Sport

Përsëri në librin “Guinness”, Agushi njofton për synimin e radhës

Emri i rekordmenit kosovar, Agim Agushi, edhe një herë tjetër është përmendur në librin e rekordeve botërore “Guinness”, përcjell albinfo.ch.

Këtë herë, Agushi veshi e zhveshi 152 herë fanellën sportive duke zhongluar me top, në një hapësirë prej vetëm 1 metër katror, për rreth 1 orë e dy minuta. Këtë rekord Agushi e shënoi më 4 korrik, pikërisht për Festën e Pavarësisë së SHBA-së.

Megjithëse kanë kaluar vetëm dy ditë që kur shënoi një rekord botëror, Agushi nuk e ka ndërmend të ndalet. Ai po synon një rekord në Dubai.

Gjatë ditës së sotme Agushi është takuar me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi. Ky i fundit ka premtuar përkrahje për rekordmenin Agushi, në sfidën e tij të radhës në Dubai.

“MKRS-ja do ta mbështesë këtë talent të rrallë në synimin e tij kryesor që është të vendosë rekordin më të vështirë Guinness në ndërtesën më të lartë në botë Burj Al Khalifa në Dubai, duke ecur lart-posht shkallëve të kësaj ndërtese me top në kokë, pa ndërprerje, gjë që nuk është arritur deri më tani”, ka shkruar ministri Gashi.

Lidhur me këtë sfidë, Agushi ka thënë se është vetëm çështje kohe, përcjell albinfo.ch.