Zhvillim

Zvicra i paguan 45 milionë Kroacisë për “Fondin e Kohezionit”

Në këtë mënyrë ajo përmbush obligimet që ka marrë, sikurse edhe shtetet anëtare të BE-së, për të paguar për secilin shtet të ri që pranohet në BE

Zvicra, ashtu siç ishte zotuar, do të paguajë kontributin e saj në kuadër të “Fondit të Kohezionit” për Kroacinë. Kështu ka vendosur sot Dhoma Nacionale me 132 vota pro, 53 kundër dhe 6 abstenime, duke ndjekur vendimin e mëparshëm pozitiv që e pati marrë Dhoma e Kantoneve.

45 milionë franga duhet të paguajë Zvicra për shtetin më të ri të BE-së, Kroacinë. Në këtë mënyrë ajo përmbush obligimet që ka marrë, sikurse edhe shtetet anëtare të BE-së, për të paguar për secilin shtet të ri që pranohet në BE.

Kjo shumë të hollash shërben për të mbështetur përmbushjen e nevojave për modernizimin shoqëror dhe ekonomik të shtetit më të ri të Bashkimit Evropian.

Shuma e përgjithshme që Zvicra paguan për fondin e përmendur është 1.3 miliard franga.

Pas votimit më 9 shkurt të iniciativës kundër migracionit masiv, qe vënë në pikëpyetje vazhdimi i pagesës së fondit të kohezionit nga Zvicra. Më vonë është arritur pajtimi që kjo pagesë megjithatë të bëhet.