Feja
Bashkësia Islame dhe Unioni i Imamëve Shqiptarë nuk e njohin “Xhaminë xhihadiste” në Embrach
Mustafë Mehmeti: "Organet e shtetit duhet të interesohen se ku mbështeten këto grupime, prej nga e kanë autorizimin, kë e kanë imam etj. Shteti duhet të ketë instrumentet për të rregulluar këto çështje"
Rasti i apostrofuar nga mediet zvicerane për një xhami në Embrach të Cyrihut, të dyshuar për orientimin e saj xhihadist dhe të frekuentuar kryesisht nga shqiptarët, nuk ka kaluar i pavërejtur nga komuniteti i besimtarëve myslimanë shqiptarë në Zvicër. Sipas raportimeve mediale, xhamia në fjalë udhëhiqet nga organizata “El Furkan” e cila në Gjermani tashmë është nën mbikëqyrjen e shtetit, për shkak të orientimit të saj të dyshuar ekstremist. Kjo organizatë po ashtu vihet në lidhje me aktivitete që kanë të bëjnë me rekrutimin e të rinjve për të luftuar në Siri dhe në Irak.
Frekuentuesit e xhamisë së përmendur dhe të targetuarit nga organizata në fjalë janë kryesisht të rinjtë shqiptarë. Për këtë arsye albinfo.ch ka kërkuar qëndrimin e dy organizatatve që organizojnë besimtarët shqiptarë të islamit në Zvicër: Bashkësinë Islame Shqiptare të Zvicrës dhe Unionin e Imamëve Shqiptarë të Zvicrës.
Kryetari i Bashkësisë Islame Shqiptare në Zvicër, imami Musafë Mehmeti thotë se nuk e ka të njohur përbërjen e xhematit e as udhëheqësit në rastin e përfolur në medie. Mirëpo ai thotë se me siguri ata nuk janë pjesë e Bashkësisë Islame Shqiptare dhe as nuk i përgjigjen askujt.
“Por rreziku i ekstremizmit ndër shqiptarët këtu mjerisht ekziston, edhe pse ende ndoshta jo në shkallë alarmante, ai është i pranishëm. Nëse themi se është inekzistent ne do të dëmtojmë veten. Prandaj duhet intervenim me kohë për ta parandaluar rritjen e këtij rreziku”, thotë për albinfo.ch Mulla Mustafë Mehmeti.
Sipas tij, fajin për këtë dukuri duhet kërkuar edhe te mungesa e unitetit në mes të vetë organizatave që përfaqësojnë besimin islam të shqiptarëve në Zvicër.
Mustafë Mehmeti (BISHZ): Organet zvicerane të shtetit duhet të bashkëpunojnë me ne, si bashkësi fetare për parandalimin e këtyre rasteve
“Duhet pasur parasysh se nga mosgjetja e një gjuhe të përbashkët në mes ne të gjithëve, bien viktimë të rinjtë, sidomos ata që nuk shohin perspektivë në jetë dhe në profesion”, thotë Mustafë Mehmeti.
Ndërkaq, për Mulla Mustafën një pjesë të mirë të përgjegjësisë për gjendjen çfarë po paraqitet së fundi këtu e kanë edhe institucionet kompetente të Zvicrës. Ato duhet të parandalojnë paraqitje të tilla.
“Organet shtetërore duhet të bashkëpunojnë me ne, si bashkësi fetare në këto raste. Ato duhet të interesohen se ku mbështeten këto grupime, prej nga e kanë autorizimin, kë e kanë imam etj. Institucionet duhet të kenë instrumentet e caktuara për të rregulluar këto çështje. Feja nuk guxon të bëhet në kushte të ilegalitetit, nëpër bodrume të ndryshme, thotë imam Mustafa. Ai shton se shqiptarët e besimit islam duhet të kenë një koncept dhe strategji specifike që mbështetet në traditat vendore dhe jo në ato arabe pasi që ato janë të largëta për mentalitetin dhe traditën tonë.
Nehat Ismaili (UISHZ): Distancohemi nga veprimet individuale të atyre që shkelin rendin kushtetues zviceran
Ndërsa kryetari i Unionit të Imamëve Shqiptarë të Zvicrës, Nehat Ismaili, interesimit të albinfo.ch i është përgjigjur përmes një reagimi të cilin unioni që drejton ai e bën lidhur me rastin e apostrofuar
“Unioni i Imamëve shqiptarë në Zvicër distancohet publikisht nga veprimet individuale të personave të caktuar që shkelin rendin kushtetues zviceran, veçanërisht nëse bëhet fjalë për rekrutimin e të rinjve dhe dërgimin e tyre në frontet e luftës në Siri dhe Irak.
Unioni dënon ashpër këtë aktivitet si dhe aktivitete tjera që nuk përkojnë me natyrën tolerante të popullit shqiptar mysliman, që si popull historikisht ka kultivuar tolerancën dhe mirëkuptimin e ndërsjellë fetar”, thuhet në reagimin e UISHZ.
Në vazhdim të tekstit të reagimit, Unioni bën të qartë se përgjegjësia e tij kufizohet vetëm në qendrat islame shqiptare që e njohin këtë organizim.
“Unioni i Imamëve shqiptarë në Zvicër mban llogari vetëm për qendrat islame që janë pjesë e këtij Unioni dhe për imamët që janë anëtarë të rregullt të këtij Unioni, ndërsa i apelojmë të gjithë protagonistëve të jetës fetare në Zvicër të angazhohen në edukimin e mirëfilltë të brezave të rinj, luftimin e dukurive devijante dhe të dëmshme për të rinjtë, avancimin e vlerave universale dhe integrimin e tyre në shoqërinë zvicerane”.
Unioni në shkresën e vet po ashtu tërheq vërejtjen edhe ndaj keqkuptimeve të mundshme që mund të çojnë në etiketime të panevojshme.
“Besimtarët myslimanë në Zvicër vijnë nga vende të ndryshme, dhe ndonjëherë vishen me rroba që nuk janë zakon dhe traditë në Evropë, por, nuk duhet drejtuar gishtin e akuzës për shkak të veshjes së tyre, që është e drejtë themelore e tyre, sepse kjo bie ndesh me të drejtat themelore të njeriut”, përfundon teksti i reagimit të UISHZ, gjegjësisht kryetarit te tij, Nehat Ismaili .
E-Diaspora
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri? Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, tha se janë krijuar kushtet e...
-
Kurti mban fjalim në forumin ekonomik Zvicër-Kosovë, flet për “partneritet të fuqishëm”
-
Arbër Bullakaj, në krye të nismës për lehtësimin e natyralizimit të të huajve
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
Jeta në Zvicër
-
Më shumë se 640,000 fishekë snajperësh zviceranë thuhet se kanë shkuar në Ukrainë Municione snajperi nga kompania zvicerane P Defence thuhet se kanë mbërritur në Ukrainë në korrik 2023...
-
Kaosi i SBB i frustron udhëtarët: “Ka komunikim zero”
-
Bora paralizon qarkullimin në shumë vende në Zvicër
-
Bazeli do të votojë mbi koston e organizimit ‘blasfemik’ të Eurovizionit 2025
-
Zvicra mbetet kampione evropiane në hekurudha