Jeta në Zvicër

Rritje e madhe e kërkesave për azil nga Turqia, pas tentim puçit të vitit 2016

Nga gushti i vitit 2016 deri tash, në Zvicër janë regjistruar 2800 kërkesa azili nga shtetas turq. Në tri vitet para këtyre, numri i azilkërkuesve turq ka qenë vetëm 1200

Që nga tentimi për puç i korrikut të vitit 2016 kundër presidentit turk, Erdogan, numri i azilkërkuesve nga Turqia në Zvicër ka shënuar një rritje të madhe në krahasim me periudhën paraprake.

“Rritja e numrit të azilkërkuesve turq shpjegohet me zhvillimet e brendshme politike në Turqi”, ka konfirmuar për agjencinë Keystone-SDA Lukas Rieder nga Sekretariati Shtetëror për Migracion, transmeton albinfo.ch. Pyetja i është referuar një raporti të publikuar më parë nga gazeta “NZZ am Sonntag”.

Sipas gazetës në fjalë, nga gushti i vitit 2016 deri tash në Zvicër janë regjistruar 2800 kërkesa azili nga shtetas turq. Në tre vjetët para këtyre, numri i azilkërkuesve turq ka qenë vetëm 1200, që i bie më i vogël se gjysma e numrit të tre vjetëve në vijim, nga korriku 2016 e këndej.