Zhvillim

Helvetas zbut papunësinë në Novobërdë

Projekti “Aftësitë për Punësim Rural” (APR) që po zbatohet në katër komuna të Kosovës – Kamenicë, Novobërdë, Shtërpcë dhe Dragash tashmë ka krijuar besueshmëri te qytetarët dhe institucionet komunale për një punësim të shpejtë të të rinjve.

Novobërda me sipërfaqe prej 204 km katrorë dhe me rreth 10 mijë banorë (të etnive të përziera shqiptare, serbe dhe pjesëtarë të komunitetit RAE), ofron kushte të lakmueshme për kultivimin e mjedrës, dredhëzës dhe bimëve tjera frutore.

Falë projektit APR që po zbatohet nga organizata zvicerane HELVETAS, vazhdimisht e mbështetur nga DEZA, vetëm gjatë vitit 2014 janë trajnuar 95 persona në fushën e teknologjisë informative, të kultivimit të mjedrës dhe dredhëzës, të floktarisë si dhe për rrobaqepësi e tapiceri. Prej tyre 71 persona, me produktet e tyre, do të kenë aktivitet ekonomik që nga viti 2015 në krijimin e të ardhurave për përmirësimin e mirëqenies.

Në saje të ekspertëve, kjo zonë, si edhe zonat tjera ku shtrihet ky projekt, është vlerësuar si mjaft e përshtatshme, sidomos për kultivimin e dredhëzës dhe të mjedrës. Kultivimi i mjedrës, ndonëse një kulturë e re në këtë anë, tashmë ka zgjuar interesim të madh për banorët e Novobërdës. Nga 56 të rinj të trajnuar për kultivimin e mjedrës, 50 kanë vendosur që në vitet në vijim, aktivitetin e tyre ekonomik ta drejtojnë pikërisht në kultivimin e mjedrës.

Një marrëveshje e HELVETAS-it me kompanitë ekzistuese grumbulluese të kësaj kulture, siç janë  „Natyra“ në Stanishor dhe  „Te Xhema“ në fshatin Bunjak, por edhe mundësia e bashkëpunimit me kompani tjera që janë në dispozicion të grumbullimit si: „Besiana“ në Izvor, „Eurofruti“ në Mramor, si dhe kalkulimi për mundësinë e një përfitimi të arsyeshëm, ka ndikuar që të rinjtë të orientohen për këtë fushë të biznesit.

Kultivimi i mjedrës, një veprimtari dobiprurëse

Bashkë me prodhuesit e dredhëzës nga fshati Bostan, prodhuesit e mjedrës nga Kozniku, Makreshi i Ulët, Llabjani, Kufca dhe Tullari kanë shpresa të mëdha në suksesin e tyre, sidomos, për faktin se prodhimet e tyre janë qindpërqind bio dhe se HELVETAS-i do të  ndihmojë në gjetjen e tregut. Qysh tash dihet se për një kg mjedër prodhuesit do të marrin prej 1.00 – 1.45 €.

Flamur Beqiri nga Makreshi i Ulët, i cili udhëheq grupin prej 10 të rinjve, të cilët, kryesisht, janë studentë drejtimesh të ndryshme në Gjilan e Prishtinë, kanë mbjellë 50 ar tokë me mjedër.

Si te mjedra, po ashtu edhe te dredhëza, Helvetas u ka ndihmuar grupeve që, përveç trajnimit teorik të kultivimit të mjedrës dhe dredhëzes, t’u mundësojë edhe trajnimin praktik, duke ofruar fidanet si material trajnimi, kurse sistemi i ujitjes dhe çdo gjë tjetër (përgatitje toke, plehërim, mbjellje etj.) është kontribut nga të rinjtë, për të realizuar pjesën e mësimit teorik dhe praktik për kultivimin e mjedrës dhe dredhëzes. Ky trajnim ka mundësuar mbjelljen e gjithsej 2.5 ha me mjedër dhe 0.45 ha me dredhëz, thotë z.Besnik Kllokoqi zyrtar terreni për projektin APR. 

Një përfitues tjetër nga projekti APR është edhe Novica Cvetkoviq, pronar i firmës për qepje e tapiceri „Krsh Komerc“ nga Kufca e Epërme. Me përvojën e tij mbi 30-vjeçare dhe me ndihmën e HELVETAS-it, ai ka trajnuar 10 të rinj e të reja, prej të cilëve më pas 5 janë punësuar në firmën e tij. Për pajisjet e tij për qepje ai ka përfituar 50% të çmimit nga projekti APR.

Që të pesë personat e punësuar punojnë paralelisht në pesë makina qepjeje, duke prodhuar, sidomos, këllëfë jastëkësh dhe ulësesh karrigesh për autobusët e firmave të ndryshme transportuese kosovare. Po ashtu prodhojnë edhe këllëfë për syze, bëjnë tapiceri për dyer, për mobilje hotelierike, për shtretër etj.

Përmirësimi i zinxhirit furnizues

Krahas punës me të rinjtë, projekti ka dhënë një kontribut të shtuar në përmirësimin e zinxhirit furnizues-fermerët e sektorit të pemëtarisë, bletarisë dhe bimëve pyjore jodrusore. Krahas trajnimeve në sektorin e pemëtarisë, projekti ka mbështetur 8 fermerë kultivues të mjedrës me përmirësimin e sistemit të ujitjes, me qëllim përmirësimin e cilësisë dhe sasisë së mjedrës.

Komuna e Novobërdës, është e pasur me florën natyrale dhe resurse tjera natyrore. Me qëllim të shfrytëzimit të tyre për të krijuar të ardhura ekonomike, projekti ka ofruar trajnim për 45  grumbullues, të cilët kanë përftuar njohuri në njohjen dhe grumbullimin e bimëve të malit. Përpos trajnimit, projekti ka mundësuar që të trajnuarit të krijojnë lidhjen me qendrat lokale të grumbullimit të këtyre bimëve, me qëllim që i gjithë produkti që grumbullohet të ketë një shitje të sigurt. Vlen të përmendet se, përpos trajnimit për grumbullimin e bimëve të malit në mënyrë natyrale, projekti, në bashkëpunim me kompanitë rajonale (Agroprodukt ShPK në Istog), i ka mbështetur 14 fermerë në mbjelljen dhe kultivimin e mullagës së zezë. Tregu i blerjes ka qenë i garantuar, bima (lulja e saj) është shitur si produkt i terur; 1 kg i lules së thatë është shitur në vlerën nga 8 deri në 10 euro. Nga një investim simbolik, fermerët, me kujdes të duhur dhe me ndihmën e projektit, nga një sipërfaqe prej 0.05 ha kanë arritur të nxjerrin nga 80 deri 150 kg lule të thatë, apo shprehur në valutë nga 800 deri në 1500 euro shitje.    

Një sektor tjetër me rëndësi është prodhimi i mjaltit. Tradicionalisht, mjalti i komunës së Novobërdës dallohet për cilësi për shkak të zonës së pastër, praktikisht, bletarët ende nuk kanë arritur që të rrisin cilësinë e tij; përpos cilësisë së ulët edhe sasia e prodhuar është e ulët. Andaj, projekti APR në bashkëpunim me bletarët kanë disenjuar planin e trajnimit i cili ka për qëllim që të rrisë cilësinë dhe sasinë e mjaltit dhe llojllojshmërinë e produkteve. Interesi për të ndjekur trajnimet e këtij qëllimi ka qenë i madh. Gjithsej 48 bletarë janë mbështetur nga projekti, duke ndjekur sesionet e trajnimit për bletari.

Projekti ndihmon bizneset ekzistuese në ngritjen e kapaciteteve të stafit, me qëllim që të rrisin efikasitetin dhe produktivitetin në punë. Trajnime të tilla janë organizuar për ndërmarrje të vogla në fushën e kontabilitetit, marketingut dhe menaxhimit të biznesit. Po ashtu, trajnime janë ofruar për punëtorët e pikave të grumbullimit të bimëve të malit dhe kërpudhave, posaçërisht në klasifikimin, higjienën, përpunimin dhe paketimin e tyre.

Stafi i pikës grumbulluese “Natyra” në Stanishor, i përbërë nga 13 punëtorë, ka ndjekur trajnimin 10 ditor nga konsulenti i cili është angazhuar në bashkëfinancim nga projekti APR dhe kompania në fjalë. Sot, punëtorët e kompanisë “Natyra”, kanë rritur efikasitetin e punës dhe janë më të kujdesshëm në punën e tyre, sidomos për produktet që janë për tregun ndërkombëtar. 

Xhevdet Kallaba