Opinione

Me zgjedhjet në Kosovë bie enverizmi mbarëshqiptar

Për herë të parë kosovarët kanë zgjedhje mes një gruaje të re, që është aty për shkak të mendjes dhe guximit të saj, dhe një djaloshi që për vite të tëra, që nga mosha e rinisë, ka qenë në ballë të rezistencës. Pjesa tjetër është reprizë

Më 6 tetor në Kosovë mbahen zgjedhjet parlamentare. Pas pavarësimit, por ndoshta edhe pas luftës bile, këto mund të jenë zgjedhjet më interesante dhe, madje, më të rëndësishme që i ka pritur Kosova.

Kanë kaluar saktë 20 vjet qëkur lufta ka përfunduar dhe kjo i bie që tash janë bërë tamam vitet e pjekurisë politike për brezin e lindur në prag të luftës, por edhe pas saj, që edhe ata të mund të votojnë. E votuesi i ri mban mend nga jeta e tij dhe ai gjykon me moshën e tij.

Nisur nga kjo, një pjesë e politikanëve në Kosovë harrojnë se kësaj rinie nuk i bën përshtypje se dikur ka qenë një Lëvizje Popullore e Kosovës, që – nga ilegaliteti në mërgatë – e ka organizuar rezistencën shqiptare në Kosovës e as qeveria në ekzil e organizimet e tjera paralele. Madje, kësaj rinie nuk i bën fort përshtypje as se kush ishin komandantët “e mëdhenj” të UÇK-së, sepse për shumë prej tyre tashmë e ka perceptimin e “çunave me muskuj e me biznese të zeza”. Atyre nuk u bën përshtypje as se cilat janë “partitë e luftës” e as cilat janë “partitë e rezistencës pasive”, sepse për ata këto janë rrëfime të librave të historisë. Ndërkaq, po rikujtojmë, Kosova e ka popullatën, mbase, më të re në Ballkan.

Këto janë fakte shumë të rëndësishme për ta profilizuar kërkesën dhe pritjen e votuesit të ri kosovar në kohën kur i dërguari i special i SHBA-së, Palmer, po vjen me marrëveshjen e re nën sqetull, në kohën kur Kosova nuk ka marrë as liberalizim të vizave nga BE-ja dhe në kohën kur shteti më i ri i Europës vazhdon të jetojë nga remitencat ose nga pamundësia për ta braktisur atë.

Bota e ’99-tës nuk i ngjan aspak asaj të 2019-tës. Andaj secila kohë i kërkon aktorët e saj. E, duke parë një skenë të tillë, i bie që këto zgjedhje të prodhojnë një klasë të re politike me dije, kompetencë, profesionalizëm, guxim për vendimmarrje dhe atdhedashuri të mjaftueshme, që të mund të përballet me sfidat që e presin qeverinë e ardhshme kundrejt planeve gjeopolitike, por edhe kundrejt kërkesave e pritjeve të qytetarëve të Kosovës. Përveç kësaj, këto zgjedhje duhet të jenë një prerje përfundimtare kur Kosova duhet të çlirohet nga “çunat me muskuj”, nga fuqia e lëvizjeve të ilegalitetit të dikurshëm dhe e lëvizjeve të nëntokës sot, por edhe nga mitet e shenjtëruara.

Janë bërë tashmë 20 vjet qëkur shigjeta ka dalë nga harku dhe tashmë është në rënie të lirë. “Partitë e UÇK-së” nuk mund të pretendojnë të mbeten akoma në qiell falë shtytjes së luftës. Atyre u duhet narracion tjetër për Kosovën. Që, si duket, vështirë po e gjejnë. Ish lëvizjet ilegale, tash të shtrira gjithandej nëpër parti e organizata të tjera publike e sekrete, ndonëse kanë bërë para dhe fuqi, nuk mund të pretendojnë ta mbajnë fronin përgjithmonë me marifete nga më të ndryshmet, sepse kjo mund të jetë frymëzënëse edhe për vetë ato. Tashmë edhe klientelizmi duket është bërë letër e djegur. Populli nuk është në shitje.

Prandaj këto zgjedhje në Kosovë pritet të prodhojnë lidership të ri, që do t’i zëvendësojë “çunat me muskuj”, “komandantët legjendarë”, “eminencat gri”, “mitet” dhe “shefat e shefave”. Për herë të parë kosovarët kanë zgjedhje mes një gruaje të re, që është aty për shkak të mendjes dhe guximit të saj, dhe një djaloshi që për vite të tëra, që nga mosha e rinisë, ka qenë në ballë të rezistencës. Pjesa tjetër është reprizë. Zgjedhja mes këtyre dy kandidatëve është modeli i duhur i garës demokratike, nëpër të cilën pritet të kalojë Kosova “e çliruar nga kapja”. Në këtë mënyrë, ashtu si më 1919-të, kur Shqipëria u bë tamam shtet, edhe 2019-ta e pret lidershipin e ri që do të dijë ta bëjë edhe shtetin e dytë shqiptar në Ballkan.

E kur këtë skenë e kundron nga Shkupi, kjo bëhet po kaq e rëndësishme dhe mund të interpretohet si uverturë për zgjedhjet që priten këtu në vitin e ardhshëm. Partia politike shqiptare, që është në pushtet këtu nga viti 2002 (me një ndërprerje të shkurtër më pak se dy vjet), është bërë një qenie që e po ha vetveten pas brejtjes së madhe që ia ka bërë kombit shqiptar në Maqedoni. Siç dihet, ajo është një zgjatim i lëvizjeve ilegale të shqiptarëve të Jugosllavisë dhe një nëndegë e “partive të luftës” nga Kosova, e cila mbahet në pushtet këtu vetëm fale marifeteve të nëntokës dhe klientelizmit në zgjedhje.

Përveç kësaj, krejt rrjeti i shërbimeve, bizneseve dhe krimeve, që kanë qarkulluar gjatë këtyre viteve në këto hapësira (Kosovë, Maqedoni, Shqipëri), hallkë të tyre e kanë pasur edhe këtë parti. Andaj “komandantët e Kosovës” flasin për “liderë të shqiptarëve në Maqedoni” (që nuk e ka as gjysmën e votave shqiptare) dhe prandaj ato parti i thurin elozhe njëra-tjetrës. Janë matrica e njëjtë. Ato e ruajnë kështu hallkën e pashkëputur. Sepse, në momentin që bie një hallkë, këputet zinxhiri dhe bie skema “piramidale” parapolitike dhe politike. Për këto arsye është bërë shumë e rëndësishme se kush i fiton zgjedhjet në Kosovë. Sepse ky do të jetë informacion edhe se kush i fiton zgjedhjet shqiptare edhe në Maqedoninë e Veriut. E, kjo do të merret vesh në mbrëmjen e 6 tetorit. Më 1998, me Arbër Xhaferin, në Shkup ra titizmi shqiptar. Më 2020 radhën e ka të bie edhe enverizmi.

Prandaj pyetja plebishitare e këtyre zgjedhjeve në Kosovë është më shumë se kosovare: a po ndryshon skena politike shqiptare, a po vjen një energji e re dhe a po krijohet një elitë e re politike? Apo do të vazhdojmë të mbetemi në llumin që i fundos jo vetëm ata që e kanë prodhuar atë, por edhe të gjithë shqiptarët në Ballkan?