E-Diaspora

Takimi me historinë

Gjatë kësaj vere, duke pritur në zyrën e sigurimeve në kufi të Kosovës, m’u paraqit daja im, duke më pyetur se ku isha. Iu përgjigja: “Po paguaj haraçin për të hyrë në Kosovë. Deri dje dhamë çdo gjë për ta çliruar vendin, sot paguajmë që të mund të vizitojmë familjen”. Fjalët e mia i erdhën si kripë në sy agjentit të sigurimeve, i cili ma dha polisën e sigurimeve me përçmim.

Duke pritur radhën në kufi, ndjeja një aversion, një plogështi të papërshkrueshme, një rezignim me idenë se ky vend nuk do të ndryshojë kurrë. Por, e kisha ndoshta gabim, sidomos kur shoh entuziazmin që ka kapluar Kosovën gjatë kësaj vjeshte, me gjeneratën e re të vendimmarrësve që po profilohen për fitoren e zgjedhjeve të 6 tetorit, me Albin Kurtin në krye.

Tani i them vetes se Kosova ka fat që i ka ata. Ndoshta diaspora ua di më mirë vlerën atyre dhe arrin të kapë mesazhin dhe vizionet e tij politike, ngase janë pikërisht në përputhje me vendet e zhvilluara, ku ata jetojnë dhe veprojnë me dekada. Ky fakt u pa në zgjedhjet e kaluara legjislative, ku lëvizja Vetëvendosje shpërtheu si partia politike kryesore në Kosovë dhe mbështetjen që ia dha diaspora.

Më 6 tetor kosovarët kanë takim me historinë. Këto lloj momentesh janë të rralla. Ky takim nuk guxon të dështojë, sepse do të shënojë fillimin e çlirimit nga padronët që kanë marrë peng një vend të tërë dhe ku u sakrifikua një gjeneratë e plotë, me iluzione të humbura. Ky takim, me fitoren e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, do të shënojë hyrjen e Kosovës në familjen demokratike evropiane dhe sendërtimin e një shteti modern të shumëpritur kosovar. Në këtë proces çdo pjesëtar i mërgatës duhet të bëjë çmos të shkojë të votojë, që t`i jepet një fshesë e madhe e vullnetit popullor ndaj të keqes në Kosovë.

Po e njëjta diasporë, ka po ashtu një takim tjetër me historinë në tetor, por kësaj radhe në Zvicër, me zgjedhjet legjislative federale. Në fakt, për herë të parë në Zvicër po profilohet një kandidate shqiptaro-zvicerane, e cila gëzon gjasa të sigurojë për herë të parë një përfaqësim nën kupolën e Këshillit Nacional Zviceran (Parlamentit). Bëhet fjalë për Ylfete Fanajn. Me përvojën e saj në politikën zvicerane, në nivel të kantonit të Lucernit si dhe angazhimin e saj në kryesinë e partisë që i përket, ajo ka dëshmuar një përgatitje për ta përfaqësuar komunitetin e saj të prejardhjes me dinjitet. Edhe në këtë takim me historinë, diaspora shqiptaro-zvicerane duhet të mobilizohet dhe ta ndihmojë duke votuar. Natyrisht, edhe kandidatët e tjerë shqiptaro-zviceranë, të të gjitha ngjyrave politike, duhet të mbështeten dhe të votohen në kantonet ku ata veprojnë.

Ky numër special i revistës Albinfo.ch ju sjell një sërë intervistash dhe shkrimesh për t’u njoftuar më afër me programet e këtyre politikanëve, sidomos në relacion me diasporën shqiptare dhe vështrimet e saj. Në këtë vazhdë të ndryshimit në Kosovë, ekipi i albinfo.ch ka takuar Refik Sumën, kryetarin e Komunës së Hanit të Elezit, i cili dëshmon, për tre mandate radhazi, se si duhet të punohet për të mirën e bashkëkombësve. Ky i fundit është i ftuar, më 3 tetor, në një debat në Lozanë, në suaza të manifestimit “Lausanne Méditerranée”. Në faqet e brendshme të revistës mund ta gjeni programin e detajuar të kësaj jave, që mbahet nga data 27 shtator deri më 6 tetor, dhe ku kultura shqiptare është mysafire nderi e qytetit të Lozanës, me manifestime, koncerte, pjesë teatrore dhe letrare nga më të ndryshmet.

Mirë se vini!