Lajme

Në Shqipëri rriten investimet e huaja në 535 milionë euro

Në 6-mujorin e parë 2019, investimet e huaja u rritën në 535 milionë euro në Shqipëri.

Sipas origjinës së kapitalit, në vitet e fundit investimet e huaja janë dominuar nga Zvicra dhe Holanda

Banka e Shqipërisë ka bërë të ditur se, në tre muaj sipërmarrësit e huaj investuan 226 milionë euro, ose 8 milionë euro më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Vlera e investimeve të huaja direkte arriti në 535 milionë euro, për gjysmën e parë të vitit, apo 10,1% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë, ka shkruar Agjencia telegrafike e Shqiperisë.

Investimi më i madh i viteve të fundit, është gazsjellësi Trans-Adriatik. Rreth 1.5 miliardë euro është investimi për ndërtimin e seksionit tokësor të tubacionit në Shqipëri, përfshirë këtu koston e tubave, kompresorëve dhe pajisjeve dhe makinerive të tjera të nevojshme për ndërtimin e tubacionit.

Ndërsa investimi tjetër i madh, është ai i hidrocentraleve që po ndërtohen mbi lumin Devoll nga kompania “Statkraft”. Për të vijuar me investimet e rëndësishme në industrinë e naftës dhe atë minerare.

Fitimet e riinvestuara nga investitorët e huaj për gjysmën e parë të këtij viti arritën në 183 milionë euro, 68% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018, përcjell albinfo.ch.