Integrimi

Ndryshohet Ligji për vetëqeverisjen vendore, çka përfiton diaspora

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ka miratuar propozimin e Këshillit të Ministrave për ndryshim dhe disa shtesa në Ligjin për vetëqeverisjen vendore, njofton Agjencia Kombëtare e Diasporës.

Me këtë ndryshim, në çdo bashki do të ngrihet një strukturë e veçantë për çështjet e Diasporës dhe migracionit që do të ketë si fokus forcimin e komunikimit dhe marrëdhënieve me komunitetin e shqiptarëve në Diasporë. Gjithashtu do të bëjë të mundur nxitjen e organizimeve, brenda dhe jashtë vendit, për mbajtjen e komunikimit të vazhdueshëm në ndihmë dhe mbajtjen e komunikimit dhe forcimin e marrëdhënieve me Diasporën shqiptare, përcjell albinfo.ch.

“Në këto zyra të posaçme prioritet do të jetë dhënia e ndihmës dhe e informacionit për çështje që lidhen me fitimin e shtetësisë shqiptare. Gjithashtu do të ofrohet informacion për të interesuarit nga Diaspora dhe migracioni për legjislacionin shqiptar në fushën e investimeve, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse për çështjet e investimeve. Fokus i këtij ligji është nxitja e politikave shtetërore për zhvillim e raporteve me Diasporën duke nxitur bashkëpunim, mbështetjen dhe mbrojtjen e të drejtave e të gjithë shqiptarëve jashtë vendit”, thuhet tutje në njoftim.

Sipas njoftimit të AKD-së, ky ligj është në harmoni dhe me frymën e standardeve ndërkombëtare të konsoliduar në një sërë aktesh, si: Karta e OKB-së, Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike etj.

Ky ndryshim erdhi si nismë e ministrit të Diasporës, Pandeli Majko.