Integrimi

Kapet rrjeti shqiptar i drogës, i konfiskohet 7 kilogramë heroinë

Gjatë hetimeve janë konfiskuar 7 kilogramë heroinë, rreth 42 kilogramë materie për përpunimin e drogës dhe 82 mijë franga para kesh

Policia Kantonale e Bernës ka kapur një rrjet ndërkombëtar të tregtisë me drogë. Dhjetë shtetas shqiptarë dhe një shtetas i Maqedonisë janë arrestuar si rezultat i kësaj. Siç bën të ditur Policia e Kantonit të Bernës dhe Prokuroria të enjten, tregtia me heroinë është dirigjuar nga Shqipëria.

Gjatë hetimeve që kanë zgjatur rreth një vjet e gjysmë janë  konfiskuar 7 kilogramë heroinë, rreth 42 kilogramë materie për përpunimin e drogës dhe 82 mijë franga para kesh.

Rrjeti i tregtisë me drogë nga vera e vitit 2013 deri në fund të janarit 2014 ka futur në Zvicër së paku 30 kilogramë përzierje heroine, shkruan derbund.ch. Ndërsa në kantonet Bernë, Gjenevë, Solothurn, Aargau, Cyrih, St. Gallen dhe Thurgau kanë shitur gjithsej 90 kilogramë përzierje heroine, vlera në treg e të cilës është rreth 2.7 milionë franga.

Personat e arrestuar janë në mes 21 dhe 49 vjeçarë dhe do të përgjigjen para ligjit për shkelje të rënda të ligjit mbi narkotikët.