuhësor. Në brezin e tretë ndërkaq, ngelen në dispozicion vetëm fragmente nga gjuha e prejardhjes.

Integrimi, më i vështirë në Zvicrën gjermane se në atë franceze. Shkak: dialekti zviceran i gjermanishtes 

Por, siç e tregon një vështrim në rrethanat zvicerane, kjo gjë duket paksa e thjeshtëzuar. Studiuesit gjuhësorë kanë konstatuar se brezi i parë migrues në Zvicrën franceze dhe në atë italiane e ka pranuar shumë më shpejt gjuhën e rrethit se sa në Zvicrën gjermane. Kjo mund të shpjegohet me faktin se për shembull, spanjishtja është e afërt me frengjishten dhe italishten. Ndërsa në Zvicrën Gjermane është bashkëjetesa e dialektit (schweizerdeutsch) me gjuhën standarde gjermane ajo që e vështirëson integrimin e migrantëve.