Ekonomi

Ja sa të rinj të papunë u regjistruan për tetë muaj në Kosovë

Në Agjencinë e Punësimit në Kosovë për tetë muajt e parë të këtij viti janë regjistruar 9 mijë e 110 punëkërkues të rinj.

Agjencia së Punësimit ka bërë të ditur se nga 95 mijë e 890 të papunë që kanë qenë të regjistruar vitin e kaluar deri në shtator të këtij viti, kjo shifër ka arritur në 105 mijë persona. Një trend i rritjes së tillë nuk ka ekzistuar viteve të kaluara, kur në raste të caktuara kishte pasur edhe rënie të numrit të të regjistruarve, ka shkruar Koha Ditore.

Rritja e regjistrimit që ka ndodhur këtë vit vlerësohet në mënyra të ndryshme nga njohës të kësaj fushe.

Sipas kryetarit të BSPK-së, Avni Ajdini, kjo rritje është rezultat i mosliberalizmit të vizave dhe pamundësisë së të papunëve për të dalë jashtë vendit. Ndërkohë që për profesorin e ekonomisë Naim Gashi, rritja ka ndodhur si rezultat i programeve të rikualifikimit që ka Agjencia e Punësimit. Njësoj si Gashi thotë edhe ministri në dorëheqje i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica.

Kreu i BSPK-së, Avni Ajdini, ka thënë se rinia e Kosovës për vite me radhë vazhdon të kërkojë punë. Ai ka theksuar se ka të rinj super të kualifikuar që nuk mund të gjejnë punë. Sipas tij, në rritjen e numrit të të regjistruarve si të papunë, ka ndikuar mungesa e liberalizmit të vizave, përcjell albinfo.ch.