Integrimi
Shqiptarët të mos shihen vetëm si potencial votash
Sindikalistët shqiptarë në Cyrih: “Të tjerët komunitetin tonë e shohin si potencial zgjedhor ndërsa ne nuk duam që ta shohim atë vetëm si votë...”
Grupi “Aktivistët” i sindikalistëve shqiptarë që vepron në kuadrin e sindikatës “Unia” të regjionit të Cyrihut ka ndërmarrë një nismë ambicioze: faktorizimin politik të diasporës shqiptare të Zvicrës. Tryeza e debatit e mbajtur të shtunën ka qenë shpalosja e parë publike e kësaj nisme. Përbërja e publikut, ashtu si dhe përzgjedhja e panelistëve premtonte një debat të frytshëm.
Lurata Reçi, ish këshilltare komunale dhe aktiviste e Partisë Socialdemokrate, Blerim Bunjaku, kandidat i EVP për Parlamentin Kantonal dhe atë Federal në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, Qëndresa Sadriu, këshilltare e SP/PS në Glatbrugg dhe Përparim Avdyli, kandidat i FDP-së për Parlamentin e Kantonit kanë shpalosur vizionin e tyre për angazhimin politik të një të riu me sfond migracioni në Zvicër.
Duke shoshitur temën e debatit me titull “Mundësitë dhe kufijtë e participimit politik dhe shoqëror në Zvicër dhe në vendin amë”, ata kanë sjellë përvojat e angazhimit konkret politik të tyre në sistemin politik të Zvicrës. Në pjesën e dytë të aktivitetit, katër politikanët e rinj kanë udhëhequr nga një grup pune me të cilin kanë përpunuar temën e debatit nga shumë aspekte. Gjetjet nga këto punëtori ata pastaj i kanë prezantuar, të përmbledhura, para të pranishmëve.
Në debat kontribuan edhe konsulli i Republikës së Kosovës në Cyrih, dr. Sali Sefa, përfaqësuesja e Komisionit Federal për Migracion (EKM), Pascale Steiner. Dhe përfaqësuesi i sindikatës Unia për regjionin Cyrih-Schaffhausen Remo Schädler. Remo Schadler, në cilësinë e mikpritësit ka bërë një prezantim të sindikatës Unia, në veçanti seksionit Cyrih-Schaffhausen. Sipas tij, ambienti për të huajt në Zvicër po vjen duke u ashpërsuar. “Tash 30 vitesh e këndej, si rezultat i politikës populiste të djathtë, gjithnjë më shumë paraqitje të hapura të racizmit po bëhen të pranueshme për opinionin”, ka thënë ai. Edhe referendumin për iniciativën “Ecopop” që mbahet më 30 nëntor ai e ka quajtur vazhdimësi të këtij trendi.
Osman Osmani, sekretar për migracion në sindikatën Unia në Bernë është mbështetës aktiv dhe promovues i nismës së grupit “Aktivistët”. Ai, për albinfo.ch thotë se qëllimi kryesor i nismës është faktorizimi i komunitetit shqiptar në Zvicër në aspektin politik. “Të tjerët komunitetin tonë e shohin si potencial zgjedhor ndërsa ne nuk duam që ta shohim atë vetëm si votë, por synojmë edhe përmbushjen interesave tona si komunitet”, ka thënë Osmani duke vënë në dukje se përkatësitë e ndryshme partiake nuk paraqesin kurrfarë pengese. Duke u faktorizuar këtu, kjo strukturë mund të ndikojë për të mirë edhe në proceset në vendet e prejardhjes, beson ai.
Pascale Steiner nga EKM (Komisioni Federal per Migracion) në fjalën e saj ka bërë një prezantim të komisionit që përfaqëson. Ajo më tutje ka shpalosur konceptin Cytoyenette që është emërtimi i programit të udhëhequr prej disa vitesh nga EKM. Citoyenette është një fjalë në gjuhën frënge e cila në gjuhët tjera mund të përkthehet vetëm në mënyrë të përafërt, si “qytetari aktive”. Ajo nënkupton jo vetëm angazhimin e qytetarëve në jetën politike por mishërimin e tyre në aktivitetet shoqërore të të gjitha fushave. Puna vullnetare, angazhimi në organizatat e zjarrfikësve, aktivizimi në shoqatat e lagjes etj., janë pjesë e konceptit të përmendur. Në këtë drejtim znj. Steiner ka theksuar se ka mangësi në mesin e të huajve sa i përket shkallës së pjesëmarrjes në aktivitetet shoqërore. Kështu, ka vënë re ajo, në kantonet frankofone, ku të huajt kryesisht kanë të drejtë të zgjedhin dhe të zgjidhen, këtë të drejtë e shfrytëzojnë rreth 25 për qind që është sa gjysma e përqindjes te zviceranët.
Ndërsa konsulli i Kosovës në Cyrih, dr. Sali Sefa pasi ka folur për aktivitetin e shoqatave shqiptare në regjionin që mbulon konsullata, ka ngritur edhe çështjen e organizimit politik të shqiptarëve në Zvicër. Me ketë rast ai ka bërë një propozim interesant. “Në Zvicër janë rreth 65 mijë shqiptarë me shtetësi zvicerane, rreth 40 mijë prej të cilëve kanë të drejtë vote. Ka një numër shqiptarësh që kanë arritur në parlamentet komunale e kantonale por jo më larg. Për këtë arsye, propozimi im është që të formohet një parti shqiptare që nuk do të jetë e lidhur me partitë në vendet e prejardhjes por të veprojë brenda sistemit zviceran”. Në këtë mënyrë, sipas konsullit kosovar, shqiptarët do të kenë rezultate shumë më të mira se që kanë sot. “Kështu mund të arrinte ndonjë shqiptar në Parlamentin Federal të Zvicrës. Është koha që shqiptarët të paraqiten në Zvicër edhe politikisht”.
Për një strukturë koordinuese
“Hapi i ardhshëm i nismës është që aktivistët e angazhuar në jetën politike në partitë e ndryshme bashkë me të interesuarit tjerë, shqiptarë e vendës, përfshirë edhe ndihmën e institucioneve të këtushme dhe të vendeve të prejardhjes të formojnë një strukturë të përbashkët koordinuese për të shtyrë proceset përpara”, ka thënë osman Osmani. Por sa është e pranueshme nga një organizatë e majtë siç është sindikata e punëtorëve, një strukturë ku bëjnë pjesë edhe përfaqësues të partive të djathta? Për Osmanin kjo nuk përbën asnjë problem, pasi që sipas tij “majtizmi” i sindikatave është më shumë një paragjykim se sa e vërtetë e plotë.
Teskti: Blerim Shabani
Foto: Visar Kryeziu
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe Sot është Dita e Alfabetit Shqip, tashmë e shpallur festë zyrtare e Shqipërisë. 22 nëntori ka...
-
Vjenë
Virale dhe e suksesshme, Almira nga Austria ka 800 mijë ndjekës në rrjetin “tik-tok”
-
Suedi: Diamant Salihu fiton çmimin “Novatorët e vitit”
-
5 orë pritje, anulohet fluturimi nga Bazeli për në Prishtinë
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri?
Jeta në Zvicër
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave Pas zemërimit për rritjen masive të taksës së re të makinave, Këshilli i Madh i Gjenevës...
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara
-
Zvicra, kampion evropian në transportin hekurudhor
-
BE-ja kërkon që në universitetet e Zvicrës studentët e huaj të paguajnë sa zviceranët
-
Për këto propozime votojnë të dielën zviceranët