CH-Ballkani
Hani i Elezit – aty ku vjen era shtet
“Posti i kryetarit duhet të shihet si post në shërbim të popullit, e jo si privilegj. Duhet të jemi të vetëdishëm se mandatin e kemi marrë prej popullit dhe atij i japim përgjegjësi”, thotë Refki Suma. Ai udhëheq Komunën e Hanit të Elezit tash tre mandate, si i pavarur
Ditë e hënë. Ora 09.00 e mengjesit. Jemi në zyrat e Komunës së Hanit të Elezit, dhe presim takim me kryetarin e komunës. Përderisa ne bëhemi gati të pijmë kafenë e parë me të, kuptojmë nga bashkëpunetorët që ai është në përfundim e sipër të takimit të tij të tretë me palë. Me të hyrë brenda, kuptuam se ai kafenë e tij të parë tashmë e kishte pirë shumë më heret, me siguri diku rreth orës 06:00 të mëngjesit, kur rregullisht e fillon ditën e tij si kryetar komune. Modest, i përkushtuar dhe tejmase mikpritës, z. Refki Suma, ndan kohë të gjatë për të na treguar mbi punën dhe sfidat e tij si Kryetar i Komunës së Hanit të Elezi.
Albinfo.ch: Të fitohen bindshëm tre mandate të njëpasnjëshme për kryetar komune, pa asnjë fushatë, është padyshim indikator i kënaqësisë që kanë qytetarët me mënyrën se si udhëhiqet komuna e tyre. Cili është çelësi i një suksesi të këtillë?
Refki Suma: E para, posti i kryetarit duhet të shihet si post në shërbim të popullit, e jo si ndonjë post privilegji. Duhet të jemi të vetëdishëm se mandatin e kemi marrë prej popullit dhe atij i japim përgjegjësi. Une tërë jetën time, si para, ashtu edhe pas lufte, kam punuar për interesin e qytetarëve. Kur kam dalë si kandidat për kryetar komune, kam dalë si i pavarur. Nuk kam bërë premtime para qytetarëve, por kam qenë i mendimit që duhet të punojmë përbrenda asaj që kemi mundësi. Kërkesat e qytetarëve mund të jenë shumë të mëdha, mirëpo ne mundemi të zotohemi për vetëm aq sa na e lejon buxheti.
Albinfo: Si ka qenë gjendja në këtë komunë kur keni filluar punën?
Refki Suma: Hani i Elezit në vitin 2008 arrin të bëhet komunë me kompetenca të plota, pasi që paraprakisht ka qenë nën administrim të komunës së Kaçanikut. Në atë kohë nuk kemi pasur as administratë komunale. Gradualisht është rritur oferta e shërbimeve dhe njëkohësisht edhe numri i të punësuarve. Dhënia e letrave të njoftimit, pasaportave, regjistrimi i veturave, kadastri e kështu me radhë, deri para vitit 2008 kanë qenë nën kompetencat e komunës së Kaçanikut dhe pastaj janë bartur në komunën tonë. Gjatë kohës kur Hani i Elezit nuk ka qenë komunë, lirisht mund të them se as qendra e qytetit nuk ka qenë e shtruar me asfalt dhe me ndriçim. Ndërsa sot Hani i Elezit i ka të gjitha rrugët drejt fshatrave të shtruara me asfalt dhe pothuajse 100% të rrugëve të fshatrave janë të shtruara me kubëza betoni. Ndriçimi në të gjitha vendbanimet, qoftë edhe nëpër fshatra, ka përfunduar ose është në përfundim e sipër. Punë është bërë edhe në rregullimin e shtretërve të përrockave, është rregulluar stadium i futbollit, të gjitha shkollat i kemi të reja dhe të rregulluara pas luftës dhe të gjitha janë të pajisura me mjete moderne. Kategoritë e luftës dhe ato sociale i ndihmojmë vazhdimisht, dhe kështu me radhë.
Albinfo.ch: Si arrin qytetari t’ia shpreh një hall të vetin kryetarit të komunës?
Refki Suma: Po ka modele të ndryshme. Ka kryetarë të cilët kanë ditë të caktuara kur presin qytetarët, ose termine të caktuara. Te unë nuk ka kohë të caktuar. Kur të kenë nevojë qytetarët të takohen me mua, munden të vijnë pa paralajmërim, me kusht që unë të mos kem ndonjë obligim paraprak. Psh sot, deri në ora 07:30 i kam pasur 2 qytetarë. Zakonisht kur duan të më takojnë dhe të më gjejnë të lirë, u propozoj te vijnë mes orës 06:00 dhe 08:00 në mëngjes. Kjo është periudha që kam takime me shumicën e qytetarëve. Takime me qytetarët kam si gjatë, ashtu jasht orarit të punës. Ngandonjëherë edhe gjate fundjavës. Mbrëme, për shembull, deri në orën 22:00 kam qenë në terren duke mbikëqyrur asfaltimin e rrugës, i cili bëhej në atë kohë. Mund të them që më tepër më bjen të merrem me probleme personale të qytetarëve, sesa institucionale.
Albinfo.ch: A është ky sukses rezultat vetëm i punës tuaj, apo ka edhe përkrahje tjetër?
Refki Suma: Të gjitha këto punë nuk bëhen pa përkrahje. Shpesh njerëzit komentojnë se jam si kryetar i veçuar për punën që e bëj. Përgjigjja ime është se populli është i mirë. Mund të them se krejt këto merita i dedikohen popullit. Kur kam përkrahjen e popullatës dhe ajo është e mirë, atëherë edhe une si kryetar mundem ta kryej detyrën.
Albinfo: A mund të na thoni diçka për diasporën e Hanit të Elezit? Si janë marrëdhëniet me të?
Refki Suma: Realiteti është se përpara, kur nuk kemi qenë komunë, për gjithçka i jemi drejtuar diasporës. Nevoja ka pasur të ndryshme, si psh: për shërim të ndonjë personi, për rregullimin e ndonjë rruge apo ndonjë kanalizimi. Prej momentit kur jemi themeluar si komunë, kërkesa për ndihmë është zvogëluar dukshëm. Kur mbaj takime me diasporën, nuk është më si më heret kur i kemi thirrur për të na ndihmuar me ndonjë hall. Tash punët kan ndryshuar. Çdo vjet organizoj tubim për diasporën me karakter kulturor, sportiv dhe informativ. Fatmirësisht më në këto tubime nuk mblidhemi për të tubuar mjete, por kryesisht për t’i informuar se çka kemi bërë dhe për t’i falënderuar për atë që e kanë bërë për ne.
Albinfo: Cila do të ishte porosia e juaj drejtuar mërgimtarëve nëse do të kishin dëshirë të kontribuojnë në mënyrë më të institucionalizuar, të themi duke hapur ndonjë biznes në komunën tuaj?
Refki Suma: Një vështirësi reale të cilën ne e kemi është se në zonën urbane ne si komunë nuk posedojmë pronë. Ajo është kryesisht e privatizuar, ndërsa në pjesët më rurale është pronë e Ministrisë së Bujqësisë. Konkretisht, për ndërtimin e Shtëpisë së re të kulturës, na është nevojitur të kërkojmë prej fabrikës së çimentos të na lirojë një pjesë të tokës për ndërtim. Megjithatë, për secilin që dëshiron të hapë ndonjë biznes të ri, me rregulloren tonë, ne ato biznese i lirojmë nga taksa e biznesit për 3 vitet e ardheshme, ndërsa nëse biznesi regjistrohet në emër të ndonjë femre, apo punëson më tepër se 10 persona, atëherë ai biznes lirohet nga taksat komunale për biznes në 5 vitet e ardhshme.
Albinfo.ch: Korrupcioni si fenomen është mjaft i pranishëm në shoqërinë tonë. Si arrini ta luftoni atë në komunën të cilën ju udhëhiqni?
Refki Suma: Do ta ilustroj këtë me rast konkret. Unë për shembull dal edhe e kontrolloj vetë projektin. Ata që e bëjnë punën në terren i pyes direkt mos rastësisht ndonjë zyrtar i komunës i kushtëzon ose shantazhon. Punëtori im frikësohet edhe të shkojë në drekë nëse kompania realizuese e projektit e thërret për drekë nga droja se mos ndidhin keqkuptime. Duhet pasur parasysh se une jam kryetar tashmë tre mandate. Më tepër se gjysmën e zyrtarëve komunalë i kam pasur kundështarë politikë, megjithatë asnjë punëtor deri sot nuk ështe larguar prej pune, edhe pse shumë prej tyre e kanë merituar.
Albinfo.ch: Transparenca ështe një element i rëndësishëm në punën tuaj. Çka bëni konkretisht për ta bërë punën e komunës tuaj transparente?
Refki Suma: Mundeni lirisht të hapni faqen e Facebook-ut ku i publikojmë të gjitha aktivitetet. Për më shumë mund të konsultoni botimin e Vjetarit të cilin e botojmë për çdo vit, ku paraqesim aktivitetet, buxhetin e komunës, raportet e harxhimeve dhe kështu me radhë. Të gjitha vendimet i skenojmë dhe i publikojmë në këtë mënyrë. Publikimin e të dhënave në këtë mënyre, fillimisht na e ka ndihmuar DEMOS-i Zviceran dhe po të njejtin tash e praktikojmë çdo vit. Pos kësaj, praktika jonë është që secili planifikim i buxhetit për vitin në vijim të bëhet përmes dëgjimit të qytetarëve. Shkojmë në secilin fshat dhe organizojmë dëgjime të këtilla ku i pyesim se për çka kanë nevojë. Mund të duket e pabesueshme, por në këto dëgjime me qytetarët, jemi ne ata të cilët më tepër propozojnë sesa ata që kërkojnë.
Albinfo.ch: Cilat janë projektet dhe sfidat e juaja të radhës?
Refki Suma: Ajo çka momentalisht i nevojitet Hanit të Elezit ështe një sallë e sportit. Deri tash kemi salla të sporteve të cilat kanë qenë të ndërtuara në kuadër të shkollave, ndërsa tash jemi në përpilim e sipër të një projekti të një halle e cila do të shërbejë edhe si qendër sporti. Projekt tjetër me rëndësi që ka mbetur pa trajtuar, gjë për të cilën jemi në bisedime me ministritë përkatëse po edhe me Bankën Botërore, është rregullimi i shtratit të lumit Lepenc. Në po këtë projekt është paraparë edhe një shëtitore.
Albinfo.ch: Për fund, cila do të ishte porosia juaj për ata që e lexojnë këtë intervistë?
Refki Suma: Gjithsesi, që për të arritur ku jemi sot, nuk duhet harruar në veçanti ndihmën ndërkombëtare që na është ofruar. Këtu kisha dashur të veçoj përkrahjen e ofruar të shtetit zvicëran përmes projektit DEMOS (më përpara me emrin LOGOS), i cili na doli në ndihmë gjatë periudhës fillestare kur morëm kompetencat e plota si komunë.
E-Diaspora
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri? Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, tha se janë krijuar kushtet e...
-
Kurti mban fjalim në forumin ekonomik Zvicër-Kosovë, flet për “partneritet të fuqishëm”
-
Arbër Bullakaj, në krye të nismës për lehtësimin e natyralizimit të të huajve
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
Jeta në Zvicër
-
Më shumë se 640,000 fishekë snajperësh zviceranë thuhet se kanë shkuar në Ukrainë Municione snajperi nga kompania zvicerane P Defence thuhet se kanë mbërritur në Ukrainë në korrik 2023...
-
Kaosi i SBB i frustron udhëtarët: “Ka komunikim zero”
-
Bora paralizon qarkullimin në shumë vende në Zvicër
-
Bazeli do të votojë mbi koston e organizimit ‘blasfemik’ të Eurovizionit 2025
-
Zvicra mbetet kampione evropiane në hekurudha