Integrimi
Gjinekologu shqiptar, me tri ordinanca në Zvicër
Pas atyre në Cyrih e në Bernë, një ordinancë e re gjinekologjike, obstetrike dhe onkologjike, me mjek shqiptar, është hapur edhe në St.Gallen në fillim të tetorit
Janë tri ordinanca gjinekologjike që po funksionojnë tashmë në tri qytete të Zvicrës e që menaxhohen nga doktori nga Kosova, P.D. Dr. sci. Dr.med.Imer Hajdari. Një ordinancë të njëjtë ai e kishte hapur vitin e kaluar në Cyrih të Zvicrës, një më herët në Bernë, e tash po e bën të njëjtën në St.Gallen.
Doktori nga Kosova që në vitin 1999 kishte hapur ordinancën e parë shqiptare në Munih të Gjermanisë. Ai vazhdon të kryejë misionin e mjekut ndërmjet Gjermanisë edhe Zvicrës. „Nuk mund t’ua kthej shpinën 30 mijë pacientëve në Gjermani që vazhdojnë të mjekohen në ordinancën time në Munih. Natyrisht ordinanca atje funksionon me mjekë gjermanë por disa nga pacientet dëshirojnë shërbimet e mia personale mjekësore“, thotë dr.Hajdari duke bërë përpjekje në anën tjetër që të ofrojë të njëjtat shërbime mjekësore edhe për pacientët shqiptarë në Zvicër.
Me hapjen e ordinancave në Zvicër, pacientët shqiptarë nuk janë detyruar të udhëtojnë më për në Gjermani, numri i të cilëve nuk ishte i pakët. Një lehtësim i madh ka qenë edhe për pacientet që nuk e zotërojnë mirë gjuhën gjermane.
„Po, një lehtësim i madh me hapjen e ordinancave ka qenë për pacientet që kanë probleme me gjuhën. Tashmë në qytetet e tyre i kane ordinancat që flasin shqip. Në të njëjtën kohë mund të trajtohen edhe në ordinancë po edhe në spitalet e Cyrihut“, tha për albinfo.ch dr Hajdari.
-
Realizon operacione edhe në spitalet e Cyrihut
Por çka ofrojnë ordinancat gjinekologjie obstetrike të doktor Hajdarit e që nuk e ofrojnë ato zvicerane? „Në ordinancat gjinekologjike obstetrike në Bernë, Cyrih dhe tani në St.Gallen nuk do të trajtohen vetëm sëmundjet onkologjike dhe operacionet gjinekologjike, por do të diagnostikohen shumë sëmundje qysh në jetën intrauterine, e të lindin fëmijë të shëndoshë pa të meta fizike dhe psikike, duke i shëruar dhe eliminuar të gjitha komplikimet me aparaturë moderne medicinale“, thotë gjinekologu Imer Hajdari.
Janë shumë ordinanca ose klinika gjinekologjike, thotë doktori “që nuk kanë kuadër adekuat po as aparaturat specifike e as leje nga autoritetet përkatëse për diagnostifikim të keqformimeve të organeve të frytit gjatë zhvillimit në jetën intrauterine”. Ai për çdo ditë pranon pacientë nga kolegët e tij gjermanë dhe zviceranë që nuk mund t’i diagnostifikojnë keqformimet në fazat e hershme të zhvillimit embrional. Shërbimet e doktorit tashmë janë shumë të kërkuara edhe në spitalet zvicerane. Tashmë doktori nga Kosova rregullisht po kryen operacione në Belvy Klinikë dhe në Limattal Spital në Cyrih.
Specifik në ordinancat e doktorit shqiptar në Zvicër është trajtimi i sterilitetit te femrat duke përdorur si metodat e vjetra klasike kirurgjike ashtu edhe metodat e reja laparaskopike moderne të cilat i ka trashëguar nga profesori i tij i njohur Zem Kurt. Ky i fundit i kishte zbuluar i pari në botë intervenimet laparskopike që në fillim ishin të papranueshme në Evropë dhe pas licencimit në Amerikë u bën të pranueshme edhe moderne në Evropë. Një metodologji e tillë është përsosur nga doktor Hajdari, i cili realizon me mijëra operacione laparoskopike të sterilitetit të femrave.
-
“Në ordinancat e mia nuk do të bëhen kurrë abortet“
Doktori ishte edhe njëri nga onkologët e parë shqiptarë që kishte mbaruar shkollimin onkologjik në Zagreb në vitet 80-ta. Madje atëherë kishte menduar të kthehej si onkolog në Kosovë por për shkak rrethanave politike të atëhershme kishte mbetur në Gjermani sot e kësaj dite, me një ëndërr që po synon ta kthejë tash në realitet, me ndërtimin e një spitali në Prishtinë.
Doktori thotë se ka realizuar me qindra operacione onkologjike, si të gjirit ashtu edhe të barkut, jo vetëm të pacienteve shqiptare por edhe të pacienteve të nacionaliteteve tjera në Zvicër dhe Gjermani. „Në ordinancat që i kam hapur nuk do të bëhen kurrë abortet“, është i prerë doktori shqiptar.
Për dy vite sa është në Zvicër gjinekologu shqiptar flet edhe për sistemin shëndetësor zviceran. Thotë se është i krahasueshëm me të gjitha vendet e zhvilluara të vendet e BE-së.
Në pyetjen se a po bëjnë dallime shqiptarët në Zvicër në mes gjinekologut femër dhe mashkull. doktori përgjigjet: „Janë të paktë ata që bëjnë dallime të tilla. Në kohën e sotshme jo vetëm në vendet perëndimore por edhe në Kosovë një paragjykim i tillë nuk ekziston. Dihet se në të kaluarën jo të largët në gjinekologji punonin vetëm meshkujt, se kjo degë e mjekësisë e përfshinë edhe kirurgjinë jo vetëm klasike por edhe moderne laparaskopike. E kjo ka të bëjë jo vetëm me kontrollet e thjeshta gjinekologjike por kërkon edhe një angazhim të madh fizik, kur dihet se operacionet onkologjike nganjëherë zgjasin nga 6 deri 7 orë“, thotë dr. Hajdari. Madje ai thotë se profesoresha gjermane nga e cila e kishte trashëguar ordinancën në Gjermani ishte doktoresha e parë femër nga Vjena deri në Munih.
Doktor Hajdari kishte migruar në vitin 1992 në Gjermani, ku kishte punuar në fillim si mjek i lartë, e pastaj si shef i reparteve gjinekologjike në Dyseldorf, Hanover, Batbrückenau, Mindelheim deri në vitin 1999 kur edhe e hap ordinancen e parë shqiptare në Munih.
Infermierja Dafina, e lumtur që mund të ndihmojë pacientet shqiptare
Në ekipin e dr. Hajdarit në Crih bën pjesë edhe infermierja Dafina Delijaj-Gashi. Pas përvojës time shumëvjeçare nëpër klinika zvicerane jam më se e kënaqur të jem pjesë e ekipit të P.D. Dr. sci. Dr.med Imer Hajdari. Jam shumë e kënaqur që ëndrra ime më është bërë realitet dhe kam mundësi të ndihmoj pacientet shqiptare në Zvicër, thotë infermierja Dafinë.
E-Diaspora
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake Edona Bilali është deputete e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ku përfaqëson Qarkun e Shkodrës, që...
-
Aksident i rëndë në punë, humb jetën 41-vjeçari shqiptar në Itali
-
Pajtim Statovci fiton çmimin prestigjioz “Finlandia” në Stokholm
-
Piloti Blin Hoxha kërkon leje për ulje në aeroportin e Prishtinës në gjuhën shqipe
-
Topalli: Vota e diasporës, shpëtim për Shqipërinë
Jeta në Zvicër
-
Më shumë fleksibilitet për të ndryshuar mbulimin e sigurimit shëndetësor në Zvicër Nga 1 janari 2025, konsumatorët do të mund të ndryshojnë modelin e tyre të sigurimit kur...
-
Këshilli Federal rekomandon refuzimin e “Iniciativës foie gras”
-
Cilat janë kooperativat zvicerane të strehimit dhe a mund t’i aksesoni ato?
-
Zvicër: Dardanët presin përkrahjen e bashkatdhetarëve
-
Nga 1 janari do të mund të ndryshohen në çdo moment disa modele të sigurimit shëndetësor