Lajme

Franca ekstradon në Zvicër të dënuarin për vrasje, Bashkim L.

Siç bën të ditur Drejtoria për Siguri dhe Drejtësi e Kantonit të Friburgut, B.L. është ekstraduar me procedurë të thjeshtësuar nga Franca në Zvicër

Franca ka ekstraduar dje në Zvicër Bashkim L, 35-vjeçar, të dënuar për vrasjen e kryer në vitin 2013 në Frasses të Kantonit të Freiburgut. Dy vjet pasi ishte arratisur nga burgu, ai ishte kapur më 8 korrik në EuroAirport Basel-Mulhouse-Freiburg, prej nga e kishin marrë autoritetet e Francës, pasi që ishte arrestuar në pjesën franceze të aeroportit.

Nga e mërkura (dje, më 23 korrik), Bashkim L. ndodhet në Zvicër. Siç bën të ditur Drejtoria për Siguri dhe Drejtësi e Kantonit të Friburgut, B.L. është ekstraduar me procedurë të thjeshtësuar nga Franca në Zvicër, me pëlqimin edhe të vetë personit të përmendur.

I dënuari me burgim të përjetshëm, Bashkim L., 35-vjeçar, ka qëndruar në burg nga viti 2013, ndërsa në shtator të vitit 2017 ai ishte arratisur nga një qeli në burgun qendror të Freiburgut.

Arrestimi i tij është bërë në saje të bashkëpunimit të Policisë Zvicerane me policitë e tjera ndërkombëtare.

Siç kishin treguar hetimet asokohe, konsiderohej shumë e mundur që në aktin e arratisjes ai kishte pasur ndihmën e dikujt nga jashtë, thotë një zëdhënës i policisë, shkruan sda.ch.

Bashkim L. konsiderohet si njëri ndër dy personat që kanë kryer vrasjen në majin e vitit 2013 në Frasses, transmeton albinfo.ch. Me atë rast ishte vrarë një shqiptar 36-vjeçar i Kosovës, me shtetësi italiane. Shtetasi italian sapo kishte ardhur në shtëpi me automobil, ku kishte gruan dhe katër fëmijët, kur dy persona kishin hapur zjarr mbi të, duke e vrarë në praninë e familjarëve.

Vrasja konsiderohet të ketë qenë një akt hakmarrjeje në vazhdën e një sherri të përgjakshëm shumëvjeçar në mes të dy klaneve familjare nga Kosova.

Pas aktit të vrasjes, ishin arrestuar të dy personat e dyshuar dhe ishin dënuar në shkallën e parë me burg të përjetshëm, përcjell albinfo.ch. Të dy e kishin atakuar vendimin gjyqësor në një instancë më të lartë, duke mohuar akuzat.

Gjykata Kantonale e Freiburgut në korrik të vitit 2018 i kishte miratuar pjesërisht ankesat e tyre. Ajo e kishte shpallur personin e dytë (shqiptar me shtetësi të Maqedonisë) fajtor për ndihmë në vrasje dhe për bartje të paligjshme të armës, transmeton albinfo.ch. Kështu, ai qe dënuar me 9 vjet heqje lirie.

Ndërsa Bashkim L. i ishte ulur dënimi nga burgim i përjetshëm, në heqje lirie për 20 vjet. Por, vepra penale me të cilën ishte dënuar ka mbetur e njëjtë: vrasje e rëndë dhe mbajtje e armës pa leje.