Integrimi

Shqiptari i dënuar për vrasjen e truprojës, pranon dënimin

I riu kosovar Shaban B., nuk ka ushtruar ankesë për lartësinë e dënimit (16 vjet e tre muaj burg) në Gjykatën Federale, siç ishte paralajmëruar

I dënuar me 16 vjet burg për vrasjen e një truproje në diskotekën “Luxor” të Grenchen-it (kantoni Solothurn), i riu kosovar Shaban B., nuk ka ushtruar ankesë në Gjykatën Federale për lartësinë e dënimit, siç ishte paralajmëruar. Këtë e ka konfirmuar sot gjykata në fjalë për mediet zvicerane.

Vrasja ka ndodhur më 3 prill të vitit 2011 në orën 3 të mëngjesit, me ç`rast kosovari, sot 25 vjeçar e kishte therur disa herë në mënyrë brutale me thikë truprojën e diskos, një shtetas gjerman 22 vjeçar. Në dhjetor të vitit 2012 Shabani qe dënuar me 16 vjet e tre muaj burg dhe mbikëqyrje të përjetshme për veprën vrasje me paramendim, shkruan solothurnerzeitung.ch. Ndërkohë, në majin e sivjetmë, Gjykata e Lartë e Solothurnit ia kishte shndërruar masën e mbikëqyrjes në një terapi stacionare.   

Për vrasjen e badigardit janë përgjigjur penalisht pesë persona. Vendimi kundër Besim H., ende nuk është i plotfuqishëm. Ai ishte dënuar nga Gjykata e Lartë me 26 muaj burg me kusht për sulmin mbi truprojën tashmë të therur.