Integrimi

Polici shqelmon azilkërkuesin kosovar, fillojnë hetimet

Në tekstin e ankesës thuhet se gjatë mbajtjes së tij në burg, më 15 shtator është shqelmuar nga njëri prej zyrtarëve të atyshëm

Autoritetet e Landit të Berlinit po kryejnë hetime ndaj një polici i cili akuzohet se ka goditur me shqelm në këmbë një azilkërkues kosovar të mbajtur në burgun për dëbim nga Gjermania.

Azilkërkuesi 23 vjeçar, pasi që institucioni përgjegjës për migracion në landin Nordrhein Wetfallen ia ka refuzuar azilin, po mbahej në burgun për deportim. Qe vendosur që ai të transportohej në Kosovë përmes aeroportit të Berlinit.

Më 20 gusht të këtij viti atij i kishte ardhur vendimi përfundimtar për të lëshuar Gjermaninë dhe pastaj ai ka fluturuar përmes aeroportit Tegel të Berlinit. Por, në intervalin e qëndrimit në burg, azilkërkuesi kishte përpiluar një ankesë e cila është dërguar në Zyrën e Landit për kriminalitet, shkruan bz.de. Në tekstin e ankesës thuhet se gjatë mbajtjes së tij në burg, më 15 shtator është shqelmuar nga njëri prej zyrtarëve të atyshëm.

Një zëdhënës policor ka thënë se rasti po merret shumë seriozisht. Ndaj policit të apostrofuar është iniciuar një procedurë me dyshimin për lëndim trupor.