Lajme

“Në mesin e kosovarëve bujari dhe mikpritje e madhe”

Intervistë me gazetarin e Radio Televizionit Zviceran (RTS), Laurent Burkhalter, i cili flet për përvojat rreth projektit të realizuar “En Quête d’Allieurs” (Në kërkim të diku tjetër)

albinfo.ch: Cili është qëllimi i projektit “Në kërkim të diku tjetër 2014”?

Laurent Burkhalter: Qëllimi është formimi i një varg gazetarësh nga Zvicra dhe vendet e tjera, ku secili do të realizojë një reportazh, duke i ofruar shikuesit ose lexuesit një perspektivë të freskët mbi vendin e kolegut të tij. Kjo mënyrë mundëson një kuptim më të mirë të realitetit të largët gjeografik, politik, shoqëror dhe kulturor, duke i pasuruar njëkohësisht shkëmbimet dhe lidhjet mes medieve.

albinfo.ch: Si lindi ideja për të përfshirë në partneritet edhe Kosovën?

Laurent Burkhalter: Lidhjet mes Kosovës dhe Zvicrës janë të ngushta. Diaspora kosovare është e rëndësishme në Zvicër. Shumë shqiptarë të Kosovës njohin mirë Zvicrën për shkak se kanë aty një kohë, ose për shkak se një anëtar i familjes së tyre jeton në Zvicër. Kosova është një shtet për të cilin gjithashtu nuk flitet shpesh zakonisht në lajmet ndërkombëtare. Prandaj, ne kemi vendosur të jemi “proaktivë”. Duke përzgjedhur Kosovën, ne ofrojmë mundësinë që të shqyrtojmë disa aspekte të këtij vendi, të cilat nuk përbëjnë domosdoshmërisht temë nga aktualiteti.

albinfo.ch: Cilat ishin përshtypjet tuaja për Kosovën? Çfarë shikimi keni mbi gjendjen e përgjithshme socio-ekonomike në Kosovë dhe asaj të kosovarëve?

Laurent Burkhalter: Kam zbuluar në mesin e njerëzve një bujari dhe mikpritje të madhe. Shumë kuriozitet, gjithashtu. Në Prishtinë njerëzit më shtronin shumë pyetje për Zvicrën, por edhe çfarë mendimi kisha për vendin e tyre. Secili prej tyre ndante me mua vizionin të asaj që mund të jetë zgjidhje për problemet socio-ekonomike. Aty për aty fitova përshtypjen se Kosova kishte një thesar të madh me njerëz me mendime të shëndosha dhe të përshtatshme, por për fat të keq, sistemi nuk ua zhvillonte mundësitë që ata meritonin.

albinfo.ch: Si paraqitej realiteti i gazetarisë kosovare në vend nga kolegu juaj (Ridvan Hamza, Kohavizion)?

Laurent Burkhalter: Në Kosovë zbulova një mes gazetarësh shumë të rinj dhe të zgjuar, efikas, të shpejtë, profesional, të cilët përdornin teknologjitë e fundit me shkathtësi të madhe.

albinfo.ch:  Ju keni ndjekur një sipërmarrës të ri kosovar-zviceran, i cili ka hapur një qendër telefonie të ashtuquajtur “Call center” në Kosovë. Si është e mundur që ky sipërmarrës i ri të shohë karrierën e tij të ardhshme në Kosovë, pasi vendi është duke përjetuar vështirësi?

Laurent Burkhalter: Sipërmarrësi i ri kosovar që jeton mes Zvicrës dhe Kosovës ka vendosur, bashkë me kolegët e tij në Prishtinë, që të hapë një qendër për thirrje telefonike gjermanofolëse, sepse ai aty arriti të gjejë kompetencat e nevojshme të biznesit të tij: një numër të madh të rinjsh që flasin në mënyrë të përkryer gjuhën gjermane. Punonjësit e tij kanë jetuar të gjithë për një kohë në Gjermani, Austri apo Zvicër.  Niveli i pagave sigurisht se luan një rol pozitiv në favor të krijimit të vendeve të punës.

albinfo.ch:  Sipas jush, çfarë roli mund të luajë diaspora kosovare në Zvicër në favor të zhvillimit efektiv të Kosovës?

Laurent Burkhalter: Unë mendoj se sipërmarrësi i ri dhe bashkëpunëtorët e tij që do të zbuloni në reportazhin që kemi përgatitur mund të jenë një shembull. Pra, gjetja e një ideje dhe besimi në një të ardhme në Kosovë, duke investuar dhe duke u investuar atje, përbëjnë elemente në favor të një roli të tillë.

 Reportazhin nga puna e përbashkët e dy gazetarëve mund ta ndiqni të shtunën nga ora 12:45 dhe 19:30 në Radio Televizionin Zviceran ( RTS 1). Më shumë informacione në: http://www.eqda.ch/site/