Zhvillim

Produktet „Made in Kosova“ në tregun evropian

Disa kompani prodhuese të Kosovës tashmë kanë depërtuar në tregjet evropiane

Bëhet fjalë për kompaninë “ASK Foods”, në Gjilan, e cila merret me përpunimin e pemëve dhe perimeve.

Produktet e saj kanë arritur të jetë e pranishme në tregun e Suedisë, në Gjermani, Belgjikë, në Zvicër, në Kroaci.

Së shpejti pritet që produktet “Made in Kosova”, të jenë të pranishme edhe në tregun e Sllovenisë.

Këtë e bën të ditur në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, pronari i kësaj kompanie, Barlet Namoni.

Ai tregon se depërtimi në këto tregje evropiane ka qenë mjaft i vështirë, pasi që ka munguar angazhimi i autoriteteve shtetërore për krijimin e një klime më të favorshme ekonomike për prodhuesit vendor.

Sic raporton ReL krahasuar me prodhimet e vendeve të rajonit siç është Maqedonia, apo Serbia, prodhimet “Made in Kosova”, e kanë më të vështirë depërtimin në tregjet evropiane.

Të dhënat e fundit të tregtisë së jashtme, të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, tregojnë se partnerët kryesorë tregtarë, sa i përket eksportit dhe importit në Kosovë, janë vendet e Bashkimit Evropian.

Përqindja më e madhe e eksportit është në Itali, Shqipëri, Maqedoni, Serbi, Zvicër, Mali i Zi si dhe në Kinë.

Përfaqësues të biznesit, në anën tjetër, kërkojnë nga autoritetet kompetente që të jenë më të vëmendshme karshi prodhimtarisë.