Opinione
Analiza e humbjes të shqiptarëve në zgjedhjet në Greqi
Fatos Malaj kandidoi në zonën e mbipopulluar nga emigrantët, atë të A- Athinës dhe Eda Gemi në zonën perëndimore të Athinës, B2
Një javë pas zgjedhjeve parlamentare të Greqisë dhe ende përflitet rezultati, sa ai i përgjithshmi, i cili i dha pushtet autonom Demokracisë së Re, aq dhe ai që ka të bëjë me humbjen, jo dhe aq të parashikuar, të kandidatëve me origjinë shqiptare. Ende pas një jave në biseda bëhet pyetja, pse nuk u votuan ata? Si votuan shqiptarët me të drejtë vote?
Reagime nga më të ndryshmet në rrjetet sociale, ndryshe nga vetë “humbësit” që zgjodhën të heshtin ose të deklarojnë “jemi të fituar gjithsesi, hapi i parë u bë, të tjerë na presin”.
Në këtë moment, do doja të hidhja tej çdo ndjenjë patriotizmi që më bën të ndjehem rehat dhe e justifikuar në mendimet dhe bindjet e mia dhe të shoh paksa më thellë, në refuzimin e shqiptarëve për mbështetjen e këtyre kandidatëve. Sipas meje, ka arsye tepër të forta që një komunitet si ky yni këtu të dyshojë çdo lëvizje që pretendohet nga palët se është i drejtë.
Nëse do ktheheshim pas në vite, atëhere kur nisën dyndjet e shqiptarëve drejt Greqisë, do të shohim një Greqi të papërgatitur për t’i pritur edhe pse më pas do të perifrazoheshim si “një e keqe e domosdoshme”. Greqia vonoi të merret seriozisht me këtë kontigjent, duke bërë që emigrantët shqiptarë të jo vetëm të trajtohen si njerëz të dorës së dytë, por dhe të ndjehen të tillë, gjë që mendoj e kanë ende mbi shpatulla dhe e vuajnë.
Pikërisht këtu do desha të hap thonjëza e të përmend historinë me elefantin:
“Ai u lind në cirk. Një bebe elefant i lindur në cirk, është një bebe trupmadh me karierë të padiskutueshme cirku, kështu e lidhën me një litar të cilin e ngulën me një gozhdë në tokë, duke i lënë rrezen e mjaftueshme për të lëvizur. Por, një bebe elefant i lidhur, patjetër që do tentojë të lirohet. Tentoi disa herë, por ai ishte bebe për të shkulur gozdën derisa u lodh së provuari e nuk provoi më kurrë. As kur pesha e tij i kaloi të 5 tonët. Qëndronte ende i lidhur me të njëjtin litar, i ngulur në tokë me një gozhdë fare të vogël në krahasim me madhësinë dhe peshën e tij”.
Ndoshta duket disi i dhimbshëm dhe i guximshëm ky paralelizëm por mos harroni se ky është vetëm një mendim personal.
Rikthehem në vite. Pas vitit ’99-’00 ishin vitet kur shqiptarët nisën të punojnë shumë e të fitojnë shumë (edhe sot ato vite përshkruhen si vitet ku gjendej leku sheshit), krijuan kushte shumë më të mira jetese për familjet e tyre, u bënë me prona, pra, në të shumtën e rasteve nuk dalloje asnjë ndryshim me përditshmërinë e vendasve ndërkohë që politikat e dy vendeve amë dhe pritës e lanë në harresë këtë kontigjent sërish.
Vendi amë numëronte çdo fundviti remitancat e emigrantëve duke i llogaritur dhe vetë ata si shifra, sidomos në periudha zgjedhjesh, pa menduar se ai kontigjent i pastimuluar në asnjë lloj mënyre shkon drejt asimilimit.
Vendi pritës duke iu trembur pikërisht të kundërtës, mos asimilimit i quajtur me finesë mos integrim, vështirëson vit pas viti dhënien e lejeve të qëndrimit, lejeve të punës dhe nënshtetësisë për përfituesit, (e njëjta gjendje dhe sot).
Pra, deri tani kemi një brez (i pari) që fle në rehatinë e të qenit ende krah pune dhe diçka nxjerr sa për të jetuar, ç’po i duhet më tej? Tek e fundit edhe sa kohë i mbeti? Një pension e merr në Shqipëri, (këtu s’bëhet fjalë), të punojë sa të mundet, të rrisë dhe nipin a mbesën e të shkojë “të vdesë rehat në shtëpinë e tij”.
Brezi i dytë me një shqipe të çalë, i lodhur nga kriza ekonomike që i kapi në moshën më produktive dhe që mezi pret nënshtetësinë Greke të emigrojë diku tjetër.
Viti 2019, komuniteti i mbetur kaposhi një thelë, me të njëjtat probleme si në fillime të tij plus dhe të tjera, pasi mos të harrojmë se ata që dikur me mund u bënë pronarë, tani janë të ngujuar në pronat e tyre duke i mbajtur me shpirt ndër dhëmbë. Një komunitet që në dukje të lë përshtypjen se është më i organizuar se kurrë, me emërtime pompoze shoqatash e organizmash, por që në fakt riciklojnë emra, figura e ide pa asnjë nerv rinor e bashkëkohor.
I ndarë në të majtë e të djathtë, sepse kështu qenka e thënë të jetë shqiptari, gjë që e shpërngul me veten. Jeton në Greqi me mendjen te politika (nëse quhet e tillë) shqiptare.
Brezi i tretë, lus me shpirt të mos trashëgojë asgjë nga sa përmenda më lart.
Kthehem te pyetjet:
-Si votuan shqiptarët me të drejtë vote?
-Pse nuk i mbështetën shqiptarët kandidatët me origjinë shqiptare?
Shqiptarët me të drejtë vote votuan majtas dhe djathtas, majtas sepse u joshën nga politika katërvjeçare e Siriza-s që qe disi më afër emigrantëve duke lëshuar qarkore në momente të veçanta por pa mundur t’i kthej në ligje, dhe nga ndihmat sociale, të përcaktuara nga BE që e vërteta është se u dhanë pa bërë dallime kombësie.
Shqiptarët me të drejtë vote votuan djathtas dhe ky është paradoksi më i madh. Votuan Demokracinë e Re sepse është e djathtë dhe këtu bëhet fare thjeshtë lidhja me krizën politike në Shqipëri. Kam bindjen se shqiptarët votuan të djathtët për inat të së majtës shqiptare, pa marrë parasysh se në tridhjetë vite të jetës së tyre si emigrantë në Greqi, nuk kanë parë asnjë pozitivitet të së djathtës Greke në lidhje me emigrantët.
Përfundimisht shqiptarët me të drejtë vote zgjodhën ta djegin votën e tyre duke ia dhënë Siriza-s dhe ta shpërdorojnë atë duke ia dhënë Demokracisë së Re, që u duk që në ditën e parë të qeverisjes se vetëm mendje të Re nuk ka lidhje me emigrantët.
Shqiptarët nuk mbështetën kandidatët me origjinë shqiptare sepse, nuk kanë menduar e besuar kurrë se janë të llogaritshëm e një forcë e madhe, një elefant i rritur.
Një pjesë e tyre, të lodhur nga politika dhe kriza , zgjodhën mos të votojnë fare.
Shqiptarët e Greqisë kanë të gjithë të drejtën morale të shohin me dyshim çdo lëvizje politike të një bashkatdhetari të tyre, madje pa u shfajsuar te askush për këtë, por jam e bindur se diku në mendjen e tyre e kanë një peng për zgjedhjen që bënë.
Komuniteti shqiptar në Greqi tregoi se nuk është ende gati të përshkojë këtë udhë.
E-Diaspora
-
Edi Rama sot takon diasporën në Londër Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të dielën do të mbajë tubim me diasporën shqiptare në Londër....
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
Jeta në Zvicër
-
Banorët e Cyrihut duhet të ndajnë 45 franga për dritat e Krishtlindjeve Dritat e Krishtlindjeve të Cyrihut kushtojnë shumë para. Publiku tani po ndihmon me sponsorizimet për t’u...
-
Zvicër: Mbi 12,000 raportime për fyerje
-
Çfarë nisma të tjera votojnë kantonet dhe qytetet në Zvicër?
-
Zvicra voton për katër propozime kombëtare sot
-
Qeveria federale bën thirrje për kujdes: Rrugët janë të rrëshqitshme