Një përplasje e dy futbollisteve të rinj në një turne futbolli në Wels të Austrisë ka mundur të merrte përfundim fatal për të riun shqiptar nga Maqedonia Zubeir Neziri, i cili luan për skuadrën U-17 të kombëtares së Maqedonisë. Ai po merrte pjesë në turneun “Upper Austria Cup” në stadiumin e futbollit të WSC Hertha, në Wels. Ndeshja u ndërpre në minutën e 20 kur Maqedonia po udhëhiqte me rezultat 1:0 ndaj skuadrës LASK.
Nga goditja e paqëllimshme me gju në kokë e lojtarit të skuadrës tjetër, Zubeiri u rrëzua dhe nuk po tregonte shenja jete. Kjo shqetësoi të gjithë të pranishmit, edhe ish futbollistin profesionist Emin Sulimanin, i cili ka luajtur për SV-Ried, Austria Wien. LASK dhe Admira Müodling. Ai dhe disa të tjerë, për fat reaguan në mënyrë spontane dhe të mençur.
“Unë e pata menjëherë të qartë se djaloshi nuk mund të merrte frymë dhe ndodhej në rrezik akut për jetën”, tregon Emini. Pastaj ai së bashku me miq dhe të afërm u kujdes për Zubeirin që kishte humbur vetëdijen, deri sa erdhi mjeku i emergjencës.
“Mehmet Aliji ia ka hapur gojën ndërsa unë ia kam nxjerrë gjuhën jashtë, duke ia çliruar kështu rrugët e frymëmarrjes”, thotë ai. Si pasojë e tronditjes së trurit dhe humbjes së vetëdijes, të riut 17 vjeçar i kishte rrëshqitur gjuha drejt fytit.
Situata ishte dramatike, para së gjithash për faktin se në të njëjtë kohë edhe një i ri tjetër, 16 vjeç, koleg i Nezirit, mbase nga shqetësimi, po përjetonte një tronditje dhe po e humbte vetëdijen, tregon Sulimani.
Kur më në fund mjeku erdhi, gjendja e Nezirit, falë përkujdesjes profesionale, ishte përmirësuar deri diku. “Atë pastaj e transportuan me helikopter në klinikën e Welsit ndërsa të riun tjetër e kanë dërguar në spital me makinën e Kryqit të Kuq”, shkruan nachrichten. at.
Ngjarja ka ndodhur të mërkurën ndërsa të enjten Sulimani bashkë me ndihmësit tjerë u kanë bërë të dyve një vizitë në spital. “Ata ndërkohë e kanë kaluar më të keqen dhe janë shprehur shumë të gëzuar që na shihnin. Ndërkohë janë liruar edhe nga spitali dhe janë në gjendje të mirë.
|