Integrimi

Policia ofron 10 mijë franga për gjetjen e vrasësit të shqiptarit

Në kuadrin e hetimeve intensive deri më tash janë marrë në pyetje mbi 100 persona. Autoritetet e ndjekjes supozojnë se vrasësi dhe i vrari ishin njohur në mes vete

Në vitin 2003 në një pyll në Krailingen të Bernës qe gjetur kufoma e shqiptarit nga Kosova Imri Xheladini. Njëmbëdhjetë vjet më vonë kjo vrasje ende e pandriçuar është vënë sërish në fokus të drejtësisë. Organet e ndjekjes kanë shpallur sot sërish, ashtu sikurse para 11 viteve, një shpërblim prej 10 mijë frangash për ata që mund të sjellin ndonjë fakt të ri që ndihmon në gjetjen e vrasësit.

Xheladini 35 vjeçar, i cili jetonte në Biberist të Soloturnit ishte gjetur i vrarë me armë zjarri në një pyll afër Krailingenit. Policia në shpalljen e saj përkujton se ai kishte një rreth shumë të gjerë të njohurish, kryesisht me prejardhje nga Ballkani. Ai ishte pronarë i një firme ndërtimi.

Në kuadrin e hetimeve intensive deri më tash janë marrë në pyetje mbi 100 persona, shkruan bernerzeitung.ch. Autoritetet e ndjekjes supozojnë se vrasësi dhe i vrari ishin njohur në mes vete. Por deri më tash nuk është gjetur autori i vrasjes.

Riaktualizimin e hetimeve, një zëdhënëse e policisë së Kantonit të Bernës e ka shpjeguar me “ndryshimin e kushteve bazë”. “Ne e konsiderojmë të mundshme që të ketë persona të cilët mund të ofrojnë informata konkrete për rastin”.