Integrimi
Kushtrim Reka, doktor i ekonomisë në Universitetin e Gjenevës
Punën e tij shkencore Kushtrimi e ka kurorëzuar duke mbrojtur disertacionin me temën: ”FINANCIAL CONTAGION AND LIQUIDITY IN REAL ESTATE MARKETS"
Kushtrim Islam Reka lindi më 17 tetor 1984 në Shkup. Familja Reka me rrënjë nga Kaçaniku më 1954, për shkak të përndjekjes së përhershme nga regjimi i atëhershëm komunist i ish-Jugosllavisë, shpërngulet në Shkup. Shefki Reka (gjyshi i Kushtrimit), duke pandehur parajsën, edhe atje gjen ferrin, sepse Beogradi perfid sinjalizon Shkupin që këtë familje me burra e gra të dhënë me gjithë zemër ndaj kombit e atdheut ta mbajë në shënjestër. Rekajt vazhdimisht ngjallnin te populli shqiptar shpresën se një ditë do të ngadhënjejë Perëndimi, ku demokracia do të triumfojë mbi diktaturën, drita mbi errësirën dhe autoktoni mbi pushtuesin. UDB-ja jugosllave duke, e cilësuar këtë familjeje si të rrezikshme dhe të padëshiruar për sistemin komunist, më 1981 e diferencon dhe më vonë i jep masën e ndëshkimit përjashtim nga puna Islam Rekes, mësuesit shembull në shkollat shqipe të Maqedonisë.
Përveç kësaj, Islamit i mvishet edhe fajësia për propagandë e agjitacion dhe bashkëpunim me vendet e Perëndimit. Ai i gjendur në një situatë jashtëzakonisht të rëndë, i ndihmuar nga shokë e miq, braktis Shkupin, duke lënë në frikë e ankth bashkëshorten Havushen dhe katër fëmijët e tij të vegjël. Islam Reka destinim e ka Zvicrën, vendin ku respektohet barazia, ku çmohen vlerat, vendin ku ka kuptim jeta dhe të qenit njeri. Kjo ëndërr e kahershme për liri dhe mendim plotësisht të pavarur Islamit i realizohet hëpërhë me të vendosur në Gjenevë. Kjo qendër ndërkombëtare, e njohur në gjithë globin si strehë e mbrojtjes së të shtypurve dhe e të përndjekurve, i ofron këtij të emigruari të përvuajtur punë dhe banim. Kurse në pranverën e vitit 1990 autoritetet e Zvicrës i njohin të drejtën e bashkimit familjar Havushes dhe fëmijëve të saj. Kështu që ata pas gjashtë vjetësh ndarjeje bashkohen sërish me Islamin. Havushja, edhe pse e lindur në Shkup, në mjedisin e ri, sikurse çdo e huaj, po kalonte një periudhë të vështirë. Ajo çdo gjë e fillon nga e para.
Ndërkaq kryepersonazhi i këtij rrëfimi, Kushtrim Reka, atëherë gjashtë vjeç, përfshihet së bashku me moshatarët e tjerë në të ashtuquajturin ”Cycle elementare” (fillimi i arsimit të detyruar), ku si fëmijë tregohet mjaft i shoqërueshëm me të gjithë, pavarësisht ideologjisë dhe ngjyrës së tyre. Këto virtyte të larta njerëzore bëjnë që ndër bashkëmoshatarë ai të jetë i dashur dhe i respektuar.
Akoma më i përsosur, Kushtrimi vazhdon edhe “Cycle moyen” (shkallë e dytë e arsimit), të cilin e kryen me sukses të dalluar. Tashmë i ambientuar në të gjitha fushat e jetës, e përfundon me sukses të shkëlqyeshëm edhe “Cycle d’orientation” (zgjat tre vjet), me çka e përmbyll arsimin shkollor të detyrueshëm. Pastaj Kushtrimi vendos të vazhdojë mësimet në College (gjimnaz) të Gjenevës. Përfundimi i gjimnazit përgjithësisht i jep mundësi studimi në universitete dhe shkolla politeknike të Zvicrës. Me të përfunduar gjimnazin, z. Reka regjistrohet në Fakultetin Ekonomik të Gjenevës, drejtimi – Biznes dhe Ekonomi. Studimet e filluara më 2004 në këtë departament i përfundon në afat rekord dhe kështu kryen Bachelor-in. Ndërkaq, më 2009 Reka profesionalizohet në lëmin e Financave, ku edhe e merr titullim Master në Financa. Duke e parë si të domosdoshëm thellimin e njohurive në gjuhën angleze, Reka regjistrohet në një kurs intensiv të gjuhës angleze në Australi.
Pas katër muajsh qëndrimi kthehet në Gjenevë si anglofon i vërtetë, dhe së bashku me shumë kandidatë të tjerë aplikon për vendin e punës Asistent në sesionin e Ekonomisë te ligjëruesi i mirënjohur, prof. dr. Martin Hoesli. Në vitin 2010, në një konkurrencë jashtëzakonisht të fortë Komisioni për pranimin e kuadrove të reja i Fakultetit Ekonomik të Gjenevës përcaktohet për emërimin e z. Reka në pozitën Asistent (ndihmës profesori). Kushtrim Reka këtë detyrë me mjaft sukses e kryen edhe sot. Reka sigurisht ka nënshkruar kontratë pune me Fakultetin Ekonomik të Gjenevës dhe ai obligohet që në pozitën e Asistentit të qëndrojë deri në fund të këtij viti. Gjithashtu është e një rëndësie të veçantë edhe puna kërkimore-shkencore më 2011 e Rekës në Universitetin e Floridës. Ai i mbikëqyrur nga prof.dr. David Ling, i qaset me seriozitet të madh punës në fushën e patundshmërisë.
Z. Reka është pjesëmarrës i dhjetëra konferencave dhe seminareve ndërkombëtare. Ai ka lënë përshtypje jashtëzakonisht të mira me paraqitjet e tij në universitetet e ndryshme të SHBA-së, siç janë: Universiteti i Çikagos, i San Diegos, i Floridës etj.
Karrierën profesionale nga sfera e patundshmërisë Reka e ka plotësuar edhe me pjesëmarrjen e tij në tryeza e debate të organizuara në Britaninë e Madhe, Gjermani, Itali e Holandë. Veç kësaj, Reka ka publikuar punime të shumta shkencore në revista të ndryshme ndërkombëtare. Po ashtu Kushtrimi na del si bashkautor me prof.dr. Martin Hoesli te revista prestigjioze “JOURNAL OF REAL ESTATE FINANCE AND ECONOMICS”. Gjithë këtë punë shkencore Kushtrim Reka e kurorëzon më 15 tetor 2014 në Universitetin e Gjenevës, ku me sukses mbron publikisht disertacionin e doktoratës me temën: ”FINANCIAL CONTAGION AND LIQUIDITY IN REAL ESTATE MARKETS”. Komisioni në përbërje prof.dr.Ines Chaieb, kryetare e Komisionit nga Universiteti i Gjeneves, prof.dr. Martin Hoesli, po ashtu nga Universiteti i Gjenevës, njëherësh dhe mentor i këtij disertacioni dhe prof.dr. Paul Embrechts nga Universiteti Politeknik i Cyrihut, anëtarë të jurisë, vlerësojnë lart punën e z. Reka. Edhe pse koha reale e vendeve të Evropës Qendrore s’ përkon me atë të SHTETEVE TË BASHKURA TË AMERIKËS, nga Universiteti i Floridës nëpërmjet SKYPE u inkuadrua edhe prof.dr. David Ling, profesor ordinar në Universitetin e këtij vendi, i cili e përgëzoi për këtë arritje të madhe z. Reka.
Gjatë qëndrimit në Florida Reka ka marrë këshilla dobiprurëse nga profesori David Ling, të cilat i ka praktikuar me rastin e punimit të disertacionit të tij. Derisa familjarë, shokë e miq uronin për punën e tij, me dosjen e arkivuar në duar shfaqet zonja Maria-Pia-Victoria-Feser, Dekane e Fakultetit të Menaxhmentit dhe Ekonomisë në Universitetin e Gjenevës. Ajo e entuziazmuar nga suksesi i z. Reka para të pranishmeve tha: “Ndihem e gëzuar po aq sa edhe vetë z.Reka, sepse pas shkëputjes nga Fakulteti i Shkencave Ekonomike dhe Sociale z. Reka është i pari që me punën e tij të shkëlqyer e arsyetoi mëvetësinë e Fakultetit të Menaxhmentit dhe të Ekonomisë. Duke e konsideruar si nder edhe për institucionin punën e z. Reka, ajo në shenjë mirënjohjeje i dha atij një dhuratë modeste.
Pastaj profesorë, studentë e miq së bashku kaluan në holin e ndërtesës së Universitetit, ku me një aperitiv të organizuar nga familjarët e z. Reka ndanë gëzimin e tyre për këtë ngjarje me dobi të përgjithshme.
Arif Ejupi, Gjenevë
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Edi Rama sot takon diasporën në Londër Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të dielën do të mbajë tubim me diasporën shqiptare në Londër....
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
Jeta në Zvicër
-
Banorët e Cyrihut duhet të ndajnë 45 franga për dritat e Krishtlindjeve Dritat e Krishtlindjeve të Cyrihut kushtojnë shumë para. Publiku tani po ndihmon me sponsorizimet për t’u...
-
Zvicër: Mbi 12,000 raportime për fyerje
-
Çfarë nisma të tjera votojnë kantonet dhe qytetet në Zvicër?
-
Zvicra voton për katër propozime kombëtare sot
-
Qeveria federale bën thirrje për kujdes: Rrugët janë të rrëshqitshme