Lajme

3.5 milionë euro për transformimin e 16 klinikave në Kosovë

Uran Ismaili, ministri i Shëndetësisë, së bashku me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, kanë vizituar sot Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës.

Me këtë vizitë ata kanë përcjellë punën që është duke u bërë në klinikat e QKUK-së në kuadër të projektit të Kosovës për efiçiencë të energjisë dhe energji të ripërtritshme.

Në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës për momentin po rinovohen klinikat e Gjinekologjisë, Emergjencës dhe ORL-së.

Në këtë institucion, ministri Ismaili tha se janë investuar 3.5 milionë euro për 16 klinika.

Në këto objekte është bërë ndërrimi i dritareve të vjetra me dritare efiçiente, izolimi termik i mureve dhe kulmeve, instalimi i paneleve solare për ujin e ngrohtë sanitar, si dhe zëvendësimi i kaldajave me lëndë djegëse fosile me kaldaja me biomasë, raportojnë mediat kosovare.

“Janë 3.5 milionë euro që janë investuar vetëm në QKUK në 16 klinika për t’i transformuar ato në klinika më të dinjitetshme për shërbime mjekësore. Pacientët dhe profesionistët shëndetësorë do të kenë kushte më të mira. Së shpejti do të nisë edhe faza e tretë, e cila përfshin edhe klinikat e tjera të mbetura dhe kështu QKUK do të kompletohet në tërësi”, ka thënë ministri Ismaili.

Ndërsa, ministri i Zhvillimit Ekononomik, Valdrin Lluka, është shprehur i kënaqur me përmirësimin e këtyre klinikave.

“Pjesa kryesore e projektit përfshin investimet kapitale në renovimin e ndërtesave të sektorit të shëndetësisë në Kosovë me qëllim nxitjen e kursimit të energjisë si dhe përmirësimin e komforit te brendshëm. Në kuadër të investimeve kapitale që kanë të bëjnë me renovimin e ndërtesave spitalore, prej fillimit të implementimit të projektit deri tani janë identifikuar 60 ndërtesa për ndërmarrjen e masave për efiçiencë të energjisë”, tha Lluka.

Në sektorin e shëndetësisë janë investuar mbi 5 milionë euro në kuadër të këtij projekti, përcjell albinfo.ch.