Integrimi

Testi i gjuhës, kusht për pasaportën e Zvicrës

Me rregulloren e re të vendosur nga kantoni, nuk është e kënaqur qeveria e qytetit të Cyrihut. Ajo konstaton se kërkesa për njohjen e gjermanishtes me shkrim është pengesë e panevojshme

Ata të cilët, duke filluar nga viti 2015 bëjnë kërkesë për marrjen e shtetësisë zvicerane në kantonin e Cyrihut, duhet t`i nënshtrohet një testimi të njohjes së gjuhës gjermane. Një rregullore e reviduar mbi natyralizimin, e cila perfshin edhe këtë ndryshim është marrë nga qeveria e kantonit të Cyrihut. Qeveria me këtë hap synon të sigurojë që në të gjitha komunat të vlejnë regulla të njëjta sa i përket  vendosjes së njohjes së gjuhës si kusht për pasaportën zvicerane. Me rregullin e deritashëm, secila komunë ka pasur të drejtë që në mënyrë autonome të kërkojë ose jo plotësimin e këtij kushti nga të huajt që duan të natyralizohen. Me të renë, njohja e gjuhës, me shkrim dhe me gojë do të jetë kusht për të gjitha komunat. Ndërkaq, nga ky kushtëzim lirohen personat me të meta, për të cilët janë zbutur kriteret për fitimin e shtetësisë.

Me rregulloren e re nuk është e kënaqur qeveria e qytetit të Cyrihut. Ajo konstaton se në veçanti kërkesa për njohjen e gjermanishtes me shkrim përbën pengesë të panevojshme shtesë, shkruan gazeta nzz.

Sipas përgjegjësit për integrim në qytetin e Cyrihut, Christoph Meier, provimet e gjuhës për shumicën e personave që duan të natyralizohen nuk paraqet problem. Por, është një numër të huajsh që për shkak të nivelit të tyre arsimor kanë problem me shkrimin e gjuhës. Për këtë arsye, thotë ai, as Zyra Federale për Migracion (BFF) nuk e vë kusht njohjen e gjuhës me shkrim.

Por, Roland Welti, zyrtar i sektorit të komunave thotë se rekomandimet e fundit të BFF janë dhënë para pesë vitesh. Ndërkohë janë 50 komuna të Kantonit të Cyrihuit që e kanë vendosur vullnetarisht  si kusht për natyralizim zotërimin me shkrim dhe me gojë të gjuhës gjermane.