Integrimi

Rifillon nga zero dhe korr suksese

Valdete Mena nga Veleshta e Strugës në Maqedoni, me banim në kantonin e Cyrihut, me dëshminë e saj të sinqertë mbi emigrimin e saj në bazë të lidhjes bashkëshortore në Zvicër, na tregon se si iu vërsul sfidave dhe vështirësive në ringun e quajtur “integrim”.

Para se të vija në Zvicër në vitin 2008, në vendlinje kisha diplomuar në Universitetin e Tetovës, në drejtimin e Psikologjisë. Pas diplomimit u angazhova nëpër shoqata të femrave si vullnetare, duke qenë gjithnjë aktive. Më vonë u njoha me mbashkëshortin tim, i cili jetonte në Zvicër dhe për mua shpërngulja jashtë vendit ishte një sfidë dhe udhëkryq i madh, sepse e dija që duhej të filloja gjithçka nga e para. Por, pas premtimeve të bashkëshortit tim që do të më ndihmojë për një integrim sa më të shpejtë dhe të suksesshëm, pranova dhe erdha këtu.

Në fillim jeta këtu ishte shumë e vështirë dhe monotone. Mundohesha ta mësoj gjuhën, t’i kap fjalët duke i shkruar, bleja libra, pastaj fillova të bëja kurse intensive të gjuhës, të cilat i mbarova deri te niveli C1. Mora certifikatën me një qëllim që të punësohem dhe të vazhdoj studimet më tutje. Fillova duke punuar punë të thjeshta vetëm e vetëm që të inkuadrohesha dikund dhe ta njihja mentalitetin dhe procesin e sistemit të punës në Zvicër. Mendoj që certifikata e gjuhës m’i çeli shumë dyer dhe më hapi shumë mundësi për të konkurruar për punë.

Rastësisht pashë një ofertë pune si kujdestare sociale në një “Hort”, ose çerdhe për fëmijë, „Loren“, në Kloten të Cyrihut. Konkurrova dhe më pranuan. Tash po bëhen gati dy vjet që punoj këtu dhe jam integruar shumë mirë.

Albinfo.ch: Si funksionon çerdhja për fëmijë “Loren” në Kloten?

Valdete Mena: Këtu jemi dy punëtore përgjegjëse edhe një nxënëse. Merremi me kujdesin e fëmijëve që shkojnë në shkollë ose parashkollorë. Çerdhja hapet në orën 12 deri në orën 18.30. Ne kujdesemi që fëmijët të hanë ushqim të shëndetshëm, pastaj u ndihmojmë për kryerjen e detyrave të shtëpisë dhe organizojmë programe të ndryshme. Fëmijët duhet të ndihen jo si në shkollë, por si në ambientin e shtëpisë, por me rregulla dhe struktura të qarta dhe të definuara, të cilat kanë për qëllim mirëqenien e fëmijës.

Kemi fëmijë të nacionaliteteve, kulturave dhe religjioneve të ndryshme, me histori familijare të llojllojshme, por detyra jonë është që t’i shohim të gjithë fëmijët njëlloj, t’i pranojmë ashtu siç janë, t’i kuptojmë dhe t’u ndihmojmë sa më tepër, edhe pse paraqiten vështirësi gjatë punës. Është një ndihmë e madhe edhe për prindërit që janë aktivë, që punojnë, si dhe për ata që i rrisin fëmijët vetë. Të gjithë prindërit deri tash janë shumë falënderues për punën që e bëjmë ne.

Albinfo.ch:  Fëmijëve shqiptarë a u flet në gjuhën shqipe dhe a të flasin ata ty shqip ?

Valdete Mena: Po, natyrisht që kur e dëgjojnë emrin tim, ata më flasin shqip, edhe unë me ta flas shqip dhe nuk e kemi të ndaluar nga çerdhja, por sipas Rregullores është e preferuar që të flasim të gjithë në gjuhën gjermane që të kuptojnë edhe fëmijët e tjerë se për çfarë bëhet fjalë.

Albinfo.ch: Valdete, ti si psikologe, a ke mundur ta vëresh ndonjë dallim në mes të edukimit që kanë fëmijët tanë dhe atyre zviceranë sa u përket rregullave ose orareve në lidhje me ushqimin, mësimin, e të tjera ?

Valdete Mena: Sinqerisht kam vërejtur dallime, edhe pse jo vetëm te fëmijët e nacionalitetit shqiptar. Kur flasim për shqiptarë kam parë që fëmijët tanë janë në shumë raste të lazdruar, ose të paktën nga bisedat e sinqerta që i bëjmë me ta, nuk kanë orar gjumi të rregullt, ushqehen shumë shpesh nëpër fastfood restorante, nuk bëjnë shumë aktivitete, siç janë sporti, muzika ose të tjera.

Por unë mundohem t’i kuptoj këto gjëra, sepse kanë të bëjnë me mentalitetin tonë, i cili nuk është negativ ose më pak i mirë se mentalitetet e tjera, por është më ndryshe dhe nuk mund të çrrënjoset dhe të ndryshojë për një kohë të shkurtër. Jam e sigurt dhe e bindur që prindërit shqiptarë e duan gjënë më të mirë për fëmijët e tyre, por ndoshta duhet të marrin guxim për të shkuar më larg, të hapin dyer të tjera dhe të shikojnë se çfarë gjendet në anën tjetër, të mësojnë që rregullat janë një mënyrë tjetër, ndoshta edhe më produktive dhe frytdhënëse për zvillimin e fëmijëve dhe ardhmërinë e tyre. Këtu nënkuptoj gjumë të rregullt, sa më pak embëlsira, sa më  shumë perime dhe fruta në meny, sa më pak lojëra me play station ose video games dhe sa më shumë sport dhe aktivitete të ndryshme për fëmijën. Do të ishte mirë që fëmija të shkojë një herë në javë në cirk ose  teatër për fëmijë, të shoqërohet sa më tepër me fëmijët e tjerë edhe në qoftë se me familjarët dhe të rrinë sa më larg televizorit, sepse të gjitha këto e ndihmojnë zhvillimin e tij. Por nëse këto që i përmenda kushtojnë shumë para, shkolla i ofron të gjitha ato aktivitete që janë gati-gati gratis, si aktivitete të edukatës fizike, not, këndim, kërcim, etj.

Albinfo.ch: A janë, sipas teje, gratë shqiptare në Zvicër të painteresuara ose të painformuara për këto aktivitete ?

Valdete Mena: Unë nuk mund t’i gjeneralizoj të gjitha gratë shqiptare në Zvicër, sepse njoh shumë nga to, të cilat janë të zonjat, të forta, intelektuale dhe me të gjitha epitetet pozitive, por dëgjoj që ka edhe shumë gra që nuk janë të integruara mjaftueshëm. Por jam shumë pozitive dhe e bindur që shoqëria jonë ka përparuar shumë në Zvicër, ka ecur përpara në punë dhe në të gjitha lëmenjtë e jetës. Ne tash kemi shumë mjeke, punëtore në spitale, banka, nëpër administratë dhe ndihem krenare për këtë gjë. Ne jemi me të vërtetë popull inteligjent, të etur për dituri dhe i inkurajoj të gjitha gratë shqiptare që të çajnë përpara, sepse do t’ia dalin, vetëm duhet të kenë durim, vetëbesim dhe të punojnë në këtë drejtim.

Ambiciet e Valdetes nuk përfundojnë brenda çerdhes për fëmijë „Loren“. Ajo thotë se ky është vetëm fillimi dhe që planet e saj janë që shumë shpejt të fillojë të studiojë një Master në psikologji për të punuar më vonë si psikologe për fëmijë.