Tematike

Është koha!

Dilni, votoni! Sepse vetëm nëse e shfrytëzojmë shansin, ne më 20 tetor mund t`i brohorasim deputetes ose deputetit të parë shqiptar në Parlamentin  e Zvicrës. Dhe më besoni kur ju them: Është koha!

„Es ist Zeit“ (Është koha) – me këtë slogan pata kandiduar unë para katër vjetësh bashkë me asamblistin e qytetit të Wil-it (SG), Arbër Bullakaj, për Parlamentin e Zvicrës. Mesazhi ynë ishte i qartë: Edhe pse ne shqiptarët përbëjmë njërin ndër komunitetet më të mëdha në Zvicër, edhe pse po angazhohemi dhe përpiqemi politikisht, nuk jemi të përfaqësuar në Parlament. Kjo duhet përfundimisht të marrë fund.

Katër vjet më vonë, vetëm diçka ka ndryshuar – unë nuk kandidoj për Parlamentin Nacional. Numri i deputetëve me prejardhje shqiptare është edhe më tutje: një zero e madhe, e dhjamosur, deprimuese. Kështu nuk mund të shkojë më.

Natyrisht ka të tillë që thonë se kjo tregon se, thjesht, ne ende nuk jemi të gatshëm. Se ne nuk jemi integruar sa duhet. Por kjo është marri. Ideja e një demokracie mbëshetet në atë që njerëzit që jetojnë në një lokalitet, në një shtet, duhet të kenë edhe fjalën e tyre në politikë. Ne, shqiptarët jemi këtu – disa prej nesh prej dyzet ose më shumë vjetësh. Dhe pavarësisht nëse me prejardhje jemi nga Gjakova ose nga Ferizaj, nga Shkupi ose nga Tirana, ne i përkasim Zvicrës. Dhe, për këtë arsye ne duam të na dëgjohet fjala.

Shenjat nuk janë të këqija: Janë disa shqiptarë për t`u zgjedhur – disa prej tyre në me gjasa të mira, si për shembull Ylfete Fanaj në Lucern, Islam Alijaj në Cyrih ose shoqëruesi im i vjetër, Arbër Bullakaj në St.Gallen. Fakti se të tre këta kandidojnë për SP, nuk përbën rastësi: ka qenë socialdemokracia (Partia Socialdemokrate SP) ajo e cila angazhohej për të drejtat e shqiptarëve, edhe atëherë kur ne nuk ishim ende qytetarë të Zvicrës. Gjë që nuk do të thotë se ne automatikisht të gjithë duhet të votojmë vetëm SP-në. Po ashtu kjo nuk guxon të kuptohet sikur ne me automatizëm do ta votojmë dikë vetëm pse në bazë të emrit supozojmë se ky person “na takon ne” – çfarëdo që të kuptohet me këtë cilësim. Të zgjedhësh dikë në Parlamentin Nacional do të thotë pra që që të mbështetesh në besimin se me të vërtetë ky person në katër vitet në vijim do të angazhohet për gjërat që janë të rëndësishme për ne.

Kjo është ajo çfarë u them secilën herë njerëzve kur më pyesin se kë duhet ta votojnë. Informohuni! Drejtohuni te “smartvote”. Shikoni në faqet e internetit të njerëzve. Drejtohuni atyre, nëse do t`i shihni në ndonjërin nga  qindra aksionet zgjedhore në rrugë. Pyetini për gjërat që janë me rëndësi për ju. Mos u verbëroni nga ata, të cilët vetëm bëjnë sikur do të angazhohen për interesat tuaja – sikur deputeti nacional nga SVP Alfred Heer në Cyrih, i cili befas e inskenon veten si “mik i popullit shqiptar”, sepse ka pikasur se ndoshta mund të fitoijë para atje ku jetojnë kushërinjtë ose gjyshërit tanë.

Por pavarësisht çfarë bëni: Dilni, votoni! Nëse nuk dini se si plotësohen dokumentet e votimit, pyeteni dikë. Mos e lëshoni shansin. Sepse vetëm nëse e shfrytëzojmë shansin, ne më 20 tetor mund t`i brohorasim deputetes ose deputetit të parë shqiptar në Parlamentin  e Zvicrës. Dhe më besoni kur ju them: Është koha!

 

I përkasim Zvicrës

Ideja e një demokracie mbëshetet në atë që njerëzit që jetojnë në një lokalitet, në një shtet, duhet të kenë edhe fjalën e tyre në politikë. Ne, shqiptarët jemi këtu – disa prej nesh prej dyzet ose më shumë vjetësh. Dhe pavarësisht nëse me prejardhje jemi nga Gjakova ose nga Ferizaj, nga Shkupi ose nga Tirana, ne i përkasim Zvicrës. Dhe për këtë arsye ne duam të na dëgjohet fjala.

 

  • Editoriali është shkruar enkas për albinfo.ch