Integrimi

Ahmeti: Zgjidhje nuk është lëshimi i Kosovës por ballafaqimi me të keqen

Të premten në Bernë është shënuar përvjetori i katërt i platformës albinfo.ch me ç`rast është mbajtur edhe konferenca me temën rreth kontributit të diasporës në zhvillimet në Kosovë. Mysafir special ka qenë Shpend Ahmeti, kryetar i Prishtinës

Në vitet e fundit nuk është ndërtuar ndonjë perspektivë ku qytetarët ta shohin veten duke jetuar në gjendje normale  pas 5 a 10 vitesh në Kosovë. Si ta arsyetojmë faktin se edhe sot, në vitin 2014 kaq shumë shqiptarë ia mësyjnë shtetit që kaq shumë i janë frikësuar, Serbisë për të paguar pastaj dikë që do t`i nxjerrë drejt vendeve perëndimore. Dhe më e keqja është se shteti nuk ka strategji si të dilet nga kjo.

Fakti se 50% e popullatës së Kosovës janë më të rinj se 25 vjet, vërtet është potencial i jashtëzakonshëm por aktualisht ai është bërë një barrë e jashtëzakonshme për Kosovën, në kushtet kur ata nuk shohin perspektivë në vendin e tyre. Këto kanë qenë disa nga vrojtimet që ka bërë kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti para një publiku të madh dhe të zgjedhur në konferencën e organizuar me rastin e 4 vjetorit të platformës albinfo.ch, në Bernë.

Duke qenë mysafir special i mbrëmjes, funksionari që vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje ka qenë gjatë gjithë kohës në qendër të vëmendjes të pjesëmarrësve, edhe pse bashkë me të ishin edhe gjashtë panelistë të tjerë. Në mesin e tyre Andreas Gross nga SP/PS, Ueli Leuenberger deputet nacional dhe ish kryetar i partisë së gjelbër, Ueli Leuenberger, Leonard Bender nga FDP/PLR dhe Sarah Grettler, ish kryetare e kuvendit të albinfo.ch.

Tema e mbrëmjes kishte të bënte me kontributin e politikanëve të rinj nga diaspora që mund ta japin në vendet e prejardhjes dhe për këtë ishin ftuar të flisnin katër politikanë të rinj shqiptarë të partive të ndryshme. Fjala është për Qëndresa Sadriun këshilltare në komunën Glattbrugg të Cyrihut, Përparim Avdilin, kandidat për deputet kantonal nga FDP e Cyrihut, Llesh Duhanajn, kryetar i forumit të Kosovarëve Demokristianë në kadër të partisë CVP dhe Blerim Bunjaku, kandidat kantonal dhe nacional për deputet nga EVP.

Sigurisht, prania e mysafirit special nga Prishtina ka hijezuar pak pjesëmarrjen në debat të politikanëve të përmendur, të cilët megjithatë kanë dhënë kontributin që është kërkuar nga ata.

Pyetjes së moderatorit se si mund të shohin në Kosovë politikanët e rinj shqiptarë efektin e punës së tyre në Zvicër favor edhe të Kosovës, ata i janë përgjigjur në mënyra të ndryshme.

Avdili ka theksuar se është normale që pritet nga ne të ndihmojmë në zhvillimin e demokracisë në vendet prej nga vijmë por ka probleme edhe me mentalitetin e korrupsionit që është krijuar atje dhe disa gjëra është vështirë të aplikohen.

Llesh Duhanaj ka folur për nevojën që përvojat e fituara në Zvicër të barten në Kosovë, por ka theksuar problemet që paraqiten në këtë rrugë. Ai njëkohesisht ka shprehur keqardhjen që në këtë panel nuk ka pasur edhe përfaqësues të qeverisë, të cilët duhej të ballafaqoheshin me pyetjet dhe kritikat. Ndërsa Shpend Ahmeti i takon një partie që në nivel qendror është në opozitë, ka theksuar ai.

Blerim Bunjaku është shprehur se në raport me Kosovën ka pasur përvoja më shumë si njeri afarist dhe më pak si politikan. Edhe ai ka vënë theksin në problemet që i paraqiten cilitdo që përpiqet të sjellë përvojat e tij nga perëndimi në Kosovë.

Duke folur për gjendjen në komunën që drejton, Prishtinën, Shpend Ahmeti ka zënë në gojë edhe korrupsionin që ka hasur në atë mes. “Prej fillimit të mandatit kemi bërë 70 padi kundër keqpërdorimeve në komunë. Pas kësaj kemi pasur qindra mesazhe të përgëzimit të atyre që e përkrahin luftën kundër korrupsionit dhe për drejtësi”, ka thënë ai.

Më tutje ai ka bërë fqasje kritike edhe ndaj punës së ndërkombëtarëve në raport me Kosovën. “Në 5 vitet e fundit për ta ka qenë dialogun Kosovë-Serbi, si gjëja më e rëndësishme ndërsa gjithçka tjetër është injoruar në emrin e stabilitetit”, ka thënë Ahmeti. Por, ai këtë e ka quajtur stabilitet të brishtë në mes të dy shteteve jonormale. “Serbia është shtet abnormal për shkak të mosballafaqimit të saj me të kaluarën ndërsa Kosova po ashtu shtet abnormal për shkak të mosballafaqimit me të sotmen e korrupsionit galopant”, ka thënë Shpend Ahmeti. Dhe duke folur për korrupsionin si kancer të shoqërisë kosovare ai ka thënë se “kushdo që tenton ta ndryshojë situatën ballafaqohet me probleme të shumta”. Në këtë kontekst ai ka përmendur se ka pasur disa kërcënime ndaj tij. Megjithatë, politikani i VV-së ka thënë se  “zgjidhje nuk është dalja në Evropë dhe ikja për azil por qëndrimi në Kosovë, ballafaqimi me të keqen dhe një program ekonomik që jep shpresë për të mbetur aty.

Më tutje ai i është kthyer edhe diasporës. “ Ka një dallim në mes të gjeneratave tuaja këtu. Brezi i parë është ende me një këmbë në Kosove e me tjetrën në Zvicër. Ndërsa gjenerata e dytë, e lindur këtu ka synime më të qarta për integrim në sistemin e këtushëm shoqëror dhe politik. Është mirë që të angazhohen në parti të ndryshme sepse në këtë mënyrë sigurohet një prani sa më e gjerë e shqiptarëve në partitë në fjalë”. Ahmeti ka përmendur edhe problemet burokratike e të tjera që mërgimtarët kanë për të marrë pjesë në zgjedhjet në Kosovë.

Ndërsa ai, duke folur për shfrytëzimin e eksperiencave të të rinjve nga Zvicra ka përmendur rastin e një arkitekti që është angazhuar në komunën e Prishtinës. “Sot ai bën shumë projekte të vlefshme për qytetin dhe dallon shumë nga punëtorët që punojnë aty me vite. Përparësia e angazhimeve nga diaspora është se ju e keni parë se si mund të funksionojë një shtet normal dhe mund t`i aplikoni këto përvoja edhe në Kosovë.

Andreas Gross ëshë parlamentar shumëvjeçar dhe kryetar i Grupit Parlamentar socialdemokrat në Këshillin e Evropës si dhe deputet në Parlamentin Nacional të Zvicrës nga Partia Socialdemokrate. Ai është i njohur edhe për faktin se para 25 vitesh ka qenë bashkëthemelues i organizatës për një Zvicër pa Ushtri (GSOA). Gross, që është një personalitet me shumë peshë në jetën politike zvicerane dhe evropiane, prej dje është edhe kryetar i albinfo.ch.
Në fjalën e tij mjaft përmbajtjesore, Andreas Gross ka dhënë një leksion rreth asaj çka është demokracia dhe çka kuptohet me këtë koncept në vendet  që me demokracinë janë duke i bërë hapat e parë.

“Më shumë guxim na nevojitet në raport me miqtë se me ata që nuk i kemi miq. Prandaj , si kudo edhe në vendet ku jetojnë shqiptarët duhet të fitohet ky guxim për tu ballafaquar me situatën katastrofale atje”, ka thënë Gross duke iu referuar konkretisht situatës në Kosovë.

Ai ka shpalosur përvojat që ka pasur si udhëheqës organizatash që kanë vëzhguar zgjedhjet në Ballkan. Gross ka thënë se ka njohur demkracitë e reja në “pesë vendet e banuara me shqiptarë”  ku ka qenë në cilësinë e përmendur. Në këto vende si edhe në tërë Ballkanin dhe vendet e dala nga komunizmi, zgjedhjet përjetohen si një “luftë për jetë a vdekje”. Por thelbi i demokracisë nuk konsiston në këtë. Demokracia  është një proces i përjetshëm mësimi në përpjekje për të arritur përsosjen. Demokracia është vetëm një ndarje e fuqisë, askush në demokraci nuk e ka fuqinë si i vetëm. Mjerisht në vendet ballkanike dhe sigurisht në ato shqiptare, raportet me shtetin njihen historikisht vetëm si raporte me diktaturën. Zgjedhja në poste politike nuk duhet të shikohet si një mundësi për tu pasuruar dhe duhet ndarë ekonomia nga politika. Në vendet për të cilat po flasim është e kundërta, ka thënë Gross.

Mbrëmja ka vazhduar me një apero të pasur që ka shërbyer edhe për njohje të ndërsjella në mes të të pranishmëve dhe për këmbim mendimesh.

Përveç panelistëve, në këtë mbrëmje kanë marrë pjesë edhe një numër mysafirësh nga politika, sporti dhe arti. aty kanë qenë: ambasadori i Kosovës në Bernë, Naim Malaj, ministri këshilltar i kësaj ambasade Mustafë Xhemajli, konsulli i përgjithshëm në Gjenevë, Ramadan Avdiu, ushtruesi i detyrës i ambasadorit të Maqedonisë, Rafet Dauti, konsullja e Shqipërisë, Oliverta Radomi, konsulli i nderit i Shqipërisë në Zvicër Edwin Rüegg, ushtruesja e detyrës e drejtorit të Qendrës Kulturore të Kosovës në Cyrih etj. Po ashtu aty ishin edhe ish komandanti i njohur i UÇK-së dhe deputeti i lëvizjes VV, Rexhep Selimi dhe Shemsi Syla ish epror i lartë i UÇK-së dhe i TMK-së. Të pranishëm kanë qenë edhe kampioni evropian i boksit, Arnold Gjergjaj, përcjellësja e dytë e Mis Zvicra 2014, Saranda Maliqi etj.

Ahmeti: Serbia dhe Kosova “shtete abnormale”

“Në 5 vitet e fundit për ta ka qenë dialogun Kosovë-Serbi, si gjëja më e rëndësishme ndërsa gjithçka tjetër është injoruar në emrin e stabilitetit”, ka thënë Ahmeti. Por, ai këtë e ka quajtur stabilitet të brishtë në mes të dy shteteve jonormale. “Serbia është shtet abnormal për shkak të mosballafaqimit të saj me të kaluarën ndërsa Kosova po ashtu shtet abnormal për shkak të mosballafaqimit me të sotmen e korrupsionit galopant”, ka thënë Shpend Ahmeti.

Gross: Zgjedhjet në Ballkan përjetohen si luftë për jetë a vdekje

Në tërë Ballkanin dhe vendet e dala nga komunizmi, zgjedhjet përjetohen si një “luftë për jetë a vdekje”. Por thelbi i demokracisë nuk konsiston në këtë. Demokracia  është një proces i përjetshëm mësimi në përpjekje për të arritur përsosjen. Demokracia është vetëm një ndarje e fuqisë, askush në demokraci nuk e ka fuqinë si i vetëm. Mjerisht në vendet ballkanike dhe sigurisht në ato shqiptare, raportet me shtetin njihen historikisht vetëm si raporte me diktaturën. Zgjedhja në poste politike nuk duhet të shikohet si një mundësi për tu pasuruar dhe duhet ndarë ekonomia nga politika. Në vendet për të cilat po flasim është e kundërta”, ka thënë Gross.