Integrimi
Dr.Emrushi fiton çmime prestigjioze botërore për kardiologji
Emrush Rexhaj, doktor i shkencave në mjekësi pak muaj më parë ka marrë çmimin prestigjioz të Shoqatës së Kardiologëve të Zvicrës që jepet çdo vit për kërkime në fushën kardiovaskulare. Dhe ky nuk është çmimi i vetëm i tij...
Kur e takon dr. Emrushin, nuk e ke fare përshtypjen se ke përpara njeriun e laboratorëve dhe të eksperimenteve, njeriun e humbur e me syze të trasha, siç “e njohim” shkencëtarin nga klishetë me të cilat jemi mësuar. Përkundrazi. Te ai shohim një të ri të qeshur dhe të gatshëm për të na “infektuar” me pasionin që ka ai vetë për shkencën. Me po këtë pasion, shkencëtari i ri na flet edhe rreth punimit për të cilin ka marrë së fundi një çmim të rëndësishëm.
“Punimi për të cilin jam shpërblyer së bashku me grupin kërkimor të Inselspital të Bernës ka të bëjë me “programimin fetal të sëmundjeve kardiovaskulare në moshën madhore. Me këtë punim kemi dashur të konstatojmë se sa ndikojnë komplikimet te foshnja gjatë fazës së shtatzënisë së nënës në sëmundjet kardiovaskulare kur ai mbërrin në moshën madhore.
E kemi ndjekur dhe studiuar si model zhvillimin kardiovaskular dhe mekanizmat e zhvillimit të disfunksionit vaskular te një mi që ka lindur nga fertilizimi in vitro (mbarsja artificiale). Pastaj e kemi përcjellë këtë dukuri edhe me fëmijët, duke krahasuar ata që kanë qenë të lindur me fertilizimin in vitro me fëmijët e lindur në mënyrë natyrale. Kemi konstatuar se tek fëmijët e lindur in vitro funksioni vaskular është i zvogëluar në krahasim me fëmijët e lindur në mënyrë natyrale. Rrjedhimisht, fëmijët e lindur përmes rrugës artificiale, në moshën madhore mund të kenë më shumë probleme kardiovaskulare dhe ato do t’u paraqiten më herët se atyre që kanë lindur në rrugën natyrale. Kemi provuar edhe mënyrat e parandalimit të disfunksionit vaskular te kjo kategori e fëmijëve”, përpiqet ta sqarojë me terma sa më popullorë një temë të ndërlikuar shkencore, dr. Rexhaj.
“Punimi ynë i realizuar tek fëmijët, është botuar në revistën numër një në botë për lëmin e studimeve kardiovaskulare “Circulation”. Ndërsa punimi i realizuar tek minjtë ku jam autor i parë i punimit që është bërë në mënyrë grupore ndërsa shpërblimi është dhënë në emrin tim, është i botuar në revistën prestigjioze “Journal of Clinical Investigation”. Udhëheqës i grupit është profesori Urs Scherrer ndërsa roli im ka qenë i veçantë në kryerjen e eksperimenteve, në përpilimin tekstor të punimit etj.
I përcaktuar për shkencën
Vlera materiale e çmimit është 30 mijë franga. Kjo shumë duhet të përdoret për zhvillimin e kërkimeve të mëtutjeshme dhe është një ndihmesë për të cilën gjithmonë ke nevojë gjatë punës shkencore. Sigurisht, çmimi është në radhë të parë njohje prestigjioze e punës që kemi bërë. Punimi është mbështetur kryesisht nga Fondi Nacional i Kërkimeve, (më prestigjiozi në Zvicër), pastaj pjesërisht edhe nga Shoqata zvicerane e Hipertensionit, etj., sqaron ai.
Ka mjaft studentë që gjatë studimeve kanë rezultate të shkëlqyera por kur vjen puna për t’u përcaktuar për karrierë shkencore dhe akademike, hezitojnë. Kjo rrugë është shpesh më e vështirë, e gjatë, me shume sakrifica dhe të shumtën, pa satisfaksionin e duhur material. Ndërsa dr. Rexhaj, i cili doktoraturën e ka kryer në vitin 2012, është ndër të paktët që ka zgjedhur shkencën, kërkimet… “Sa i përket punës në universitet, rrugën e kam të hapur, por mbetet të shohim nga mundësitë që më ofrohen. Mund të them se ana materiale për mua nuk është gjithçka. Është edhe satisfaksioni i të arriturave shkencore, ai që më udhëheq në rrugën time”, na siguron ai.
Rexhaj punon prej pesë vitesh në grupin kërkimor të udhëhequr nga profesori eminent Urs Scherrer. E ka filluar në Lozanë dhe po e vazhdon në Bernë. “E kemi një grup hulumtues mjaft kompakt me të cilin kemi shumë projekte të përbashkëta dhe ambicioze. Në grup për rreth një vit kemi pasur edhe një shqiptar tjetër (dr.Agim Pireva) i cili pastaj ka kaluar me punë në një klinikë tjetër”.
Emrushi ka qenë tri vjet kryetar i shoqatës së studentëve shqiptarë në Lozanë, kur kjo shoqatë zhvillonte aktivitet të bujshëm. Në Universitetin e Lozanës, atëherë po edhe sot, ka pasur një numër të konsiderueshëm të studentëve shqiptarë.
“Nuk jemi edhe keq me numrin e të rinjve që studiojnë”
Lidhur me përpjesëtimin në mes të numrit të madh të shqiptarëve në Zvicër dhe numrit (ende të vogël) të studentëve shqiptarë këtu, dr. Rexhaj është optimist. “Nuk jemi edhe keq sa i përket numrit të studentëve. Sepse nuk është lehtë të studiosh në vend e gjuhë të huaj. Nevojitet përgatitje e fortë pasi që seleksionimi për të shkuar në universitet këtu është shumë më i hershëm. Kur kemi parasysh problemin e integrimit të prindërve këtu, nuk është keq.
Sigurisht kur kam ardhur këtu ka qenë më e vështirë për mua se për ata që kanë kryer këtu gjimnazin në gjuhën e vendit mikpritës. Pastaj niveli i arsimit nëpër të cilin kemi kaluar ne nuk krahasohet me atë në Zvicër. Këtë e sheh secili gjatë studimeve… Veç kësaj unë i takoj gjeneratës që ka kryer gjimnazin nëpër lokale private. Prandaj këtu më është dashur të punoj më shumë në krahasim me kolegët e mi zviceranë”, shton Rexhaj. Por të gjitha këto nuk e kanë penguar që ai jo vetëm të mbaronte fakultetin por edhe të merrte nota të dalluara. “Notën mesatare në vitin e fundit e kam pasur diçka mbi 5 ndërsa 6 është nota maksimale”, thotë ai.
I pyetur për mundësitë që të ndihmojë në fushën e vet profesionale në Kosovë, ai është i prerë. “Jam i gatshëm pa kurrfarë hezitimi të kontribuoj, por kjo sigurisht, nuk varet vetëm nga unë…”.
Pak biografi
Dr. Emrush Rexhaj punon si kardiolog në Spitalin Universitar të Bernës “Inselspital” ku është duke bërë specializimin për kardiologji të përgjithshme me theks në shtypjen e gjakut. Fakultetin e Mjekësisë e ka kryer në Universitetin e Lozanës në vitin 2005. Në Zvicër ka ardhur në moshën 18 vjeçare, menjëherë pas përfundimit të shkollës së mesme te mjekësisë në Prizren. Është nga Komuna e Shtimjes dhe në Zvicër u është bashkuar prindërve.
Lista e disa çmimeve shkencore që i ka fituar dr. Emrush Rexhaj
2011: Shoqata zvicerane e hipertensionit: The Swiss Society of Hypertension AstraZeneca Scholarship;
2011: Shoqata amerikane e fiziologjisë (American Physiological Society) The Respiration Section Research Recognition Awards;
2012: Shoqata amerikane e fiziologjisë (American Physiological Society) Postdoctoral Novel Disease Model Award;
2012: Universiteti i Lozanës, Fakulteti i Biologjisë dhe Mjekësisë: Faculty Price 2012 for the Doctorate Thesis work. Faculty of Biology and Medicine, University of Lausanne;
2014: Shoqata zvicerane e kardiologjisë: Cardiovascular Research Award 2014.
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri? Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, tha se janë krijuar kushtet e...
-
Kurti mban fjalim në forumin ekonomik Zvicër-Kosovë, flet për “partneritet të fuqishëm”
-
Arbër Bullakaj, në krye të nismës për lehtësimin e natyralizimit të të huajve
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
Jeta në Zvicër
-
Më shumë se 640,000 fishekë snajperësh zviceranë thuhet se kanë shkuar në Ukrainë Municione snajperi nga kompania zvicerane P Defence thuhet se kanë mbërritur në Ukrainë në korrik 2023...
-
Kaosi i SBB i frustron udhëtarët: “Ka komunikim zero”
-
Bora paralizon qarkullimin në shumë vende në Zvicër
-
Bazeli do të votojë mbi koston e organizimit ‘blasfemik’ të Eurovizionit 2025
-
Zvicra mbetet kampione evropiane në hekurudha