Ekonomi

Shqipëria ndër vendet me çmimet më të larta të karburanteve

Konfindustria shpreh shqetësimin për mjetet dhe mekanizmin financiar të parashikuar në nismën e fundit ligjore të qeverisë, përkatësisht Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, për krijimin e Agjencisë së Rezervave të Sigurisë së Karburanteve, transmeton albinfo.ch.
Konfindustria thotë se kjo do të ndikojë drejtpërdrejtë në rritjen e mëtejshme të çmimeve e karburanteve.
Konfindustria ka kërkuar nga Kuvendi i Shqipërisë të mos miratojë në asnjë rast akte ligjore, që parashikojnë rritjen e mëtejshme të barrës fiskale në formën e taksave dhe tarifave për karburantet.
“Shqipëria radhitet sot në 20-25 vendet më çmimin më të lartë të karburanteve në botë, ku barra fiskale përbën deri në 60% të çmimit fundor për bizneset dhe qytetarët. Çmimi shumë i lartë bashkuar me cilësinë jashtë standardit të karburanteve në qarkullim, ka pasoja mbytëse dhe shkatërruese në ekonominë kombëtare, fuqinë konkurruese të prodhimeve e shërbimeve vendore, tërheqjen e investimeve të huaja, falimentimin e biznesit, industrive dhe mirëqenien e qytetarëve”, theksohet në reagim.