Integrimi

Bëhen bashkë elektricistët shqiptarë të Zvicrës

Në shtator është realizuar takimi i parë i elektricistëve në Cyrih, në qytetin ku vepron Vullnet Veseli, iniciator i këtij takimi

Askush nuk e di saktësisht se sa firma shqiptare operojnë në Zvicër. Të gjitha përpjekjet e deritashme për rrjetëzimin e tyre si duket kanë dështuar.

Llogaritet të jenë aktive mbi 5 mijë biznese shqiptarësh në Zvicër, ndërsa për bashkim e një pjese të tyre ka menduar Vullnet Veseli, një ndërmarrës që menaxhon një firmë me emrin Elektro Gonzen GmbH në Dietikon. Kjo firmë vepron nga viti 2007, një ndër të parat shqiptare të kësaj fushe në Zvicër.

Vullneti është me prejardhje nga Rainca e Luginës së Preshevës, ndërsa ai thotë se ka arritur të bëjë bashkë një grup prej rreth 200 anëtarësh, firmash dhe individësh shqiptarë në fushën e shërbimeve elektrike që punojnë në Zvicër. Nisur nga kjo shifër, Vullnetit i lindi ideja që të bëjë një organizim mes firmave në sektorin e energjisë elektrike që të paktën në fillim të njihen me njëri-tjetrin, raporton albinfo.ch.

„Ideja për t’u bërë bashkë vjen nga fakti që jemi shqiptarë, por edhe profesionistë që mund të realizojmë projekte të përbashkëta, dhe t’u japim fund pyetjeve të përditshme: pse me shqiptarët, pastaj të marrin përsipër realizimin e projekteve të mëdha në këtë fushë“, thotë për albinfo.ch Vullnet Veseli, që mban titullin profesional eidg. Dipl. Elektroinstallateur (elektronistalues me diplomë federale)

Bashkimi i elektricistëve shqiptarë ka nisur nëpër rrugë virtuale nëpërmjet rrjeteve sociale. Tashmë është realizuar edhe takimi i parë i tyre në muajin shtator në Cyrih, në qytetin ku vepron Veseli. Ftesës së Vullnetit me origjinë nga Rainca i janë përgjigjur në takimin e parë mbi 20 elektricistë. „ Edhe pse grupin tonë figurojnë rreth 200 anëtarë, firma elektriciste dhe elektricistë individualë ndërsa në takimin e parë erdhën mbi 20 firma. Erdhën nga e tërë Zvicra, por nuk i jam i kënaqur me interesimin e tyre“, tregon Veseli.

Por ai nuk është dekurajuar dhe thotë se do të punojë në sensibilizimin e komunitetit shqiptar të biznesit në Zvicër, sidomos në fushën e elektricistes.

Iniciatori për bashkimin e firmave elektrike në Zvicër, Vullnet Veseli, thotë se ata kanë nevojë në fillim të identifikojnë të gjitha firmat e kësaj fushe. „Faza e parë është të bëhet rrjeti këtu dhe të shohim se çfarë kapaciteti profesionistësh në fushën e elektricistikës kemi në Zvicër“, ka deklaruar Veseli, i cili paralajmëron edhe takime të radhës, në një format ndoshta më formal dhe pse jo, edhe në panaire apo forume të elektricistëve.

Veseli ka përfunduar shkollimin e lartë si eidg. dipl. Elektroinstallateur pastaj si ekspert i sigurisë elektrike dhe në menaxhim të projekteve. Ai, duke promovuar platformën e elektricisteve të bashkuar tha se janë të gatshëm të ofrojnë ekspertizën e tyre në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni nëse kërkohet në mënyrë të organizuar nga institucionet e atjeshme profesionale.

Vullneti është edhe ekspert për provimet profesionale në Kantonin e Cyrihut, dhe është udhëheqës teknik për Ligjin e Rrymës elektrike sipas NIV në dy firma të tjera. Njëra prej tyre është firma shqiptare shumë e njohur “MultiNet Communikation GmbH”.

Në Zvicër ekzistojnë 3 shoqata kryesore të elektricistëve. Përse të mos u shtohet edhe një tjetër, ajo e firmave shqiptare? Ideja e Vullnet Veselit është që si shoqatë shqiptare kjo të bëhet shoqata e parë e një nacionaliteti tjetër në Zvicër, krahas shoqatave të përmendura zvicerane. Diçka e tillë nuk ka ekzistuar më parë. “Me shoqatën tonë duam të ndihmojmë rininë tonë për t`u aftësuar në zanate të ndryshme në këtë fushë dhe njëkohësisht do të jemi një qendër kryesore për shqiptarët sa i takon kësaj fushe”, përfundon Vullnet Veseli.