Integrimi

Kosovarët kundër tërheqjes së pensioneve nga Zvicra

Derisa shumë avokatura dhe firma të tjera i joshin pensionistët kosovarë për të nxjerrë pensionet e tyre nga Zvicra, në një sondazh të albinfo.ch 56 % e 912 personave të anketuar janë deklaruar kundër tërheqjes së kontributeve të punës së tyre.

56 % për qind janë përgjigjur negativisht në pyetjen se a do ta tërheqin pensionin nga Zvicra pa pritur marrëveshjen për pensionet. Shumica e të anketuarve mendojnë se me këtë veprim dëmtojnë veten e tyre. Sido që të jetë, nuk duhet anashkaluar edhe 44 për qind të të anketuarve në sondazhin e albinfo.ch, të cilët thonë se do t’i tërheqin kontributet e tyre, ngase kanë nevojë për para.

Albinfo.ch kishte realizuar këtë sondazh pas raportimeve që shumë avokatura dhe firma në Kosovë janë duke zhvilluar bizensin e tyre përmes tërheqjes së pensioneve të kosovarëve nga Zvicra.

Në Zyrën Federale për Sigurime Shoqërore (BSV/OSAF) thonë se bëhet fjalë për një “zhvatje dhe fitim të padrejtë parash” në kurriz të kosovarëve.

Albinfo.ch ka raportuar disa herë lidhur me gjendjen aktuale juridike.