Feja

Myslimanët dhe hebrenjtë e Zvicrës dënojnë bashkërisht dhunën në Lindjen e Afërme

Si për njërën ashtu dhe për palën tjetër, keqpërdorimi i civilëve dhe i objekteve civile mbetet i papranueshëm. Dy komunitetet dënojnë çdo formë të racizmit dhe duan të angazhohen fuqishëm për një dialog konstruktiv

Federatat zvicerane që bashkojnë shoqatat hebrenje dhe simotrat e tyre myslimane kanë bërë një apel të peërbashkët për ndalimin e dhunës në konfliktin në Lindjen e Afërme. Këtë apel ato e kanë bërë duke iu referuar konflikteve luftarake që po vazhdojnë prej kohës në Izrael dhe Gaza.

Në deklaratën e përbashkët të  përfaqësuesve të dy komuniteteve thuhet veç tjerash se përkundër perspektivave të ndryshme që kanë rreth konfliktit, të dyja palët kanë edhe shumë gjëra të përbashkëta. Si për njërën ashtu dhe për palën tjetër, keqpërdorimi i civilëve dhe i objekteve civile mbetet i papranueshëm.

Dy komunitetet në fjalë po ashtu dënojnë çdo formë të racizmit dhe duan që të angazhohen fuqishëm për një dialog konstruktiv.

Organizatat hebrenje njoftojnë se gjatë muajve të fundit janë shtuar me të madhe sulmet antisemite. Me këtë rast pëson edhe reputacioni i komunitetit të këtushëm mysliman pasi që një pjesë e sulmeve u përshkruhen myslimanëve, shkruan nzz.ch. Për këtë arsye dy komunitetet janë pajtuar për të bërë këtë deklaratë të përbashkët. Atë e kanë nënshkruar Federata Zvicerane Izraelite (SIG), pastaj Platforma e Hebrenjve Liberalë të Zvicrës (PLJS) si dhe Federata e Organizatave Islamike çati  (FIDS) dhe Koordinimi i Organizatave Islamike të Zvicrës (KIOS).