Integrimi
Donjeta: Të punosh me të rinjtë është një përkushtim i shenjtë
"Zvicra për mua është vendi që më edukoi, më hapi horizontet dhe më siguroi një shkollim të mirëfilltë, ndërsa Kosova është vendlindja dhe krenaria ime"
Donjeta Loshi –Berisha përfaqëson fytyrën e suksesshme të brezit të ri të Kosovës, por e arsimuar e formuar në Zvicër me nivel akademik të përfunduar, për të cilët ka aq shumë nevojë sot shoqëria shqiptare. Donjeta e ardhur në moshë të vogël në Zvicër e ka ndërtuar me përkushtim e seriozitet të ardhmen e saj duke treguar potencialin që ka rinia e Kosovës, si pjesë e rinisë evropiane. E arsimuar edhe në mësimin plotësues të gjuhës shqipe intervistën pa mëdyshje e bëjmë në shqip.
Albinfo: Donjeta je nga Kosova por pjesën më të madhe të jetës së deritanishme e keni kaluar në Zvicër, çfarë përbën Kosova dhe Zvicra për ty?
Donjeta:Pa dyshim, kombi im shqiptar dhe atdheu Kosova, janë shtyllat e identitetit tim. Kam qenë vetëm dy vjeçe, kur familja ime emigroi në Zvicër për një jetë më të mirë. Këtu fillova dhe mbarova shkollimin. Paralelisht vijoja me shumë kënaqësi e përkushtim në gjuhën shqipe. Ky mësim ka qenë shumë i vlefshëm për mua si dhe për të gjithë ata që e vijojnë. Më ka ndihmuar që të zhvillohem në të dy kulturat në menyrë të ekuilibruar dhe me respekt të ndërsjelltë. Andaj, Zvicra për mua është vendi që më edukoi, më hapi horizontet dhe më siguroi një shkollim të mirëfilltë, ndërsa Kosova është vendlindja dhe krenaria ime.
Albinfo: Keni mbaruar studimet dhe për temë keni pasur gruan emigrante çfarë ju shtyri për ketë?
Donjeta: Unë kam studjuar Psikologjinë dhe Shkencat e Edukimit në Universitetin e shkencave sociale në Neuchatel dhe kam përfunduar në afatin rekord. Gjatë studimeve kam qenë aktive në disa fusha tjera edukative që më shtyri të shoh më larg jetën e gruas në vend të huaj. Konkretisht përmes këtij studimi hulumtues kam zbardhë proceset psikologjike tek gratë që kanë përjetuar emigracionin duke i vë në pah vështërsitë dhe arritjet e tyre. Hulumtimi shkencor apo tema e magjistraturës ka zgjatur dy vite dhe është vlerësuar shkëlqyeshëm si nga sfera akademike, poashtu edhe nga fushat politike dhe sociale që punojnë në integrimin e të huajve.
Albinfo: Donjeta ke një CV brilante në këtë moshë kaq të re. Prej një kohe punoni në institucionin shtetëror, na flisni pak më konkretisht për punën dhe përvojën tuaj, a ju shërben kjo eksperiencë në vizionin tuaj për të ardhmen ?
Donjeta:Po. Që nga viti 2012 punoj si psikologe këshilltare për orientim shkollor dhe profesional në Kantonin Jura. Roli im është që t’i këshilloj nxënësit nga shkolla fillore dhe ata të mesme në zgjedhjen të një drejtimi shkollor apo profesional adekuat. Eshtë e rëndësishme që çdo nxënës të njeh së pari vetveten dhe potencialin e tij: çfarë i pëlqen atij ? çfarë pret ai nga jeta profesionale ? cilat janë pikat e tij të forta ? Etj. Dhe, mund ta ndihmojmë me një procedurë për orientim. Në bazë të shumë testeve psikologjike dhe në bazë të bisedave konstruktive, mund të gjejmë një rrugë zgjidhje të duhur për nxënësin i cili kërkon ndihmë në këtë drejtim. E bukura e profesionit tim është pikërisht se gjendet në mes të dy fushave të cilat i kam studiuar dhe më frymëzon çdo ditë që të kem një vizion sa më të qartë përballë institucioneve shtetërore ku punoj.
Albinfo: Donjeta përmes profesionit je e lidhur shumë në dialog me të rinjtë/rejat si dhe me prindër çfarë eksperience është kjo për ty ?
Donjeta: Të punosh me të rinjtë është më tepër se një përkushtim i shenjtë. Po aq sa është sfidë e bukur, është dhe e nderlikuar sepse ti hasë çdo ditë me persona të ndryshëm, me kërkesa të shumta dhe me personalitete të veçanta. Është sfidë për mua arritja e krijimit të një marrëveshje mirëbesimi tek nxënësit e cila do t’i hap atij të gjitha dyert e suksesit. Poashtu, prindërit janë partnerë të pashmangshëm në procedurën e orientimit shkollor. Aktualisht kontakti me nxënësit dhe prindërit është në nivel të shkëlqyer.
Albinfo: Çfarë duhet të dini të rinjtë shqiptarë që zgjedhja e tyre profesionale të jetë sa më e drejtë?
Donjeta: Është me rëndësi të dijnë se në Zvicër sistemi i shkollimit është shumë i përsosur. Ky sistem u jep zgjidhje të shumta për të gjitha profilet e nxënësve. Të rinjtë shqiptarë në Zvicër duhet së pari të mendojnë se çfarë dëshirojnë ata për të ardhmën e tyre dhe cili është potenciali i tyre. Pastaj nëse ata kanë vështërsi për ta zgjedhur drejtimin e duhur, apo nëse dëshirojnë ndonjë këshillë, atëhere duhet të drejtohen tek profesionistët që punojnë në këtë drejtim. E mira e sistemit është që çdo takim me këshilltar/e për orientim është pa asnjë pagesë dhe mund të ndihmojë mjaftë mirë.
Albinfo: Prindërit shqiptarë e kanë një rast ideal për të u këshilluar me ju për t’i ndihmuar fëmijët në zgjedhjen e profesionit, a e shfrytëzojnë ata ketë të mirë?
Donjeta: Me thënë të drejten ka mjaftë prindë shqiptarë që më kontaktojnë për tu këshilluar. Por në krahasim me numrin e madhë të nxënësve shqiptarë në shkolla për të cilat kujdesem, atëherë del që të mos jenë edhe aq shumë aktivë në këtë drejtim. Kam besim dhe shpresoj që në të ardhmën do të rritet ky interesimi.
Albinfo: Ndërkohë ju do të filloni përgatitjet për doktoraturë. A është kjo një sfidë tjetër për Donjetën?
Donjeta: Është e vërtetë që jeta pa sfida të reja nuk do të kishte bukurinë e saj. Unë gjithmonë i dua sfidat dhe dëshiroj që me punë t’i tejkaloj kufijtë e rinj.
Albinfo: çfarë porosie keni për rininë shqiptare?
Donjeta: Këshilla ime është që ata të jenë modest, të punojnë shumë dhe të përkushtohen në gjëra të cilat kanë dobi për ta siguruar një të ardhme sa më të ndritur. Për të rinjtë shqiptarë në diasporë që të kontribojnë me vepra të mirëfillta për ta treguar një imazh sa më të bukur të vetës së tyre dhe të shqiptarëve dhe të mos e harrojnë asnjëherë identitetin e tyre.
Nexhmije Mehmetaj
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
Ndjekjet penale dhe falimentimi: Rritje e rrezikut për të vetëpunësuarit nga viti 2025 Që nga 1 janari i vitit 2025, pretendimet e së drejtës publike kundër personave të regjistruar...
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër?
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës