Integrimi

Sporti foli me gjuhën e tolerancës dhe integrimit

Në turneun në Allschwill të Bazelit morën pjesë 36 ekipe dhe fitoi "Los Blancos". Mysafirë të aktivitetit ishin: Mimoza Kusari-Lila, Fadil Vokrri, Arnold Gjergjaj, Milaim Rama etj.

Derisa në Kampionatin botëror të futbollit që po mbahet në stadiumet e Brazilit, po marrin pjesë disa lojtarë me prejardhje shqiptare, në Allschwil të Bazelit, dje më 22 qershor, u organizua një turne futbolli me temë „Sporti flet një gjuhë  – 2014” e ku morën pjesë 36 ekipe, kryesisht me lojtarë shqiptarë.

Qindra shqiptarë e zviceranë kishin vërshuar fushat sportive në Bachgraben-Allschwil të Bazelit. Gjatë gjithë ditës, në 4 fusha sportive garuan 36 ekipe futbolli, kryesisht nga Zvicra, por pati edhe nga Franca (3 ekipe) dhe nga Gjermania (një ekip). Mundësia për shfrytëzimin e fushave ishte bërë nga Qendra pë Arsimim  dhe Këshillim të Migrantëve (ABSM), drejtues i të cilit është z. Skender Nikoliqi, ndërkaq  pjesëmarrjen e ekipeve në turne e kishte organizuar Klubi Futbollistik “Dardania” që udhëhiqet nga z. Enver Hajdari. Pagesa për çdo ekip, që kushtonte 150 SFr, i ishte dedikuar shpërblimeve për tri vendet e para si dhe KF “Dardania” nga Bazeli i cili, gjithnjë e më shumë, po ngjitet majave të suksesit në futbollin zviceran.

Sikur edhe në turnetë e mëparshëm edhe sivjet, në hapje ishin të pranishëm figura të spektrit kulturor e politik të Bazelit.

Përveç zonjës Kusari – Lila, në hapje të turneut ishin ë të pranishëm edhe disa veprimtarë të mirënjohur sportivë si: Fadil Vokrri, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, Milaim Rama, ish-futbollist i kombëtares së Zvicrës, Arnold Gjergjaj, boksier profesionist etj.

Nga jeta kulturore-politike e Bazelit mysafirët dhe pjesëmarrësit e turneut i përshëndeti zonja Nicole von Jacobs, udhëheqëse e Qendrës Profesionale për Diversitet dhe Integrim “Integration Basel”, ndërkaq të pranishëm ishin edhe z. Herbert Knutti dhe zonja Monique Locarnini nga Departamenti i Edukimit në Bazel, pastaj Georg dhe Dorothea Fankhauser nga shoqata e sapothemeluar “GjakovaBasel”; Hasan Kanber, kryetar i Lidhjes futbollistike të Zvicrës, Skender Nikoliqi nga ABSM, Hevzi Badalli, kryetar i KF “Dardania” etj.

Pas hapjes së manifestimit  si dhe prezantimit të aktivistëve nga jeta kulturore e sportive  si dhe pas prezantimit të disa valleve shqiptare nga Shkolla e Vallëzimit “Shota”, që udhëhiqet nga Agron Bajrami, zonja Nicole von Jacobs për albinfo.ch u shpreh:

“Secili aktivitet sportiv është shumë i rëndësishëm për takimin e njerëzve që rezulton me njohje dhe krijim të miqësive të reja dhe sidomos në një rreth të huaj. Prandaj unë e përshëndes shumë këtë formë të manifestimeve, kështu që para se gjithash i falënderoj organizatorët dhe ndihmëtarët vullnetarë, por edhe zyrtarët e ardhur enkas nga Kosova, të cilët i japin rëndësi kësaj që po ndodh këtu. Po ashtu falënderoj edhe të gjithë pjesëmarrësit e këtij manifestimi për mundësimin e këtij përjetimi që shpresoj t`i bëjnë të gjithë fatlumë dhe të kënaqur”.

Në pyetjen se sa po i realizojnë të rinjtë shanset që po u jepen këtu në Zvicër, zonja Jacobs vazhdoi: „Po, ne kemi rezultate të mira sa i përket punësimit dhe krijimit të vendeve të mësimit praktik, të cilin ata e përfundojnë me sukses. Pra, gjithnjë e më shumë mund të konstatojmë se ka një baraspeshë në mundësinë e arsimimit, gjë që mundësitë e arsimimit këtu merren gjithmonë seriozisht e kjo ne na gëzon shumë”.

Pjesë e aktivitetit të djeshëm ishte edhe pjesëmarrrja e fëmijëve në vrapimin 100 metërsh, me ç`rast trimërimin e tyre sportiv e treguan disa fëmijë që pritet të jenë perspektiva e sportistëve shqiptarë në Bazel.

Ndeshjet e futbollit në këtë turne zgjasnin nga dhjetë minuta, përveç ndeshjes finale e cila zgjati dy herë nga dhjetë minuta.

Për vendin e tretë luftuan FC Blasi kundër  Coca Cola 1:0, kurse në finale u takuan: Los Blancos dhe Likis 2:1.

Pas lojërave fer, por edhe mjaft mbresëlënëse, në temperaturë prej rreth 30 gradësh, tri vendet e para i ndanë ekipet: Los Blancos, Likis dhe FC Blasi.

Shpërblimet i dorëzuan Georg Fankhauser, Meriton Ferizi dhe Fadil Vokrri.

Fituesi i këtij turneu futbollistik – Los Blancos shpërblimin prej njëmijë frangash ia dhuroi KF “Dardania” në shenjë respekti për përpjekjet dhe rezultatet e vazhdueshme që po i tregon në futboll.

Lidhur me përshtypjet e këtij turneu, Avdyl Krasniqi nga Juniku i cili luajti për ekipin Los Blancos u shpreh i kënaqur me zhvillimin e lojërave, duke u drejtuar komplimente organizatorëve të këtij turneu futbollistik.

Enver Hajdari – trajner i KF “DARDANIA: – Janë paraqitur 36 ekipe me nga 10 lojtarë; 5 plus 1, luajnë dhe rezervat. Turneun e organizojmë çdo vit tash e 12 vjet radhazi. Këtë organizim e bëjmë së bashku me Organizatën zvicerane që është për integrimin e të huajve „ABSM“. Me këtë turne ne vetëfinancohemi, duke inkasuar nga 150 franga si dhe të gjitha të hyrat që vijnë përmes pijeve dhe ushqimit, kurse ndihmë të madhe kemi edhe nga „ABSM “  e cila i heq shpenzimet e tjera siç janë terreni etj.  Në mesin e futbollistëve që marrin pjesë sot në këtë turne ka edhe zviceranë, por ka edhe ekipe që kanë ardhur nga Franca dhe Gjermania“.

Mimoza Kusari – Lila: „Po besoj që është një aktivitet shumë i qëlluar, duke e pasur parasysh që ky organizim bëhet qe 12 vjet, dhe se një numër i konsiderueshëm i qytetarëve këtu vijnë nga komuna e Gjakovës, kështu që nga ata e kam marrë ftesën që të jem sot prezente. Zvicra besoj që është një prej shteteve e cila ka ofruar më së shumti kushte për shqiptarët, ku shihet edhe numri i shqiptarëve që janë në Zvicër, ndërsa simbolikë e integrimit janë edhe përfaqësuesja e Zvicrës dhe pjesëmarrja e tyre në kampionat botëror, në Brazil, ku janë edhe pesë shqiptarë, prej të cilëve ka edhe që janë të lindur në Kosovë. Qëllimi im pse jam këtu është që të jemi sa më shumë në kontakt, por edhe të krijojmë siguri që të vijnë në Kosovë, konkretisht në komunën e Gjakovës dhe secili ta sheh mundësinë e investimit dhe të kthimit, por edhe aktiviteteve tjera në komunën e Gjakovës.

Në veçanti në sport, por edhe në ekonomi dhe kulturë ka shumë mundësi bashkëpunimi, kështu që jemi tërësisht të hapur dhe gjithashtu fokusohemi kryesisht në diasporën tonë që është këtu.

E pyetur se me cilin lojtar shqiptar të Zvicrës është më e kënaqur për futboll, zonja Kusari – Lila u shpreh: „E kam përcjellë lojën e Zvicrës në futboll për botërorin, dhe është kënaqësi dhe krenari të shohësh futbollistin shqiptar, i lindur në Kosovë, duke shënuar gol në kampionatin botëror në Brazil“

Fadil Vokrri: “Futbolli dhe sporti është një element shumë i rëndësishëm i shoqërisë, dhe vetë sllogani i këtij organizimi “Sporti flet një gjuhë”, tregon për rëndësinë e këtij organizimi dhe ne kemi nevojë për shumë organizime të tilla. Vetë pjesëmarrja dhe prezantimi i tyre në kampionatin botëror, pra kurrë në histori të futbollit  nuk kemi pasur aq shumë lojtarë tanë që na përfaqësojnë në këtë nivel, dhe besoj që vetë pjesëmarrja e tyre është shumë madhështore për ne.  Mendoj që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës kjo është gjëja më e rëndësishme që ka mundur të ndodhë te shqiptarët.

Ata po luajnë shumë mirë në botëror dhe mendoj që ata do të kualifikohen dhe vetë kualifikimi është shumë i rëndësishëm për Zvicrën dhe për ne.

A prisni që këta futbollistë t`i bashkëngjiten Kombëtares së Kosovës?

„Është një pyetje e vështirë. Pasi që të vijë koha për pranimin e Kosovës, atëherë mund të bisedohet më seriozisht. Momentalisht, ata i kryen obligimet e tyre që i kanë dhe tash nuk është etika sportive që ne t`i thërrasim që të luajnë për Kosovën në lojëra miqësore kur ata kanë mundësinë të luajnë në kampionat botëror. Ne i kemi sugjeruar të gjithë, se nuk kanë nevojë tash me ardhë, e në momentin e pranimit të Kosovës, në suazat ndërkombëtare, atëherë është tjetër çështje, dhe ata pastaj vendosin vetë.“

Florim Hajrullahu, pjesëmarrës si futbollist i turneut me FC “Karaçeva”: „Marrim pjesë për çdo vit në këtë organizim që bëhet këtu,  dhe e mira e kësaj është se mund të bëhemi të gjithë shqiptarët bashkë  dhe të luajmë futboll“, tha Florim Hajrullahu (29).

Shoqata “GjakovaBasel”

Në Bazel, tash e disa muaj, është themeluar shoqata “GjakovaBasel” që udhëhiqet nga zviceranë e shqiptarë bashkarisht. Shi për këtë, në këtë manifestim ishte ftuar edhe kryetarja e Gjakovës, zonja Mimoza Kusari – Lila e shoqëruar edhe nga drejtori i Departamentit për Kulturë dhe Sporte i Gjakovës, zotëri Meriton Ferizi. Gjatë ditëve në vijim zonja Kusari – Lila ka një agjendë të ngjeshur me takime pune me zyrtarë departamentesh dhe institucionesh të rëndësishme të Bazelit. Ajo pritet të takohet me drejtuesin e Departamentit për zhvilimin e kantonit-qytetit, z. Thomas Kessler, pastaj me kryetarin e Parlamentit të Kantonit të Bazelit, z. Christian Eggeler; me drejtuesin e Departamentit të Ndërtimit dhe Komunikacionit, Dr. Hans Peter Wessels, për të vazhduar më pas edhe me vizita monumenteve kulturore-historike të Bazelit.

Xhevdet Kallaba e Visar Kryeziu