Integrimi

Zbulohet falsifikim dokumentesh në Ambasadën Gjermane në Prishtinë

Dokumentet e falsifikuara janë certifikata të Institutit "Goethe" të Shkallës A1, që vërtetojnë njohjen e bazave elementare të gjermanishtes nga pronari

Në Ambasadën e Gjermanisë në Kosovë është zbuluar një rast falsifikimi me dokumente të përgatitura në nivel shumë të lartë profesional, njofton Ministria e Jashtme e Gjermanisë.

Këshilltari i Policisë Federale përgjegjës për kontrollimin e kërkesave për viza ka hasur në shumë certifikata të falsifikuara për njohjen e gjermanishtes, të Institutit Göethe.

Ministria e Jashtme e Gjermanisë ka njoftuar Ministrinë e Brendshme lidhur me falsifikimet e zbuluara. Janë informuar edhe përfaqësitë diplomatike të Gjermanisë në regjion dhe janë lutur të sensibilizojnë punëtorët e qendrave përkatëse  për ndarjen e vizave.

Dokumentet e falsifikuara janë certifikata  për njohjen e gjuhës gjermane të Shkallës A1, të cilat vërtetojnë njohjen e bazave elementare të gjermanishtes nga pronari.

Këto certifikata kanë rëndësi të madhe për të huajt që shkojnë në Gjermani për bashkim familjar, gjegjësisht për martesë.

Dokumentet e zbuluara janë të një cilësie shumë të lartë, thonë në Ambasadën e Gjermanisë. Supozohet se është një numër më i madh i certifikatave të tilla që janë prodhuar vdhe ndodhen në qarkullim, shkruan focus.de. Po ashtu është e mundur që këto falsifikime janë dërguar si dëshmi edhe në ambasada tjera gjermane dhe austriake. Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë po ashtu paralajmëron se dokumente të tilla mund të jenë dorëzuar në zyrat gjermane për të huaj, për kërkimin e statusit të qëndrimit në Gjermani.