Zhvillim
Helvetas dhe MDA ndihmojnë përshtatjen e universiteteve me tregun e punës
Mungesa e komunikimit të institucioneve arsimore me kërkesat e tregut të punës bën që kurikulat akademike mësimore të mos u përgjigjen nevojave të tregut të punës
Zhvillimi i shkathtësive të duhura ofron mundësi më të mëdha për punësimin e të rinjve. Në kuadër të projektit Rritja e Punësimit për të Rinj (EYE – Enhancing Youth Employment), fokus i veçantë i është kushtuar lehtësimit të tranzicionit të të rinjve nga arsimi në botën e punës dhe afrimit të institucioneve të arsimit me nevojat e tregut të punës.
Mungesa e komunikimit të mjaftueshëm të institucioneve arsimore me kërkesat e tregut të punës ka rezultuar që kurikulat, përkatësisht programet akademike mësimore të mos u përgjigjen nevojave të tregut të punës.
Gjatë hulumtimit të një modaliteti për përputhjen e shkathtësive të ofruara nga institucionet arsimore me nevojat e tregut të punës, HELVETAS dhe MDA (Management and Development Associates) në bashkëveprim me DEZA-n, ka identifikuar modelin e komunikimit – Bordin industrial që funksiononte si trup joformal këshilldhënës që nga viti 2008 në kuadër të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (në tekstin e mëtutjeshëm FIEK) në Prishtinë. Me qëllim të formalizimit dhe fuqizimit të këtij Bordi, projekti EYE përmes ekspertizës nga Universiteti i Pitsburgut prezantoi modelet e ngjashme të bordeve nga SHBA dhe shtetet e Bashkimit Evropian. Grupi punues i përfaqësuar nga FIEK, sektori privat dhe Universiteti i Prishtinës zhvilluan rregulloren për themelimin dhe parimet e funksionimit të këtij bordi.
Si rezultat i këtij bashkëpunimi, Senati i Universitetit të Prishtinës, më 22 maj 2014 merr vendim për miratimin e Rregullores mbi Bordin Industrial Këshilldhënës të FIEK-ut, në Universitetin e Prishtinës „Hasan Prishtina“ .
„Nga rekomandimet e këtij bordi industrial FIEK-u ka arritur që t’i akreditojë të gjitha programet akademike me të cilat ka aplikuar në Agjencionin e Akreditimit të Kosovës“, thotë Majlinda Rizvanolli – Bajraktari, eksperte për zhvillimin e shkathtësive në projektin EYE. Në tetor të këtij viti janë regjistruar 460 studentë që kanë filluar t’i vijojnë studimet, duke u bazuar në këto programe akademike, në nivelin Bachelor dhe 120 në nivelin Master që janë në fillim e sipër“.
Bordi industrial ësthë vullnetar dhe deri tani ka kontribuar në dy komponente kryesore. Kontributin e parë e ka pasur në reformimin e planprogrameve, duke mos qenë vendimmarrës, por vetëm si këshilldhënës, dhe komponenta e dytë, që ka qenë shumë e dobishme për ne, ka qenë fakti se përmes këtij bordi ne kemi ngritur iniciativën që në planprogramet tona ta bëjmë obligative praktikën profesionale në studimet bachelor“, thotë dekani i FIEK-ut, Prof. Asoc. Dr. Enver Hamiti. Kjo simbiozë e bashkëjetesës së Bordit me FIEK-un ka rezultuar që studentët të kenë lehtësira në gjetjen e ndërmarrjeve për kryerjen e praktikës profesionale.
„Pra, të gjithë studentët e vitit të tretë obligohen që t’i mbajnë 150 orë praktikë në njërën nga këto kompanitë e mëdha, dhe për këtë praktikë studentët tanë marrin kredi (sipas sistemit të Bolonjës, një kredi është e barasvlershme me 25 orë punë praktike), që i bie se për 150 orë punë praktike ai fiton gjashtë kredi. Mirëpo studenti është po ashtu i obliguar që njohuritë e fituara në kompani t’i prezantojë para një komisioni të përbërë prej tre anëtarëve që vijnë: një nga industria dhe dy nga fakulteti“, shprehet dekani i FIEK-ut Enver Hamiti.
„Ideja jonë është që të lobojmë edhe te përfaqësitë e huaja diplomatike që studentëve tanë t‘ u mundësohet mbajtja e praktikës profesionale edhe në shtetet prej nga vijnë ata diplomatë. Kjo do të ishte një kurorëzim interesant i krejt aktivitetit që e bëjmë ne. Duke pasur parasysh numrin e vogël të kandidatëve tanë që arrin diku 150 – 160 nuk do të ishte problem i madh distribuimi i tyre“, shton dekani i FIEK-ut z. Hamiti.
Rezultatet e para të këtij bashkërendimi mes Bordit Industrial dhe FIEK-ut tashmë janë të prekshme. Gazmend Kajtazi, menaxher i ndërmarrjes për zhvillimin e softuerëve, telekomunikacionit dhe edukimit „INTERADRIA“, në Prishtinë, e që njëherit është edhe kryetar i Bordit Industrial, me këtë rast shprehet: „ gjatë vitit 2014, në ndërmarrjen tonë, praktikën industriale e kanë kryer 16 studentë. Ata kanë pasur orar të plotë të punës, programin e zhvillimit, programin e aftësimit, dhe kanë pasur detyra konkrete. Prej 16 studentëve që e kanë përfunduar me sukses praktikën profesionale, katër i kemi ndalur këtu dhe ata tani janë inxhinierë kompetentë në fushën e vet, dhe ata tani na përfaqësojnë denjësisht në trajnime e simpoziume që organizohen në Francë, në Spanjë, Zvicër e gjetiu. Kemi po ashtu dy doktorë shkencash të organizatës sonë „INTERADRIA“ që ligjërojnë në Suedi. Pra, këto shifra dhe rezultate konkrete, besoj, mjaftojnë për përkrahjen e një iniciative të tillë të bordit, pra, për ta afruar studentin kah industria, dhe gjithashtu e tregon edhe besueshmërinë tonë në cilësinë e tyre, duke i rekrutuar, pra, katër prej tyre vetëm brenda një viti“, thotë z. Kajtazi për albinfo.ch.
Ndryshe, në ndërmarrjen INTERADRIA gjatë tetë vjetëve të fundit janë të punësuar rreth 100 punëtorë, prej të cilëve 16 janë inxhinierë. Kjo ndërmarrje ka aktualisht tetë ekipe që paralelisht kryejnë punë në ndërmarrje të ndryshme si në PTK e gjetiu.
„Wifi Offload është projekti të cilin jemi duke e punuar tash e disa muaj në bashkëpunim me Aruba dhe Accuris për PTK dhe Vala. Ky projekt nënkupton furnizimin e tërë klientelës së Valës me internet të shpejtësisë dhe kapacitetit të madh dhe shërbime tjera në tё gjitha pikat e qasjes“, thotë punëtorja e INTERADRIA-s, Arzana Kastrati.
Inxhinieri Albert Gegaj, i cili studimet i ka mbaruar në SHBA tani është i lumtur dhe krenar që dijen e fituar arrin ta zbatojë në shtetin e tij dhe pikërisht në ndërmarrjen INTERADRIA.
Duke e arsyetuar punësimin e ekspertëve tanë në Kosovë, z. Kajtazi me mburrje thotë: „Ne jemi të interesuar që të prodhojmë produkte për të tjerët e jo të prodhojmë kuadro për të tjerët“.
Gazmend Kajtazi më tutje sqaron se ai me inxhinierët e tij janë duke zhvilluar një sistem i cili menaxhon efiçiencën energjetike prej burimeve të ndryshme energjetike si: burimet gjeotermale, burimet diellore dhe burimet nga era. Ky sistem ka për të qenë një platformë e zhvillimit të menaxhimit të resurseve energjetike të INTERADRIA-s e cila do të ketë si portfolio të produkteve për depërtimin e saj në tregjet evropiane. Shkurt, ky sistem kishte për të qenë konkurrent me sistemet për menaxhimin energjetik, jo vetëm për ndërtesat e veçanta dhe shtëpitë e banimit në Evropën Perëndimore, por edhe sistem për menaxhimin e objekteve më të mëdha energjetike, të cilat, sipas llogarive të deritashme, mund të kursejnë deri në 30% të energjisë me aplikimin e menaxhimit çfarë e kanë menduar këta inxhinierë. Pra, ky sistem është zhvilluar pikërisht me studentët e FIEK-ut dhe me platformat e propozuara nga ky bord industrial; platformat e edukimit suplementar, të cilat i kanë absorbuar gjatë studimeve të tyre.
Duke parë dobitë e një mekanizmi të tillë të komunikimit ndërmjet sektorit privat dhe institucioneve të larta të arsimit, Universiteti i Prishtinës „Hasan Prishtina“ ka shprehur gatishmërinë të themelojë borde të këtilla në të gjitha njësitë akademike.
„Misioni i projektit do të jetë përforcimi i komunikimit me sektorin privat edhe në nivel të shkollave profesionale dhe këtë synojmë ta bëjmë gjatë vitit të ardhshëm, ngase ato kanë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë“, konstaton ekspertja e projektit EYE, Majlinda Rizvanolli.
Xhevdet Kallaba
Të tjera nga Zhvillim
E-Diaspora
-
Ka mashtruar me baste sportive: Gjykata Federale konfirmon dëbimin e kosovarit Gjykata e Qarkut e kishte dënuar vetëm me burgim me kusht por ai ishte ankuar dhe...
-
Deputeti i Parlamentit të Konfederatës Zvicerane, Islam Alijaj pajiset me pasaportë të Kosovës
-
Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”: “Ne nuk harrojmë!”
-
Rreth katër orë pritje në Merdarë për të dalë nga Kosova
-
Ka shkatërruar Ferrarin e tij, 43 muaj burg dhe 6 vjet dëbim për kosovarin
Jeta në Zvicër
-
Inflacioni: Kush i përcakton çmimet? Çmimet vazhdojnë të rriten, por më pak se në vitet e mëparshme. Këtë e tregojnë shifrat...
-
Më shumë zyra bosh në Zvicër
-
Ushtria zvicerane shkurton shpërndarjen e uniformave për të kursyer miliona
-
2025 sjellë ndryshime lidhur me pensionet, çka duhet të dini?
-
Mashtruesit vodhën miliona subvencione për transportin publik