Feja
Masakra kundër lirisë së shprehjes, akt barbar që nuk arsyetohet me asgjë
Valentina Smajli, nënkryetare e FFI, Mustafë Mehmeti, kryetar i BISHZ dhe Nehat Ismaili, kryetar i UISHZ dënojnë sulmin terrorist mbi redaksinë e revistës franceze
Sulmi terrorist që ka ndodhur të mërkurën në Paris, me ç`rast në redaksinë e revistës satirike “Charlie Hebdo” janë vrare 12 persona, ka tronditur gjithë botën e civilizuar. Si i tillë, ai ka ngjallur reagime të ashpra edhe në mesin e besimtarëve myslimanë në Zvicër.
Albinfo.ch ka marrë qëndrimet e asociacioneve që përfaqësojnë besimtarët myslimanë shqiptarë në Zvicër dhe atë të Forumit për Islam Progresiv (IFF) lidhur me aktin terrorist.
Valentina Smajli: Kështu ipo trasohet rruga luftës midis kulturave!
Valentina Smajli, nënkryetare e Forumit për Islamin Progresiv (FFI), njëherësh aktiviste e njohur shqiptare në Zvicër, me këtë rast ka bërë një reagim për mediet, të cilin ia ka dërguar edhe albinfo.ch
“Një akt tillë kaq i tmerrshëm dhe gjakatar nuk arsyetohet me asgjë. Është një veprim i barbarëve dhe jo i njerëzve të civilizuar. Por ne duhet të jemi të vetëdijshëm për një gjë: Terroristët me këtë akt nuk duan ta mbrojnë islamin. Ky është argumentim i tyre dhe ne nuk do te duhej të binim në këtë kurth” shprehet ajo.
Ndërsa, siç e thotë më tutje, kjo dhunë i fut në një rrugë pa krye të gjithë ndërsa përfitues janë vetëm nxitësit e dhunës. “Në radhë të parë ata duan që t`i ndërsejnë në mes vete shoqërinë e këtushme shumicë në njërën anë dhe myslimanët, në anën tjetër për të krijuar një klimë mosbesimi dhe urrejtjeje. Ata duan ta krijojnë një rreth vicioz në të cilin më në fund do të humbin të gjithë, përveç vetë ekstremistëve:
1. Terroristët e realizojnë aktin mizor dhe deklarojnë se këtë e bëjnë në emër të islamit.
2. Në shoqërinë shumicë kjo shkakton qëndrim të rezervuar kundrejt myslimanëve. Në këtë mënyrë krijohet një klimë e frikës, ashtu sikur qe krijuar pas 11 shtatorit 2001 e cila çdo mysliman e vendos nën dyshimin gjeneral. Kjo çon detyrimisht drejt diskriminimit, edhe të myslimanëve të moderuar.
3. Kjo bën që myslimanët të radikalizohen. Myslimanët e moderuar dhe shoqatat e tyre në këtë mënyrë shtyhen drejt margjinalizimit. Kështu, ekstremistët marrin fjalën.
Të mos lejojmë që fara e urrejtjes barbare të prodhojë fryte
Kjo, herët ose vonë çon drejt një lufte në mes të kulturave. Dhe përse? Për faktin se atë e kanë shkaktuar ekstremistët dhe në instancë të fundit vetëm ata do të jenë përfituesit. Për këtë arsye ne nuk guxojmë ta bëjmë gabimin që të biem në kurthin e ekstremistëve. Ne duhet t`u tregojmë shumë qartë këtyre barbarëve se nuk do të lejojmë që mbjellja e urrejtjes nga ana e tyre të prodhojë fryte”, thotë nënkryetarja e FFI.
“Tash, organizatat dhe bashkësitë islamike dhe sidomos hoxhallarët duhet të distancohen nga këto veprime dhe t`i dënojnë ato. Organizatat në fjalë kanë detyrim që të mos u japin ekstremistëve hapësirë në radhët e veta. Ai që në situata të tilla flet për “urrejtje ndaj myslimanëve apo Islamofobi”, është fare qartë, vetë ekstremist.
Është plotësisht e qartë se edhe shteti dhe autoritetet duhet të jene më vigjilentë. Këtu bën pjesë edhe një shërbim informativ më i besueshëm, i cli do t`i lokalizojë ekstremistët në Zvicër, t` i mbikëqyrë dhe së bashku me shoqatat myslimane, t i izolojë ata”, përfundon deklarata e Valentina Smaajlit, nënkryetare e Forumit për Islamin Progresiv.
Imam Mustafa (BISHZ): “Mendimi i lirë në perëndim është i shenjtë”
Imami shqiptar Mustafa Mehmeti, i cili është nderuar nga gazeta “SonntagsZeitung” me titullin “Zvicerani i vitit” është shokuar nga lajmi për masakrën që ka ndodhur në redaksinë e revistës satirike “Charlie Hebdo” në Paris, ku kanë gjetur vdekjen 12 persona duke përfshirë katër karikaturistët kryesorë të revistës dhe kryeredaktorin Stéphane «Charb» Charbonnier.
“Ky është shok për myslimanët në Zvicër po edhe në Evropë”, thotë imami i moderuar shqiptar, njëherësh kryetar i Bashkësisë Shqiptare në Zvicër.
“Akti barbar që ka ndodhur sot në Paris nuk është kundër vlerave evropiane, as kundër shprehjes së lirë, por kundër të gjithë njerëzimit, kundër vet myslimanëve dhe kundër vet profetit Muhamed. Mendimi i lirë në perëndim është i shenjtë dhe nuk guxojmë ta vejmë në pikëpyetje”, thekson imami Mustafa
Sipas imamit në xhaminë shqiptare të Bernës kjo na kthen na pikën zero dhe e ka vënë në pikëpyetje bashkëjetesën me myslimanët në Evropë.
“Ne duhet te pajtohemi se në mjediset ku jetojmë ka ekstremistë me të cilët duhet ballafaqohemi në fillim ne vet myslimanët. Ne duhet të njihemi mirë me njërin-tjetrin dhe kjo detyrë është e xhamive dhe kryesive të tyre, në rend të parë e imamëve”, ka thënë Mustafë Mehmeti, me prejardhje nga Lugina e Preshevës, shtetas i Zvicrës nga viti 2005.
Vlerat evropiane, bazike për liritë individuale dhe kolektive
Ai u ka bërë thirrje kolegëve imamë që në faljen e xhumasë imamët të distancohen qartë po edhe ta gjykojnë rastin makabër në Paris. “Duhet të tregojnë me vepër se nuk mjaftojnë vetëm fjalët dhe ta dëshmojmë në praktikë lojalitetin ndaj këtij vendi duke ndërtuar ardhmërinë e gjeneratave të ardhshme”, thekson Mehmeti.
Ndërsa për islamofobinë imami thotë se ne duhet të marrim vet përgjegjësinë pas këtyre ndodhive “sepse këto janë vepra që e ndezin fitilin e urrejtjes ndaj islamit”.
Për imamin ka ardhur koha që në njëherë përgjithmonë të bëhet një rishikim i konceptit tonë se çka na ndërlidh ne me jetën dhe ardhmërinë tonë në perëndim.
“Ne duhet mos t’i kontestojmë vlerat evropiane sepse ato janë bazike, kur bëhet fjalë për lirinë individuale dhe kolektive si dhe na mundëson t’i manifestojmë më mirë liritë fetare”, thotë në deklaratën e tij për albinfo.ch, Mustafë Mehmeti.
UISHZ: “Terrorizmi nuk ka ngjyrë, fe dhe përkatësi kombëtare”
Edhe Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër është distancuar nga masakra në redaksinë e revistës “Charlie Hebdo” në Paris
“Kjo që ndodhi në Francë, në redaksinë e revistës “Charlie Hebdo” në Paris është tragjedi, vepër makabre dhe e papranueshme për ne si përfaqësues të myslimanëve shqiptarë në Zvicër por edhe si prijës fetarë islamë”, thuhet në reagimin e Unionit të Imamëve Shqiptarë, të nënshkruar nga kryetari, Nehat Ismaili.
“E ndiejmë për obligim moral të reagojmë dhe do të reagojmë çdo herë kur të shkelen të drejtat e njeriut, cenohet liria e të menduarit, e manifestimit të fesë dhe bindjeve, kur rrezikohet siguria e njerëzve, e aq më tepër kur këto vepra bëhen në emër të Islamit dhe myslimanëve paqedashës që jetojnë në Perëndim. Vepra që mund të jenë të individëve apo grupeve të vogla ekstremiste që as vetë nuk dinë kujt i shërbejnë dhe në emër të kujt veprojnë, e sigurisht kurrsesi në emër të myslimanëve dhe islamit”.
“Ekstremizmi dhe terrorizmi nuk kanë ngjyrë, fe dhe përkatësi kombëtare, dhe janë të papranueshme si mjete për zgjidhjen e problemeve, konflikteve dhe diversitetit në të menduar”, thuhet më tutje në reagimin e imamëve shqiptarë. Ata u kanë bërë thirrje të gjitha mendjeve të shëndosha, si intelektualëve, politologëve, përfaqësuesve të mediumeve dhe masave te gjera, që të ruajnë gjakftohtësinë, siç thonë ata dhe të mos fusin të gjithë myslimanët në një thes, por këtë çështje t`ia besojnë organeve të sigurisë dhe drejtësisë, ndërsa aktorët të marrin dënimin e merituar.
“Tolerancën ndërfetare shqiptarët do ta përcjellin deri në pafundësi”
Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër në këtë deklaratë thotë se është përcaktuar që të ndjekë vetëm një rrugë, dialogun ndërkonfesional, tolerancën, respektimin e diveristetit kulturor, fetar dhe etnik duke i kontribuuar çdo herë paqes, dashurisë, altruizmit, larg urrejtjes, përçarjes dhe intolerancës.
“Këtë porosi paqedashëse shqiptarët do ta përcjellin deri në pafundësi, këtë tolerancë dhe bashkëjetesë ndërkonfesionale shqiptarët më së miri e kanë kultivuar dhe duhet kultivuar, dhe ne shprehim ngushëllime dhe ndjejmë keqardhje nga kjo tragjedi që preku Francën e veçanërisht myslimanët e Francës”, thuhet në deklaratën e Unionit të Imamëve Shqiptarë të Zvicrës, të cilët kanë ngushëlluar familjarët e viktimave në sulmin terrorist në Francë.
E-Diaspora
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri? Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, tha se janë krijuar kushtet e...
-
Kurti mban fjalim në forumin ekonomik Zvicër-Kosovë, flet për “partneritet të fuqishëm”
-
Arbër Bullakaj, në krye të nismës për lehtësimin e natyralizimit të të huajve
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
Jeta në Zvicër
-
Më shumë se 640,000 fishekë snajperësh zviceranë thuhet se kanë shkuar në Ukrainë Municione snajperi nga kompania zvicerane P Defence thuhet se kanë mbërritur në Ukrainë në korrik 2023...
-
Kaosi i SBB i frustron udhëtarët: “Ka komunikim zero”
-
Bora paralizon qarkullimin në shumë vende në Zvicër
-
Bazeli do të votojë mbi koston e organizimit ‘blasfemik’ të Eurovizionit 2025
-
Zvicra mbetet kampione evropiane në hekurudha