Zhvillim

Helvetas ndihmon punësimin dhe vetëpunësimin në Dragash

Në kuadër të projektit APR në Opojë dhe Gorë, gjatë vitit 2014, janë trajnuar profesionalisht mbi 360 persona prej të cilëve mbi 80% janë punësuar ose vetëpunësuar

Duke pasur parasysh se APR ka për qëllim zvogëlimin e varfërisë në zonat rurale të Kosovës, përmes trajnimeve dhe zhvillimit të aftësive për punësim, vlerësohet se HELVETAS ka arritur që gjatë vitit 2014 të trajnojë mbi 360 të rinj në fushën e bletarisë, blegtorisë, njohjes dhe grumbullimit të bimëve mjekuese dhe aromatike, në fushën artizanale, në profesionin e frizereve etj. Rreth 80% e të trajnuarve janë punësuar ose vetëpunësuar.

Falë begative natyrore që ka Komuna e Dragashit, të rinjtë janë orientuar sidomos për kultivimin e bletarisë, blegtorisë, për grumbullimin e bimëve mjekuese dhe aromatike. Një punë të mrekullueshme për identifikimin e të interesuarve nëpër fshatrat e Opojës e të Gorës e ka bërë zyrtari i APR-së nga terreni z. Besnik Imeri.

Në fshatrat e Opojës siç janë: Zapluxha, Blaqi, Bresana dhe Zgatari, 46 të rinj i janë përkushtuar bletarisë. Pas një trajnimi përkatës, ata kanë themeluar tri grupe dhe kanë përpiluar projektpropozimet, të cilat ia kanë dorëzuar APR-së, me ç’rast kjo e fundit u ka ndihmuar që secilit grup t’ia dhurojë nga 20 shoqëri bletësh. Natyrisht përfituesit i kanë siguruar vetë kosheret. Nga 46 persona të trajnuar tashmë 42 merren aktivisht me bletari.

Interesimi i të rinjve vazhdimisht rritej dhe orientimet për aftësim ishin të ndryshme. Një grup prej 16 të rinjsh ishte i interesuar që të aftësoheshin për instalimin e ngrohjes qendrore. Ata vinin nga fshatrat: Zaplluxhe, Blaq, Bresanë, Shajne, Xerxe, Kosavë dhe Bellobrad. APR organizoi trajnimin teorik e praktik, kështu që pas aftësimit, 5 persona janë punësuar në bizneset ekzistuese, ndërsa 2 angazhohen sipas nevojës.

Një interesim i veçantë ishte nga fshati Pllajnik. Një grup prej 16 të rinjsh kërkuan trajnim për metodat e grumbullimit të frutave të malit dhe të bimëve aromatike mjekësore. Projekti APR, përveç mbështetjes në trajnimin e grupit, i ka ndihmuar edhe në sigurimin e pajisjeve për grumbullimin e frutave dhe bimëve aromatike mjekësore. Raportet tregojnë se të gjithë të trajnuarit kanë pasur aktivitet ekonomik, dhe gjatë sezonit ata kanë përfituar prej 1000 deri në 3600 euro.

Dy grupe tjera, njëri nga Opoja e tjetri nga Gora, kishin kërkuar trajnime për kultivimin e dredhëzës. Me këto grupe, që bashkarisht janë 27 persona, trajnimi është në realizim e sipër dhe si material trajnimi APR ka siguruar fidanët, ndërsa përfituesit kanë siguruar një hektar tokë për mbjelljen e tyre.

Po ashtu nga Opoja e Gora janë krijuar dy grupe të interesuarish për kultivimin e mjedrës. Duke parë gjithë këtë interesim të rinjsh për punësim, APR ka siguruar, natyrisht, trajnimin teorik dhe  fidanët, kurse këta kultivues do të mbështeten edhe nga UNDP me sistem të ujitjes dhe me sistem mbështetës. Kështu, nga toka deri tash e papunuar, janë mbjellë 1.20 ha me mjedër.

Jo të gjithë janë të prirë ose të përgatitur për punë fushe, prandaj një grup femrash i përbërë prej 36 vajzave të reja të rajonit të Opojës kanë ndjekur një trajnim tremujor dhe janë certifukuar për frizere. Ato janë ndarë në dy grupe të vogla nga 6 veta, kanë përgatitur projektpropozimet dhe kanë kërkuar mbështetje nga projekti për hapjen e salloneve të bukurisë.

Edhe zyrtarja Eldina Rexhepi, e cila më shumë ka qenë e angazhuar me komunitetin goran ka treguar sukses, duke organizuar dhe bashkërenditur punët me kolegun Imeri si dhe me përgjegjësit e projektit me seli në Prishtinë.

Zonja Rexhepi thotë se komuniteti goran ka përfituar shumë nga projekti i APR-së në fushën e bletarisë, të termoizolimit, servisit dhe disenjimit, në fushën artizanale, në përgatitjen e qebapave dhe të ëmbëlsirave etj. Rreth 55 perosna janë aftësuar në fushat e sipërpërmendura, ndërkohë që shumë prej tyre sot ushtrojnë bizneset e veta.

100 punëtorë stinorë dhe 10 deri 12 gjatë tërë vitit

HIT FLORES. 45 punëtorë stinorë të kësaj pike grumbulluese janë trajnuar pikërisht në kohën e grumbullimit të kërpudhave, për llojet dhe metodat e grumbullimit si dhe për identifikimin e bimëve aromatike e mjekësore.

Vetëm gjatë këtij viti HIT FLORES ka shitur tre tonë kërpudha të thara dhe 15 tonë kërpudha të ngrira.

Bashkëpronari i kësaj firme, Arafat Bajrami thotë se gjatë këtij viti kemi angazhuar 100 punëtorë stinorë, prej të cilëve 10-12 punojnë gjatë gjithë vitit. Megjithatë nuk arrijmë t’i vjelim të gjitha frutat dhe bimët që na i dhuron kjo natyrë. Sidoqoftë, gjatë sezonës arrijmë të grumbullojmë 250-300 tonelata boronicë; 300-400 t dëllinjë; 300 t kaçe prej së cilës 100 tonë i thajmë kurse 200 i shesim të njoma. Unë e vlerësoj lartë bashkëpunimin me HELVETAS-in dhe do të vazhdoj të bashkëpunoj edhe në të ardhmen.

Një biznes tjetër është ferma e pulave “Opoja”. Kjo fermë ka disa vjet që funksionon dhe posedon 6000 pula që bëjnë ve. Kjo fermë kishte shfaqur interesim për trajnimin e personelit të saj. Kështu, APR ka mundësuar trajnimin e 11 punëtorëve aktualë, të cilët kanë mësuar lidhur me të ushqyerit e pulave, sëmundjet dhe problemet tjera me të cilat mund të ballafaqohet kjo fermë në të ardhmen.

APR gjithashtu ka trajnuar edhe 11 punëtorë të stafit të një kompanie (Connect ISP) për instalimin e internetit dhe të TV kabllorëve.

Për të mos i cekur një nga një, projekti APR ka trajnuar nga një punëtor për 17 biznese të vogla që operojnë në këtë mjedis. Tema për trajnim kanë qenë Menaxhimi financiar, Mbajtja e shënimeve dhe Teknologjia informative.

Me rastin e mbajtjes së panairit në Prizren, HELVETAS ka mbështetur pjesëmarrjen e 5 bizneseve të shoqatës afariste “Sharri”. Pjesëmarrja e këtyre bizneseve ka rezultuar me lidhje kontratash biznesore me firma të mëdha afariste.

Aktivitet edhe në fuqizimin e zinxhirit furnizues

“Nga komponenta e tretë e projektit APR që lidhet me fuqizimin e zinxhirit furnizues, ka pasur po ashtu aktivitete  të dendura”, thotë zyrtari nga terreni, Besnik Imeri.

Ta zëmë, janë trajnuar 5 femra për punë artizanale dhe që të gjitha janë aktive në këtë biznes. Pastaj janë trajnuar 40 grumbullues të frutave të malit dhe bimëve aromatike mjekësore për pikën grumbulluese HIT FLORES, si dhe janë mbajtur trajnime me dy grupe të blegtorëve me gjithsej 22 fermerë, të cilët kanë mësuar për ngritjen e cilësisë së qumështit dhe prodhimeve të tij, duke e rritur dukshëm cilësinë dhe prodhimin e qumështit.

Gjithashtu, në kuadër të projektit APR janë formuar 4 grupe për trajnimin në identifikimin dhe grumbullimin e dëllinjave, kaçeve, gjetheve të manaferrës, frutave të murrizit, rrënjëve të hithit si dhe për metodat e tharjes dhe ruajtjes së frutave të malit dhe bimëve aromatike mjekësore. Këto grupe janë mbështetur nga projekti APR me mjete si: gërshërë, korita dhe dorëza, dhe kanë grumbullar fruta për Rafi Kalanderin.

Siç po shihet, kjo formë e punësimit po zgjon interesim gjithnjë e më shumë te banorët e Komunës së Dragashit, prandaj edhe organet komunale nuk po hezitojnë që ta ndihmojnë projektin APR, duke i mundësuar shfrytëzimin e një lokali për zyrë si dhe hapësirat publike për trajnimin e të rinjve.

Xhevdet Kallaba