Sport

Hitzfeld për Shaqirin: “Ai ka shpirt artisti, duhet të mirëmbahet si një lule”

"Lojtarët ofansivë si Shaqiri duan më shumë afërsi. Ata janë si bimët. Si lulet të cilat duhesh t`i kultivosh, t`i mirëmbash. Ata janë artistë, të cilët do të të japin gjithçka në fushë, nëse ti di t`iu qasesh ashtu si duhet"

Njeriu që mendohet se ka meritat më të mëdha për ngritjen e Shaqirit dhe Xhakës në lartësitë ku ata janë sot, është Ottmar Hitzfeld. Ish trajneri i Skuadrës Nacionale të Zvicrës, gjermani tashmë 70 vjeçar, flet në blck.ch lidhur me “munguesin më të madh” të javës së kaluar në ndeshjet kualifikuese të Nati-t për Evropianin 2020, Shaqirin. Hitzfeld e ka përcjellë atë për pesë vite, prandaj di se çfarë flet, shkruan albimnfo.ch.

“Xherdani gjithmonë ka luajtur duke synuar zemrat e shikuesve pasi që ai e ka gjallëruar lojën dhe ka pasur çapkënllëkun e vet. Nga natyra. Ai ka një karakter të mirë dhe është i ndërgjegjshëm. Ndonëse fare në fillim ka qenë pothuajse i turpshëm, që nga fillimi është integruar mirë në ekip. Është një lojtar ekipor, i cili mund t`i aktivizojë të tjerët.

Por, i pyetur nëse Shaqirit i duhet më shumë kultivim ose përkujdesje se të tjerëve, Hitzfeld thotë: ”lojtarët ofansivë si Shaqiri duan më shumë afërsi. Ata janë si bimët. Si lulet të cilat duhesh t`i kultivosh, t`i mirëmbash. Ata janë artistë, të cilët do të të japin gjithçka në fushë, nëse ti di t`iu qasesh ashtu si duhet. Mbrojtësit, ër shembull, janë disi më brutë, të shumtën edhe për nga vetë karakteri”, thotë më tutje Hitzfeld.

“Shaqiri ka nevojë për mbështetjen e trajnerit. Që ai ndonjëherë edhe t`ia hedhë krahun që t`i japë atij forcë. Kjo gjë për mua ka qenë e vetëkuptueshme”.

Pyetjes së gazetarit nëse mund ta imagjinojë që Shaqiri mund të jetë xheloz për faktin se Xhaka do të bëhet kapiten pas Lichsteinerit, Hitzfeld i përgjigjet se ai i ka përjetuar ata dy si kolegë mes vete që e kanë gjetur veten në ekip, transmeton albinfo.ch. Ata kanë pasur tek unë vlerë të barabartë. Inler dhe Benaglio kanë qenë kapitenët e mi.

Se si mund të ndikojë një vendim i tillë, i cili e vendos njërin mbi tjetrin, nuk mund ta vlerësoj pasi që nuk e kam përjetuar. Por, në kujtim më mbetet loja e parë e Granitit. Kjo, për faktin se para lojës në Wembley kundër Anglisë unë e pata pyetur: “Dhe, a ke besim se e bën?”. Ai, posa kishte mbushur 18 vjeç, më tha, pothuajse i fyer: “E pse jo?”. Kjo më pati impresionuar shumë, se sa i pjekur ishte ai për moshën e tij. Dhe unë jam i bindur se ai, së bashku me Xherdanin ka meritat për një të ardhme të madhe të Nati-t”, përfiundon Ottmar Hitzfeld.