Integrimi

Njohja, kusht për tejkalimin e paragjykimeve mes komuniteteve

Dialogu, i nxitur nga ekspozita "Besa", organizuar nga NCBI dhe IBID është pjesë e projektit „Respect: Tejkalimi i urrejtjes ndaj myslimanëve dhe urrejtjes ndaj hebrenjve"

Në kuadrin e aktiviteteve të lidhura me projektin e ekspozitave “Besa”, më 16 shtator në Biel/Bienne, është mbajtur një punëtori (workshop) që për temë debati kishte dialogun në mes të komuniteteve të ndryshme fetare dhe etnike me qëllim tejkalimin e paragjykimeve në mes tyre. Punëtoria është organizuar nga NCBI Zvicër dhe Instituti për Bashkëpunim Interkulturor dhe Dialog. Ai është pjesë edhe e projektit të filluar më herët „Respect: tejkalimi i përbashkët i urrejtjes ndaj myslimanëve dhe urrejtjes ndaj hebrenjve”.

Në debat merrnin pjesë zviceranë me prejardhje hebrenje dhe të tjerë, pastaj myslimanë me prejardhje nga vendet e lindjes së afërt si dhe shqiptarë. Synimi i këtij debati, të drejtuar nga udhëheqësi i NCBI, Ron Halbright ishte identifikimi i paragjykimeve në mes të komuniteteve dhe përpjekja për tejkalimin e tyre. “Nuk janë vetëm paragjykimet e zviceranëve ndaj të huajve ose në mënyrë specifike ndaj myslimanëve, ndaj hebrenjve apo ndaj shqiptarëve. Paragjykimet ekzistojnë edhe në mes të vetë komuniteteve pakice, sikur në mes të myslimanëve dhe hebrenjve etj.”, ka përkujtuar Hallbright duke apeluar për tejkalimin e tyre, që mund të bëhet duke e njohur tjetrin nga afër. Ai ka evokuar nga kujtesa e tij si hebre nga SHBA-ja, i rritur me rrëfimet për atë se kush i ka shpëtuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ndërkaq, ka zbuluar Halbright, për rastin e shqiptarëve shpëtimtarë të hebrenjve ka kuptuar tepër vonë dhe rastësisht. Siç u pa në vazhdim të debatit, shumica dërmuese e joshqiptarëve të pranishëm kishin dëgjuar për herë të parë me rastin e kësaj ekspozite historinë e shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri.

Në këtë debat është inkuadruar edhe Rexhep Hoxha nga Tirana, babai i të cilit gjatë Luftës së Dytë Botërore ka strehuar për 14 muaj një familje hebrenjsh në shtëpinë e tij. Hoxha është edhe protagonist i filmit dokumentar amerikan “Besa” që është shfaqur në një kinema në Biel/Bienne. I pyetur nga moderatori nëse ishte myslimanizmi ose shqiptarizmi, faktori përcaktues që ka shtyrë prindërit të shpëtojnë hebrenjtë, mysafiri nga Tirana ka thënë: “shqiptarët, pa dallim feje dhe statusi shoqëror e kanë bërë këtë që e ka bërë babai im. Ka pasur edhe katolikë dhe ortodoksë që kanë strehuar hebrenjtë. Siç ka pasur edhe fshatarë e qytetarë të thjeshtë por edhe ministra e zyrtarë të tjerë të lartë që e kanë bërë të njëjtën gjë. Por duhet të them se edhe feja që besonte im atë (ishte besimtar mysliman) nuk e ka penguar mbrojtjen e besimtarëve të një religjioni tjetër, siç ka qenë në këtë rast mbrojtja e hebrenjve”.

Ndërsa Mimoza Sejdiu, në cilësinë e organizatores dhe bashkëmoderatores ka folur lidhur me njohuritë e saj si shqiptare e lindur dhe rritur në Zvicër lidhur me historinë e shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri. Ajo ka theksuar se këtë histori ia kanë përcjellë prindërit dhe e njeh qe nga fëmijëria. Sigurisht, një histori si kjo e ka bërë të ndjehet krenare sidomos në raport me paragjykimet që shpesh e shoqërojnë imazhin e shqiptarëve në Zvicër.

Debatit i kanë kontribuuar edhe shumë pjesëmarrës, si Ali Sulejmani, këshilltar komunal në Biel/Bienne, Alain Pichard nga komiteti për ekspozitën “Besa” etj.

albinfo.ch, në cilësinë e partnerit dhe sponsorit medial ka qenë e pranishme që nga fillimi i realizimit të projektit “Besa”.