E-Diaspora

Rruga e elbasanasit nga Gjakova drejt Filarmonisë së Vjenës

Shkëlzen Doli është violinist i shquar, pjesëtar i Filarmonisë së Vjenës. Në bashkëbisedimin me albinfo.ch ai evokon rrugën nga Elbasani dhe Gjakova drejt majave të muzikës klasike botërore

I lindur në Elbasan, por gjithë jetën e ka kaluar në Gjakovë dhe në Vjenë. Është një biografi që vetvetiu të ngacmon imagjinatën, kjo, e violinistit të shquar, Shkëlzen Doli. Duket e pazakonshme kjo biografi sidomos kur dihen rrethanat në vitet `70 të shekullit të kaluar në raportet Kosovë-Shqipëri. Dhe pikërisht duke “gërmuar” në këtë pikë, e nisëm bashkëbisedimin me instrumentistin pjesëtar të Filarmonisë së Vjenës, formacionit mbase më të njohur instrumental të muzikës klasike në botë. Filarmonia e Vjenës ka një njohje më të gjerë në krahasim me formacionet tjera të muzikës klasike, falë sidomos koncerteve të Vitit të Ri, që transmetohen në të gjitha televizionet e botës, më 1 janar të çdo viti, që kanë autorësinë e saj.

Me një: “unë jam gjakovar mër vlla”, na e heq “merakun” e prejardhjes që në fillim Shkëlzeni, me humorin e tij simpatik. Por një gjakovar ama, me babë nga Gjakova dhe me nënë nga Përmeti, që është sërish një kombinim që të gërric kureshtjen. “Babai im, si djalë shumë i ri, adoleshent, së bashku me një grup shokësh, kishte ikur në Shqipëri, ku kishte mbetur të jetojë. Në Elbasan ai ishte martuar me nënën time, përmetare. Atje ka lindur vëllai im më i madh dhe, në vitin 1971 kam lindur edhe unë. Por vetëm tre muaj më vonë jemi kthyer në Kosovë…” rrëfen Shkëlzeni duke na “dëshpëruar” me përgjigjen, pasi që, thjesht, nuk ka çfarë të tregojë më shumë për jetën e tij në Shqipëri.

Por, Shqipërisë si vendlindje dhe Shqipërisë artistike ai do t`i kthehej pastaj, si violinist dhe muzicient i formuar, me disa projekte, në cilësinë e filarmonistit të Vjenës dhe sigurisht, me dashurinë për mëmëdheun.

Nxënës i mësuesve hungarezë dhe pastaj i atyre austriakë

Në ndërmjetëzën në mes këtyre dy kohëve, Shkëlzen Doli ka lidhur fatin e jetës me violinën, mbretëreshën e instrumenteve muzikore. Për të pjekur zanatin, gjegjësisht për të mësuar fshehtësitë e violinës, ai kishte shkuar në Novi Sad të Vojvodinës për të ndjekur gjimnazin muzikor, drejtimin e violinës. Ishte kjo shkolla më me renome e muzikës në ish Jugosllavi. Si nxënës i kësaj shkolle, ai në vitin 1986 fiton çmimin e parë, si violinist i ri në ish Jugosllavi. “Aty kam mësuar violinën, fillimisht me mësues hungarezë”, thotë ai. Ndërsa po në këtë qytet kishte nisur edhe studimet në akademinë e muzikës. Me fillimin e trazirave në ish Jugosllavi, ai vendos të ikë. “Zgjodha Austrinë, Vjenën, për të vazhduar ëndrrën time për violinën”, rrëfen Doli.

Në vjenë, Shkëlzeni i ri shkon në vitin 1992. Aty regjistrohet në universitetin e arteve, gjegjësisht në fakultetin e muzikës, drejtimi i violinës. Integrohet shpejt në rrethin e ri dhe që në vitin 1995, si student, fillon pjesëmarrjen në Filarmoninë e Vjenës. Në këtë orkestër famoz, ai nga viti 2006 bëhet pjesë e përhershme dhe këtë e ka vend pune apo siç e thotë me pak humor: “këtu e fitoj bukën e gojës”.

Por, puna rutinë e njërit nga 150 instrumentistëve të filarmonisë prestigjoze, me gjithë autoritetin që i jep, nuk i mjafton Shkëlzenit. Ai lëviz, hulumton, inicion, krijon. Para së gjithash: krijon. Fillon të bëjë aranzhime të këngëve dhe melodive nga fondi i muzikës autoktone shqiptare, duke arritur që ta bëj atë pjesë të axhendës edhe të Filarmonisë së Vjenës. Kulmi i këtyre përpjekjeve u arrit në vitin 2015.

“Hapi sytë e zezë” në koncertin e Vitit të Ri të Filarmonisë Vjeneze

“Në koncertin e famshëm të vitit të ri të Filarmonisë së Vjenës, arrita të përfshij në “Albanian Soul”, pjesë nga trashëgimia shumë e çmuar e muzikës popullore shqiptare. Me orkestrimin por edhe përpunimin në shkallë rikrijimi të instrumentaleve të njohura si ato që i njohim nga mjeshtri Laver Bariu pastaj të perlës “Hapi sytë e zezë”, muzika e mirëfilltë shqiptare u bë pjesë e koncertit të famshëm të vitit të ri. Me këto melodi shqiptare, që rrumbullakësohen edhe me motive kosovare dhe me këngët e Shqipërisë së Mesme, bëmë kolonën muzikore të një shëtie nëpër “Wiener Ring”. Kjo ishte pjesë e programit të koncertit të vitit të ri 2015, shpjegon Shkëlzen Doli. Ai me të drejtë e konsideron këtë si një kulminacion të punës së tij në këtë drejtim. Kryesisht mbi këtë bazë është mbajtur pastaj, në vitin 2017 edhe koncerti i madh spektakël i Shkëlzenit dhe formacionit “Philharmonisches Ensemble – Wien” në sheshin “Skënderbej” të Tiranës.

Këto projekte, autor dhe ideator i të cilave ka qenë ai, Shkëlzeni i konsideron si përpjekje për të nxjerrë në sipërfaqe muzikën autoktone e të mirëfilltë, me vlera të paçmueshme shqiptare, e cila, siç e thotë ai, mjerisht po rrezikohet nga tallavaja dhe antivlerat. Përpjekjet në këtë drejtim sigurisht që nuk kanë pushuar me këtë projekt.

Bashkëpunim i frytshëm me afaristen shqiptare nga Zvicra

“Ka kaluar më shumë se një vit që në Gjakovë kam themeluar orkestrin i cili mban emrin tim dhe i cili ka për synim pikërisht këtë që u tha më lart: ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të muzikës sonë burimore. Deri tani kemi mbajtur disa koncerte në Gjakovë dhe një në Prishtinë”, shpjegon Doli. Koncerti i fundit është mbajtur në Gjakovë më 9 qershor.

Ai me këtë rast falënderon zonjën Merita Pinta, afariste e suksesshme shqiptare nga Zvicra, e cila po i mbështet me të madhe aktivitetet artistike të orkestrës “Shkelzen Doli” dhe jo vetëm ato. “Me Merita Pintën jemi bashkëthemelues të firmës në Zvicër “Pinta & Doli Group AG”, që u themelua në dhjetor të vitit të kaluar”. Një ndër aktivitetet ishte edhe pjesëmarrja e Shkëlzenit në “Ditën e derës së hapur” që më 1 qershor pati Merita Pinta me rastin e hapjes së një rezidence të re të saj për të moshuar në Zurzach të Zvicrës. Ky aktivitet u bë dhe shkas që ta takonim dhe intervistonim maestron Doli.

“Përkrahja materiale që po jep zonja Pinta, ka rëndësi jetike për mbajtjen gjallë të jetës artistike te ne. Siç dihet, kultivimi i artit të mirëfilltë nuk bëhet dot pa mbështetje materiale të njerëzve me vullnet të mirë”, thotë Shkëlzen Doli.

Pak histori familjare

“Babai im, si djalë shumë i ri, adoleshent, së bashku me një grup shokësh, kishte ikur në Shqipëri, ku kishte mbetur të jetojë. Në Elbasan ai ishte martuar me nënën time, përmetare. Atje ka lindur vëllai im më i madh dhe, në vitin 1971 kam lindur edhe unë. Por vetëm tre muaj më vonë jemi kthyer në Kosovë…”

Laver Bariu me shokë, në koncertin vjenez të Vitit të Ri

“Në koncertin e famshëm të vitit të ri të Filarmonisë së Vjenës, arrita të përfshij pjesë nga trashëgimia shumë e çmuar e muzikës popullore shqiptare. Me orkestrimin por edhe përpunimin në shkallë rikrijimi të instrumentaleve të njohura si ato që i njohim nga mjeshtri Laver Bariu pastaj të perlës “Hapi sytë e zezë”, muzika e mirëfilltë shqiptare u bë pjesë e koncertit të famshëm të vitit të ri”.

Fotot: Rromir Imami