Integrimi

Si i kanë punët shqiptarët në Zvicër

Fanaj: Pas “rreth 60 vitesh në Zvicër, duhet të pushojmë së foluri për integrimin!”. Emision i Radios SRF mbi gjendjen e komunitetit shqiptar në Zvicër sot

Këtë fundjavë, në Cyrih “vjen” festivali Alba-Festival, sipas organizatorëve, spektakli më i madh shqiptar që ka parë Evropa ndonjëherë. Një rast i mirë ky për gazetarin e radios SRF Marc Lehman që në emisionin e tij “Tagesgespräch” dy njohësve të komunitetit t`ua drejtojë pyetjen: Si i ka punët komuniteti i këtushëm shqiptar? Përgjigjen Hamit Zeqiri dhe Ylfete Fanaj.

Rreth një çerek milioni shqiptarë jetojnë në Zvicër. Por, edhe më tutje dihet pak për ta, shkruan srf.ch, transmeton albinfo.ch. “Vërtet u brohorasim ikonave të tyre, si yjeve të kombëtares zvicerane Xhaka dhe Shaqiri, por pastaj sërish u kthehemi paragjykimeve mbi maçot, bartës të zingjirëve të trashë, të cilët me makinat e tyre të fuqishme i bëjnë të pasigurta rrugët dhe për më tepër, shfrytëzojnë fondet sociale”, shkruan srf.ch

Dhe kjo ndodh përkundër faktit se shumica e madhe e shqiptarëve janë integruar si është më së miri në Zvicër dhe bëjnë këtu karriera fare zakonshme, të klasës së mesme.

Një ditë para Alba Festivalit, dhe një vit pas aferës së shqiponjës dykrerëshe, ne së bashku me Ylfete Fanajn dhe Hamit Zeqirin, po i hedhim një vështrim realiteteve jetësore të komunitetit të këtushëm shqiptar, përcjell albinfo.ch.

37 vjeçja Ylfete Fanaj ka ardhur nga Kosova në Zvicër si vajzë 9 vjeçare dhe këtu ka ndërtuar një karrierë politike: Nga viti 2011 është në Parlamentin e Kantonit të Luzernit, të cilin vitin që vjen do ta kryesojë dhe kështu do të bëhet ligjërisht, njeriu numër një në politikën e Kantonit të Luzernit, transmeton albinfo.ch.

Hamit Zeqiri, 48 vjeçar, e ka braktisur Kosovën në moshën 24 vjeçare për shkaqe politike. Punëtori i diplomuar social dhe mediatori udhëheq Qendrën Profesionale Fabia në Luzern, e cila këshillon njerëzit dhe institucionet lidhur me çështjet e migracionit.

Dy të përmendurit në bashkëbisedimin me radio SRF kanë shpalosur gjerësisht pikëpamjet e tyre në lidhje me komunitetin e këtushëm shqiptar, integrimin e tij në Zvicër, problemet që shoqërojnë këtë integrim etj. Fanaj, në këtë kontekst ka thënë se pas “rreth 60 vitesh në Zvicër, duhet të pushojmë së foluri për integrimin!”. Ajo ka folur për lidhjet që shqiptarët kanë me vendin e prejardhjes, lidhje këto që, për shkaqe të kuptueshme, me kalimin e kohës bëhen më të dobëta etj.

Hamit Zeqiri është shprehur lidhur me profilin e komunitetit, problemet me imazhin etj.

Ata që e kuptojnë gjermanishten në dialektin zviceran, në këtë LINK mund ta dëgjojnë bisedën e përfolur më lart.