Integrimi

Kosovari ia sheh sherrin aksidentit, ia gjejnë tre ilegalë në makinë

Pas përplasjes, shoferi tjetër kishte vënë re se disa udhëtarë kishin ikur nga makina e aksidentuar. Këtë dëshmi ai ia kishte dhënë policisë së ardhur në vendin e ngjarjes

Një aksident i një makine udhëtarësh, që ka ndodhur në mëngjesin e hershëm të së mërkurës në autostradë afër Nittendorf-it ka zbuluar se shoferi i makinës mercedes ishte duke kontrabanduar refugjatë. Ai ishte ndeshur me një kamion, dhe ndeshja për fat, kishte kaluar pa pasoja të rënda.

Por, pas përplasjes, shoferi i kamionit kishte vënë re se disa udhëtarë kishin ikur nga makina e aksidentuar. Këtë dëshmi ai ia kishte dhënë policisë së ardhur në vendin e ngjarjes.

Mirëpo shoferi i mercedesit, një shtetas kosovar, fillimisht e kishte mohuar dhe ndërkohë prapë e kishte pranuar se në makinë i kishte pasur tre bashkatdhetarë të tij, shkruan Wochenblatt.de.

Policia i kishte kapur tre te ikurit të cilët ishin strehuar në një pyll aty afër. 

Siç kishte pranuar më vonë kosovari, ai i kishte marrë në një pompë benzine tre persona (23, 26 dhe 54 vjeç), që ia kishin mësyrë Gjermanisë.

Tre personat e përmendur, pas përfundimit të masave policore ndaj tyre janë dërguar në një qendër pranimi të azilit, shkruan wochenblatt.de. Ndërkaq, ndaj shoferit 46 vjeçar me banim në Gjermaninë veriore është ushtruar kallëzim penal për shkelje të ligjit mbi qëndrimin e të huajve në Gjermani, me këtë rast për futjen ilegale në Gjermani të  disa bashkatdhetarëve të tij.