Tematike

Kapet rrjeti: Mashtronte shtetin për t`u siguruar shqiptarëve leje qëndrimi në Zvicër

Bashkatdhetarë të tyre, që tashmë jetojnë në mënyrë të rregullt në Zvicër, kanë ndihmuar të njohurit e tyre me qëndrim ilegal dhe në këtë mënyrë kanë ngritur një rrjet të tyrin për të mashtruar autoritetet zvicerane

Policia për të Huaj e qytetit të Bernës ka zbuluar një rrjet personash që kanë ndihmuar të huajt pa dokumente (Sans-Papiers) që të mashtrojnë autoritetet, për të fituar kështu lejen e qëndrimit në Zvicër. Bëhet fjalë këtu për shtetas të Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë, shkruan gazeta Berner Zeitung.

Ndonëse përkatësia etnike e tyre nuk përmednet në mënyrë eksplicite, nisur nga gjeografia e shtrirjes së vendeve të prejardhjes, mund tüë konstatohet se bëhet fjalë kryesisht për shqiptarë.

Fenomeni “Sans-Papiers” është shumë i përhapur në Zvicër. Njerëz me shtetësi të huaj, ndonëse pa qëndrim legal në Zvicër ose “pa letra”, jetojnë dhe punojnë për vite të tëra, “në të zezë” në Zvicër, shkruan albinfo.ch. Në rast se i kap policia, ata mund të dëbohen. Ndërsa për të mos ndodhur kjo, disa prej tyre provojnë metoda të ndryshme, shpesh të paskrupullta për të fituar lejen e qëndrimit, siç e përshkruan gazeta rastin më të ri të posazbuluar në Bernë.

Bashkatdhetarë të tyre, që tashmë jetojnë në mënyrë të rregullt në Zvicër, kanë ndihmuar të njohurit e tyre me qëndrim ilegal dhe në këtë mënyrë kanë ngritur një rrjet të tyrin për të mashtruar autoritetet zvicerane., transmeton albinfo.ch. Mashtrimin e kanë bërë duke shkruar kërkesa për personat e përmendur me ç`rast i kanë prezantuar ata si “raste të rënda”, me qëllimin që të mund të mbeten në Zvicër.

Por për të arritur deri këtu, (për të përmbushur klauzolën e “rasteve të rënda”) ata duhet t`i plotësojnë disa kritere. Kështu, si individë ata duhet të kenë qëndruar më së paku dhjetë vite në Zvicër ndërsa si familje, mjaftojnë edhe pesë vite. Pastaj ata duhet të kenë pavarësi financiare nëse duan të jetojnë këtu, të kenë banesën e tyre, të jenë të integruar dhe të flasin një gjuhë të vendit.

Por klauzola në fjalë është keqpërdorur jo rrallë nga banda kriminale. Ato, sikur në rastin më të ri të Bernës, i kanë mësuar sans-papiers-at se çfarë rrëfimesh duhet të shpikin për të plotësuar kriteret për kërkesën në fjalë.

Sipas gazetës, Policia për të Huaj e ka zbuluar rrjetin e përmendur rastësisht, duke i bërë një kontrollim një shtetasi të Maqeodnisë (40 vjeçar në kuadrin e një kontrollimi të bërë në një kantier ndërtimi. Shumë shpejt u bë e qartë se personi në fjalë ishte sans papier, i cili përmes një kërkese donte të fitonte lejen e qëndrimit bë Zvicër, përcjell albinfo.ch. Për këtë qëllim ai i ishte drejtuar një këshillimoreje për Sans-Papiers në Bernë.

Hetimet e mëtejme treguan se perosni në fjalë, me qëndrim ilegal në Zvicër, kishte gjetur strehim te një bashkatdhetar i tij në Bernë. Kur autoritetet kontrolluan banesën tridhomëshe u bë e qartë se në po këtë adresë banonin edhe shumë persona të tjerë. Me këtë rast, policia për të huaj ka konfiskuar një numër pasaportash të Maqedonisë.

“Ne supozojmë se kjo banesë është shfrytëzuar si një “Safe House” (shtëpi e sigurt) për personat me qëndirm ilegal në Zvicër. Banuesit e saj në të njëjtën kohë këtu janë këshilluar si të bëjnë kërkesë për “raste të rënda” në Bernë, thotë Alexander Ott, inspektor policie dhe shef i Policsë për të Huaj në qytetin e Bernës.

Rrjeti përbëhet nga persona që shërbejnë si punëdhënës dhe japin vërtetime pune që do t`u shërbejnë personave të përmendur për të përmbushur kriteret e klauzolës në fjalë, përcjell albinfo.ch. Madje shpesh ka ndodhur që ata kanë ngritur firma enkas për të dhënë këso vërtetimesh dhe pasi kanë “mbaruar punë”, kanë falimentuar.

Deri tash Policia për të Huaj e Bernës ka konstatuar edhe shtatë raste tjera të kësaj natyre, ku autoritetet janüe mashtruar dhe kanë dhënë leje qëndrimi bazuar mbi rrëfimet e rrejshme të “kandidatëve” në fjalë. Ata kanë qenë nga Maqedonia, Kosova dhe nga Shqipëria. Katër prej tyre janë dëbuar tashmë në shtetet e prejardhjes , ndërsa për të tjerët janë duke u zhvilluar ende hetime.