E-Diaspora

“Sporti i orientimit” në Kosovë, hapat e parë me ndihmën zvicerane

Kristian Gashi është një i ri i cili po përpiqet që këtij sporti t`ia japë bazat dhe për ta bërë këtë në mënyrë sa më profesionale, ai ka hyrë në kontakt me ekspertët zviceranë

“Sporti i Orientimit” që në anglishte njihet si “Orienteering” ose në gjermanishte si “Orientierungslauf” në botë daton nga fillimi i shekullit të njëzetë. Ai bën pjesë ndër sportet e pranuara olimpike edhe pse në lojërat e deritashme olimpike ende nuk janë zhvilluar gara në këtë sport. Në Zvicër ai gëzon një njohje të gjerë ndërsa në Kosovë po i bën hapat e parë.

Kristian Gashi, 27 vjeçar është një i ri i cili po përpiqet që këtij sporti t`ia japë bazat dhe për ta bërë këtë në mënyrë sa më profesionale, ai ka hyrë në kontakt me ekspertët zviceranë të këtij sporti. Kohë më parë Kristiani ka qëndruar si mysafir i federatës zvicerane me ç`rast ka kryer trajnime dhe, në një mes me traditë, është njohur më mirë me sportin që ka zgjedhur.

“Quhet Sporti i Orientimit (me hartë dhe busull). Fillimisht, sporti i Orientimit është përdorur si stërvitje ushtarake, duke ndihmuar ushtarët për të zbuluar terrenet e panjohura. Tani ky sport aplikohet nga njerëz të moshave të ndryshme në shumë shtete të botës”, thotë Gashi për albinfo.ch duke bërë prezantimin e këtij sporti fare pak të njohur në Kosovë.

Sporti origjinal fillimisht është quajtur “Orientim me këmbë” (“Foot-Orienteering”) që do të thotë se pjesëmarrësit ecin ose vrapojnë. Garuesve u jepet një hartë e posaçme, në të cilën është shënuar fillimi, fundi dhe pikat e kontrollit. Qëllimi i garës është që me ndihmën e hartës dhe/apo busullës të gjejnë sipas radhës pikat a kontrollit. Fitues shpallet ai që ka mundur të gjejë këto pika kontrolli në kohën më të shpejtë dhe në mënyrën më të saktë.

Fillet e këtij sporti në Kosovë, në vitin 2005

Por qëkur njihet ky sport në Kosovë dhe a ka ndonjë përhapje? Në Kosovë për herë të parë një aktivitet në këtë drejtim, sipas Kristian Gashit është zhvilluar në vitin 2005 ndërsa si sport është bërë më shumë i njohur pas vitit 2011. “Kosova për momentin ka 4 klube të këtij sporti: në Prishtinë, Podujevë, Gjakovë, Gjilan dhe se shpejti do të kemi edhe një klub në Prizren. Ndërsaa në të ardhmen e afërme planifikojmë ngritjen edhe të Federatës së Orientimit të Kosovës.

Aktualisht shumica e aktiviteteve zhvillohen nga Klubi i Orientimit Prishtina. KOP-i organizon shumë aktivitete gjatë vitit, si gara të orientimit, pastaj e bën edhe përfaqësimin e Kosovës në regjion dhe kur na jepet mundësia, edhe në vendet evropiane. Po ashtu organizojmë trajnime rreth sportit të Orientimit, përdorimit të hartave, busullave, përdorimit të GPS-it etj. pastaj ecje rekreative dhe shume aktivitete tjera në dobi të popullit të Kosovës e sidomos të rinisë.”

Kontaktet me Martin Gygax

Vetë Kristiani thotë se me këtë sport merret aktivisht nga viti 2011. “Atëbotë pata kërkuar përkrahje nga të gjitha federatat nga mbarë Bota për zhvillimin e këtij sporti në Kosovë. Pas një viti  kam marrë një përgjigje nga Martin Gygax i Federatës së Orientimit te Zvicrës (Orientierungslauf) me të cilin kemi lënë një takim në maj 2013 në Kosovë. Jemi takuar në Prishtinë, me ç`rast kemi biseduar për shumë gjëra. Veç tjerash jemi dakorduar që të kemi një përkrahje për të qëndruar në Zvicër për 2 javë, për të marrë pjesë në një program edukues për të mësuar krijimin e hartave për këtë sport”.

Më tutje, bashkëbiseduesi ynë e ka përfqësuar Kosovën në disa gara që janë mbajtur në: Suedi, Itali, San Marino, Zvicër, Bullgari, Turqi, Maqedoni, Mal të Zi, Greqi etj. “Gjithashtu kemi organizuar disa aktivitete ndërkombëtare dhe vendore në Kosovë. Këtu vlen të veçohet Gara Ndërkombëtare e Orientimit e organizuar në bashkëpunim me PWT Travel – Mediteran Orienteering Championchip nga ne, në muajin mars të vitit 2013 (https://www.youtube.com/watch?v=UPhvih8c08I).
Ndërkaq Gashi e veçon si një ndër pikat përcaktuese për zhvillimin e këtij sporti në Kosovë kontaktin me federatën përkatëse të Zvicrës. Në këtë drejtim ai e përmend “përvojën e tij zvicerane”, gjegjësisht qëndrimin dyjavësh  në Zvicër në tetor të vitit të kaluar.

Përvoja zvicerane, më e frytshmja


“Në Zvicër kam qenë me ftesë të Martin Gygax – prej Federatës së Orientimit të Zvicrës (Orientierungslauf). Kjo vizitë kishte për qëllim realizimin e një programi edukues për të mësuar krijimin e hartave për këtë sport (harta për shkolla dhe harta profesionale në terrene të mëdha). Po ashtu gjatë qëndrimit atje kam pasur takime të ndryshme me përfaqësues të Federatës Zvicerane, pastaj vizita në disa klube të ndryshme, dhe kam marrë pjesë edhe në garën grupore në Berner Mannschafts-OL (http://www.o-l.ch/cgi-bin/fixtures?&mode=show&unique_id=7182)”, shprehet pe¨r albinfo.ch Kristian Gashi.

Pjesë e këtij qëndrimi mjaft të frytshëm në Zvicër të “pionierit” të Sportit të Orientimit në Kosovë ka qenë edhe njoftimi dhe trajnime të ndryshme nga Martin Gygax lidhur me funksionimin e sistemit Zviceran të klubeve, federatave, shoqërisë civile, kantoneve, formës së përkrahjes nga shteti, për mënyrën e gjetjes së donatorëve, për punën vullnetare etj.

Por ai nuk lë pa përmendur edhe pritjen në Ambasadën  e Kosovës në Zvicër, në Bernë. “Këtë të fundit e ka organizuar Jahir Maleta, kosovar që punon në departamentin federal të sportit në Zvicër. Jemi pritur nga ministri këshilltar në ambasadë Mustafë Xhemaili. Me atë rast kemi biseduar për mundësitë e përkrahjes dhe bashkëpunimit me Zvicrën nga Republika e Kosovës në të ardhmen e shpejtë edhe në këtë drejtim.

“Përvoja ime më e mirë deri më tani në jetën time ishte kjo në Zvicër, në çdo aspekt. Kam vizituar disa familje zvicerane, mikpritja e tyre mua më ka befasuar shumëe për të mirë diçka që nuk e kisha paramenduar”.

Pak biografi

Kristian Gashi, i lindur në vitin 1987, ka përfunduar  vitin e kaluar Fakultetin e Teknologjisë së Informacionit. Ai jeton në Slivovë të Prishtinës. Thotë se deri në vitin 2005 sporti i tij i preferuar ka qenë futbolli. Por në atë vit ka ndodhur kthesa. “Me përkrahjen e OSBE-së e organizuam Garën e Parë të Orientimit në Kamenicë me harta ushtarake të përkrahur edhe nga KFOR-i, suedezët, amerikanët etj. Aty mora për herë të parë pjesë në një garë të tillë dhe u zgjodha më i miri”.