Shqipëria

Majko përgëzon arkitektët e diasporës për kontributin në atdhe

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, sot është takuar me grupin e arkitektëve nga Diaspora shqiptare, studiues në Departamentin e Arkitekturës të Universitetit të Firences, të cilët janë pjesë e programit “Diaspora Burim për Mbrojtjen dhe Zhvillimin e Qendrave Kulturore më pak të njohura”, përcjell albinfo.ch.

Sipas një njoftimi nga MD, gjatë bashkëbisedimit ministri Majko i ka përgëzuar ata për përfshirjen në këtë program pasi japin një kontribut që po japin në atdhe për njohjen dhe analizimin e pasurive të veçanta kulturore që ka Shqipëria, duke theksuar kështu edhe rëndësinë e investimeve të Diasporës në vendin e origjinës.

“Gjithashtu ai i njohu ata edhe me politikat shtetërore për Diasporën dhe punën që po bëhet me qëllim mbështetjen e të gjitha komuniteteve shqiptare në botë”, thuhet në njoftim.

Grupi i arkitektëve shqiptarë nga Diaspora ka si fokus të punës së tyre tri zona: atë të Përmetit, të Zvërnecit në Vlorë dhe fshatin Razëm, në Malsinë e Madhe. Pas përfundimit të punës së tyre vlerësuese, ata do të hartojnë një udhëzues zhvillimor për këto zona që do t’u paraqiten autoriteteve vendore dhe atyre qendrore.

Programi “Diaspora, Burim për Mbrojtjen dhe Zhvillimin e Qendrave Kulturore më pak të Njohura” zbatohet nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) në bashkëpunim me ministrin e Shtetit për Diasporën.