Integrimi
“Shqiptarët e mirë” mbushin auditorin e Universitetit të Fribourg-ut
Çelja e debatit të menaxhuar nga Shoqata e Studentëve shqiptarë në Universitetin e Fribourg-ut kishte për qëllim një qasje akademike të problematikës së integrimit
Shfaqja e dokumentarit “Shqiptarët e mirë” ditën e djeshme (e enjte 11 dhjetor), e organizuar nga Studentët shqiptarë të Universitetit të Fribourg-ut mblodhi shumë të pranishëm. Interesimi i përgjithshëm që mbretëron në opinion për këtë temë, por edhe debati me të ftuarit zgjoi një interes të veçantë edhe për studentët zviceranë. Cilët janë shqiptarët e mirë? Sa janë të integruar shqiptarët në Zvicër?
“A mendoni se shqiptarët janë të integruar në shoqërinë zvicerane”, ishte pyetja e parë për auditorin e këtij debati para fillimit të shfaqjes së filmit në një sondazh të lëshuar online. Një pjese e madhe e auditorit votoi gjatë kësaj kohe. Në përfundim të filmit përpara hapjes së debatit u treguan edhe rezultatet: 40 votuan se shqiptarët ishin pjesërisht të integruar, 22 u shprehën se ata ishin shumë mirë të integruar, ndërsa 6 u pozicionuan tek pyetja “a s’janë shqiptarët zviceranë”?, ndërsa 1 person votoi se shqiptarët s`janë aspak të integruar.
Çelja e debatit të menaxhuar nga Shoqata e Studentëve shqiptarë në Universitetin e Fribourg-ut kishte për qëllim një qasje akademike të problematikës së integrimit. Çfarë do të thotë integrim, cilat janë sfidat që paraqet integrimi, a ka një standard apo koncepti është abstrakt, cilat janë stereotipet që karakterizojnë shqiptarët? Ishin këto pyetjet që orientuan debatin.
Paneli i këtij debati përbëhej nga Dr. Florim Cuculi (mjek kardiolog në spitalin e Luzern-it), Dr. Math. Driton Komani (Docent nëBernë dhe Biel/Bienne), Miranda Ademaj (CEO Skënderbeg Alternative Investments AG, Zürich), Isabella Mühlematter (anëtare e partisë politike CVP, Këshilli komunal për çështje të integrimit, të medieve dhe të rinisë).
Problemi të mos izolohet vetëm te një kombësi
Jo rrallë në media dhe në një pjesë të opinionit, shqiptarët përballen me disa stereotipe si agresive, shumë patriotë, problematikë nga tendenca e radikalizimit të fesë etj. kritere të cilat ndikojnë në perceptimin e integrimit dhe cilësinë e tij.
Agresiviteti, kryesisht tek të rinjtë është një problem aktual që karakterizon një pjesë të rinisë shqiptare i cili nuk duhet anashkaluar. Është ky një problem i testosteronit të lartë tek shqiptarët apo një tendencë që karakterizon të rinjtë pa ndonjë identifikim kombësie? Është e vërtetë se ka raste tek të rinjtë shqiptarë të cilat e shprehin edhe statistikat, dhe ky fenomen duhet përmirësuar. Por nga ana tjetër problemi nuk duhet izoluar vetëm tek një kombësi dhe më pas të përgjithësohet. Për Dr. Komanin duhet shkuar në konkret dhe kuptuar që agresiviteti nuk është nje fenomen që i atribuohet një kombësie të caktuar.
Kohë identitetesh hibride
Për Dr. Florim Cuculin koncepti i patriotizmit është shumë abstrakt. Kemi të bëjmë me një identitet të dyfishtë që bën të ndjehemi edhe zviceranë edhe shqiptarë. Në një epokë kozmopolite, të ashtuquajturat identitetet hibride ose kombinimi i kulturave duhen pranuar si të tilla dhe ato duhen shikuar si një vlerë e shtuar.
Nga ana tjetër Dr. Komani shprehet se ashtu sikur patriotizmi është nocion abstrakt, i tillëështë edhe koncepti i integrimit. Cliché-të kur çohen në përgjithësime kanë një efekt kundërproduktiv në procesin e integrimit.
Elementi tjetër, feja dhe në veçanti islamizmi radikal është një tendencë tjetër për të stigmatizuar dhe që formon paragjykime në lidhje me procesin e integrimit por për të gjithë të ftuarit në panelin e debatit feja është një liri dhe e drejtë individuale e secilit por ajo nëse kthehet në doktrinë dhe instrumentalizohet, duhet dënuar.
Duke u rikthyer tek votimi online se a janë shqiptarët të integruar, vëremë që disa nga pjesëmarrësit në auditor, të cilët nuk kishin votuar akoma në fillim të debatit, filluan të votojnë duke rritur numrin e atyre që pozicionohen tek pyetja “a s’janë shqiptarët zviceranë”? Një pyetje retorike por që nënkupton që shqiptarët, sipas tyre, shikohen si zviceranë dhe jo si pjesë ndarëse e kësaj shoqërie.
Dritan Mustafaj
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë Festa e shoqatës “Bashkimi" nga Usteri kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë...
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Jeta në Zvicër
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës. Të mërkurën, ajo i kërkoi...
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara
-
Zvicra, kampion evropian në transportin hekurudhor