Integrimi

Pro Asyl kundër aksionit policor për kapjen e emigrantëve ilegalë

Organizata Pro Asyl e kritikon ashpër këtë aksion duke e quajtur „sinjal frikësues që e dërgon e gjithë Evropa“

Policia në vendet e Bashkimit Europian ka filluar aksionin që nga e hëna për kapjen e emigrantëve ilegalë dhe ndihmësit e tyre përmes kontrolleve të caktuara.

Organizata Pro Asyl e kritikon ashpër këtë aksion duke e quajtur „sinjal frikësues që e dërgon e gjithë Evropa“

„ Në BE ka të drejtë gjithkush të kërkojë azil, sipas rregulloreve ende në fuqi të Dublinit, por aty ku ai shkel tokën europiane. Nëse e bën këtë, atëherë asnjë refugjat nuk ka pse të ketë frikë. Në rast se nuk e bën këtë, siç po ndodh masivisht tani, atëherë policia duhet të ketë instrumenta kundër kësaj, apo jo?, thotë Karl Kopp nga Pro Asyl.

„Këta refugjatë që mbërrijnë fillimisht në Itali, sapo kanë lënë pas vetes një udhëtim ferri, kanë parë ndoshta njerëz të humbin jetën, dhe vijnë brenda një sistemi që nuk është në gjendje t’i trajtojë ata për një kohë të shkurtër. Shumë prej tyre mbeten të pastrehë, apo e dinë se në Itali nuk kanë asnjë shans për një jetë me dinjitet. Kështu ata marrin rrugën drejt të afërmve apo komuniteteve të tyre në Gjermani, Suedi, Holandë apo Britaninë e Madhe“, thotë në një intrevistë për DW Karl Kopp.

Sipas Kopp do të ishte më e thjeshtë të krijohej një sistem, i cili lejon legalisht ardhjen në Europë, kjo do t’i jepte fund sipas tij humbjes së jetëve në masë, dhe njerëzit do të udhëtonin legalisht tek familjet e tyre.

„Ata nuk do të kishin nevojë për trafikantë dhe nuk do t’i trembeshin kontrolleve policore. Ky do të ishte një akt human“, thotë Kopp

 Aksioni policor sipas Pro Asyl vë në pikëpyetje lirinë e lëvizjes në hapësirën Shengen.

„Një situatë të tillë e kemi pasur gjithmonë sa herë ka pasur kriza refugjatësh, e disa shtete e kanë shumë shpejt në pikëpyetje një arritje të tillë. Për refugjatët nuk ekziston liria e lëvizjes, as për azilkërkuesit, as për ata që u është njohur azili“, thekson Kopp.

Në Pro Asyl thonë se njerëzit që vijnë me varka janë refugjatë që kanë shanse të mëdha për të marrë statusin me një procedurë të drejtë. 50% e refugjatëve të anijeve në Itali vijnë nga Eritrea e Siria.

Aksioni i shifruar me titullin „Mos Maiorum“ koordinohet nga presidenca italiane e BE-së

Së paku 3000 refugjatë kanë humbur jetën gjatë vitit të fundit në përpjekje për të arritur përmes Mesdheut në Evropë